Pyetësori i Prustit: Helena Halilaj

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet poetja Helena Halilaj.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Në jetë mund të gjejmë derivate të përkryera të lumturisë në raport me marrëdhënien që krijojmë me veten, punën dhe dashurinë. Lumturia është proces rezultativ në jetën e njeriut. Lumturia është individualiste, ajo që më bën mua të lumtur dikë nuk e përmbush. Mendoj që lumturia është në probabilitet me nivelin e kërkesave, mundësive dhe shpirtërores.

Cila është frika juaj më e madhe?
Pabesia që frymëzohet nga ligësia.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Nuk ndërtoj admirime në jetën time, por dua heronjtë e jashtëzakonshëm në një kohë të zakonshme të cilën po konsumojmë.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Historia ka në tribunën e saj shumë personalitete, pafund. Avni Rustemi, e dua hakmarrjen ndaj çdo tradhtie.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Nervozizmi i cili mendoj e ka burimin nga origjina dhe padrejtësia.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Ka shumë, mosmirënjohjen, hipokrizinë dhe tradhtinë.

Në cilat gjëra e teproni?
Dua të shkojnë situatat dhe marrëdhëniet sipas mendjes time.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Vetëm frika për të mos lënduar njerëzit që dua. Gënjeshtra është armë e njerëzve të dobët, por ndonjëherë biem në lakun e saj për të shpëtuar nga rezultate të menjëhershme.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Nëpër veten time të cilën ma rrëmbejnë shpesh herë koha dhe njerëzit.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Mire bre.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Vetëm për kohën që e kam ndarë në racione të gabuara për disa njerëz që duhet ti lësh të uritur gjithmonë. Koha nuk zëvendësohet as blihet me asgjë.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Jeta. Pamundësia për ta klonuar sërish.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Si një koshere bletësh.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Të mos jem tren me disa vagonë, të mëvetësohem.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Të mbeturit akoma njeri në krejt dimensionet e njerëzores.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Do kisha ndërtuar një teatër me më pak aktorë në jetën time.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Shqiponjë gjithmonë.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Guximin.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Dembelizmin dhe injorancën.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Në atdheun tim gjithmonë.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Burrërinë.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Vlerat jo aksesorët.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Albert Camus.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Nënat, vetëm nëna është heroinë në çdo kohë.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Të isha piktore ose të luaja në piano pse jo kombinohej me poezinë.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Shpresoj që vdekja ime të jetë fizike.

Cila është motoja juaj?
Gete thotë që guxo, dhe unë mendoj që guximtarët jetojnë vërtetë./Gazeta Observer