Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet profesoresha dhe studiuesja Lindita Rugova.
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Mjafton ta japësh maksimumin, nuk ka rëndësi a del diçka e përkryer! Lumturia e përkryer zgjat shumë shkurt, ai momenti kur Gresa ose Guri më përqafojnë fuqishëm, ai momenti kur nënës sime i pikon një lot nga gëzimi, kur Bardhi ma shtrëngon dorën fort, ai momenti i paharruar kur mjeku të thotë: Jeto qetë se rreziku kaloi!
Cila është frika juaj më e madhe?
Që ndoshta një ditë nuk do të mund të kënaqem me mbesat dhe nipërit e mi! Që nuk do të mund ta shkruaj Sintaksën time të shqipes! Që nuk do të mund ta ndihmoj njerëzimin aq sa dua unë!
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Prindërit e mi, që ma rrënjosën fort karakterin qëe kam! Në profesion: Geoffrey Pullum, gjuhëtar i shquar botëror!
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Nuk e kam një, i kam disa: Margaret Thatcher për forcën e saj, Marie Curie për shkencën e saj, Susan Anthony për luftën e saj për të drejtat e femrës në shoqëri dhe Barbara Streisand për ëmbëlsinë e zërit të saj.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
I bëj edhe punët, të cilat shpeshherë nuk më përkasin, me qëllim që të mos dështojmë si komunitet. Prioritetet dhe kërkesat e të tjerëve janë më të rëndësishme se të miat.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Interesi i ngushtë personal, që i detyron njerëzit të shohin vetëm deri te maja e hundës së tyre, jo më larg! Thashethemet, shpifjet, intrigat…..
Në cilat gjëra e teproni?
Në dashuri për njerëzit që i dua shumë dhe në punë!
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Të ashtuquajturat “rrena të bardha” të gjimnazistëve lejohen, apo jo?! Hahahaha…. Nuk e di, nuk kam menduar asnjëherë për këtë punë…
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Kam shëtitur shumë, vizitën time të fundit në New York, me familjen time, do ta mbaj mend gjatë… Lindja e Largët mbetet një rrugëtim i parealizuar deri më tani e që do të ma kishte ënda shumë …
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Unë përdori shumë shprehje të ashtuquajtura “Hedges”në gjuhën angleze (në shqipen nuk e kemi një term të vetëm për to por janë strategji për lehtësim të komunikimit, term që përdoret me të madhe në Pragmatikë). Për shkak të sensitivitetit gjatë komunikimit me njerëz, për shkak të administrimit dhe punës së përditshme me njerëz të karaktereve të ndryshme, për shkak të ruajtjes së qetësisë shpirtërore në komunikim stresues me njerëz në përgjithësi. Shprehjet e tyre e lehtësojnë dukshëm komunikimin mes njerëzve në situata të ndryshme të biznesit dhe të punës në përgjithësi, por edhe ta krijojnë një gjuhë të ngurtë formulaike në kokë, të cilën folësja/folësi e përcjell me besnikëri derisa nuk i mjeshtëron mirë dhe ndihet rehat me llojllojshmërinë e tyre gjatë përdorimit.
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Jam penduar që nuk e kam studiuar arkitekturën krahas gjuhësisë, që nuk jam marrë me tenis – sportin që e doja dhe me të cilin merresha sa herë që kisha mundësi, jam penduar që jo rrallë stresin e punës e kam bartur me vete edhe në shtëpi. Tani që u mbusha mend, këtë dukuri përpiqem ta evitoj!
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Familja ime, Sintaksa, Studentët e mi, Miqtë e mi të vërtetë.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Happy to be alive!E zhytur në mendime për t’iu përgjigjur pyetjeve,…..
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Sinqeriteti i tepruar (shpeshherë), ndjeshmëria ndaj njerëzve dhe keqardhja për ta, e teproj me to…
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Nënë e devotshme, mësuese dhe studiuese e suksesshme (së paku kështu më kanë thënë), mike zemërbardhë dhe besnike!
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Nuk i bie pishman për zgjedhjet që i kam bërë tashmë!
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Nuk besoj në rinkarnim e as në jetë të dytë, por do të kishte qenë mirë të kthehem prapë si Linditë!
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Fëmijët e mi, çmendem për ta! Dashurinë për tokën dhe për jetën! Dashurinë për njerëzit!
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Zemërvogëlsinë, intrigën, shpifjen, vetminë, injorancën për dijen, …
Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Muhabetin! Sensin e humorit, sytë dhe superioritetin në çdo gjë që e rrethon!
Çfarë vlerësoni tek një femër?
Nuk bëj dallim mashkull / femër kur flitet për tipare njerëzore!
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Philip Roth, për fjalitë e qarta dhe për stil shumë informues, detaje të shtjelluara me kujdes!
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Nëna ime dhe çdo grua tjetër që ka bërë të pamundurën në këtë shoqëri që të dëgjohet në mënyrë që bijat e tyre të dëgjohen më zhurmshëm sesa vetë ato në kohën e tyre. Kemi ende shumë për të bërë në këtë drejtim!
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Këndimin, më pëlqen shumë të këndoj, por nuk kam fare zë për këndim…
Si do të dëshironit të vdisnit?
Njerëzit e mëdhenj nuk vdesin kurrë, as që më shkon mendja të vdes, këtë fazë e kam kaluar para 6 vjetësh, kur rilinda përsëri. Familja e nënës sime në Gjilan më quanin Rilindje kur isha e vogël…
Cila është motoja juaj?
Life is too short, live it! dhe Support women worldwide!/Gazeta Observer