Pyetësori i Prustit: Lutfi Lepaja

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Lutfi Lepaja.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Me e shkaktue një pauzë kohe deri te lidhja e duarve më së paku gjysmë minuti. Me e qitë në dilemë të kontaktuarin a po ia jipni dorën a jo. Kjo gjë ia rrëzon egon përtokë dhe i mbin në ndërgjegje respekti për ty. Pra “lirohet” prej tepricave të vetvetes.

Cila është frika juaj më e madhe?
Me më ra të fik’të në publik. Kurrë nuk më ka ndodhur, por në tetik të mundësisë për të më ndodhur kam qenë me mijëra here. Tash që na e lansuan tabjatin e bartjes së ujit me vete për pije, ndihem më i sigurt, sepse gatishmëria për hedhje stërpikash në fytyrë është shprehi inkoshiente dhe askush nuk kursehet.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Agron Gurgurin.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Atë Zef Pëllumbi.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Ngushtimi i tepërt, që ka qenë dhe vazhdon të ketë përmasa alarmante.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Tahmaçarllaku.

Në cilat gjëra e teproni?
Që insistoj me jetue edhe në guri të thatë me djersë e me zanat.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Guximi ekstrem në mungesë të rivalit.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Prej Lepaje deri në Stari Tërg dhe anasjelltas. Në Bajgorë, në trupin e një ahu, edhe sot e kësaj dite është i ngulur patenti (rajsnegle, sipas Danilo Kishit), që e tregon kahen me shigjetën e gravuar nga trupi i tij, se në cilën kahe kam marrë drejtim herën e fundit. Dikush mund të thotë, po me siguri të kthimit, por mund të mashtrohet, sepse ndoshta kthimin e kam bërë me tren. Domethënë as vetë nuk e di.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Po-në “legjendare” që memzi ndihet dhe me mënyrën se si e shqiptoj i jap shkas çdo bashkëbiseduesi të më shpotisë. Me shkrim nuk mund të përshkruhet. I bie gjithmonë dhe për gjithçka si një gjysëm pohim.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Që nuk e kam përfillur kërkesën e nënës dhe dëshirën e saj për t’u martuar në moshën 14-15 vjeçare me një çikë nga mahalla e Tërmkollëve, në Bradash, tash ia kam harruar emrin.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
E para, që e ka dhënë verdiktin “ajo” dhe e fundit që nuk do të kem rast ta shoh, por bile më e fortë “kjo” e dyta, si apotheozë.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Nuk i jap lak asnjë gjëje, tamam sikur personi që e shtyn veturën për ta ndezur dhe ky është veprim që nuk mundëson me ba hile. Me kanë send, të gjithë njerëzit i kisha shti në këtë provim ku përjashtohet mundësia e taktizimit. Populli, të cilit i dhezë kerri në çelës, ushtrohet me rrejtë dhe nuk ka perspektive të ndritshme mbijetese.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
E kisha zvogëlue llafin e sinqertë, me të cilin seriozisht e rrezikoj “shëndetin” ideologjik të bashkëbiseduesve.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Shkrimin e veprës letrare me titull përmbledhës “Komedia (bash)kohore”.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Klimën (sidomos krijuese artistike dhe të komunikimit online).

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
K’nues, të cilit ia theu pronari këmbën dhe ai doli me humbë. Të gjithë ata që e pyesnin për ku shkonte dhe u tregonte se kishte dalë me humbë, e lusnin t’i merrte me vete dhe me gjymertllak u thoshte hajde e kur të lodhesh pa hezitim hyr në bythë timen. Kur i zbrazi në Kurrkund, u tha kthehuni se jeni të pushueshëm ndërsa unë për vete arrita atje ku e kam pasur të shkruar si fat.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Sëmundja psikosomatike, e cila proporcionalisht shpërndahet nëpër pjesët e trupit në bazë të moshës dhe “hjekave”.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Keqpërdorimin e autoritetit të tjetërkujt kur nuk është i pranishëm e me u mbajtë si mik i tij.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Në Dubrovnik.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Sensin ose gatishmërinë për polemikë, pa i lanë vetes hapësirë për spekulim derisa t’i kujtohet sesi e ka lexuar te tjetërkush dhe e jep verdiktin si të ishte reagim origjinal i veti.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Me qenë e ngushtueshme dhe me e manifestue atë ngushtim edhe me skuqje në fytyrë, përndryshe quhet “maja e mjaltit” dhe është e rezervuar vetëm për një person, që me një emër tjetër quhet bashkëshort.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Luj-Ferdinand Selin.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Ragip Hoti, Ibush Rizahu, Zejnun Sadria.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Atë, të cilit s’do të arrij t’i dal në skaj.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Ashtu siç edhe do të ndodhë: në gjumë!

Cila është motoja juaj?
Pasha këta që e hangra dhe këta që po e marr me vete! Ky shegarim nuk ka me lejue me i dalë fala shkuarjes mysafir dhe vetëm shegarimi në konak mund ta shpëtojë njerëzimin prej tërbimit./Gazeta Observer