Pyetësori i Prustit: Mrika Krasniqi

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet skenaristja dhe regjisorja Mrika Krasniqi.

Cila është ideja juaj për lumturinë e përkryer?
Nuk besoj në lumturi të përkryer. Nëse diçka mund të jetë e përkryer për mua, mund të mos jetë e përkryer për ty, për atë tjetrin e tjetrin e tjetrin. E si mund të ndjejë njeriu  lumturi të përkryer, kur gjithë ky varg njerëzish janë të palumtur me lumturinë tuaj.

Cila është frika juaj më e madhe?
Nuk frikohem nga askush dhe asgjë e dukshme. I kam prekur pothuajse të gjitha limitet; kam përjetuar luftën e Kosovës, masakrat-kam mbijetuar, kam përjetuar dhimbje të trishtueshme duke humbur njerëz  shumë të dashur, kam mbijetuar, kam kaluar ilegalisht me gomone Detin Adriatik  si refugjate e luftës, gati e kemi humbur jetën në det, por Guarda Di Financa (policia detare italiane) na ka shpëtuar. Dhe…, gjërave të tjera po kaq të dhimbshme, iu kam mbijetuar. Nuk e di përse duhet të kem më frikë.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Babanë dhe nënën time.

Cili është personaliteti historik me të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?Admiroj shumë personalitetet me vlera historike, por mundohem të jem vetvetja.

Cili është tipari juaj që nuk e pëlqeni?
Besoj shumë.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni te të tjerët?
Demagogët, nuk i duroj dot. Ata gjithmonë e thonë fjalën e duhur në momentin e duhur, veprimin e duhur në momentin e duhur. Thjesht inteligjenca e tyre është shumë artificiale dhe matematikisht me barazime strikte. Do të pranoja më shumë kënaqësi një breshëri fjalësh që rrjedhin natyrshëm nga një zënkë a mosmarrëveshje , sesa ato vargjet “e bukura” demagogjike.

Në cilat gjëra e teproni?
Marr përgjegjësi më shumë se sa është e nevojshme. U jap rast njerëzve më shumë se sa e meritojnë. Heshti dhe i mbaj për vete gjërat që më lëndojnë.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Zori.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Isha në Kolumbi para tri viteve  dhe bëmë ca xhirime në pyjet e Amazoneve. Aty vizituam fiset indogjene në Santa Martas,  diku tek “Ciudad Perdida” (Qyteti i humbur). Mund të them është rrugëtimi më i bukur që kam përjetuar ndonjëherë.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
“NEXT”

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?Pendohem për gjërat që nuk i kam bërë. Për gjërat që i kam bërë  nuk dua të pendohem dhe të kthej dhimbjen prapa. Mundohem të pranoj atë realitet sado i hidhur të ketë qenë, thjesht, “ashtu ka qene e shkruar”.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Është dashuria ime hyjnore e papërshkueshme, e papërshkrueshme dhe më qenësore e dikujt, që posa i dëgjova tik-takun e zemrës së vogël mbi gjoksin tim, më bëri rob të dashurisë përjetësisht.

Cila është gjendja juaj momentale mendore?
Kam bërë paqe me të kaluarën. Kam falë gabime të pafalshme të personave që dikur kishin rëndësi të veçantë për jetën time.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Te kem limite për disa gjëra.

Çfarë konsideroni arritjen tuaj më të madhe?
Vetëdiciplina! Kam trajnuar veten që të mos kem frikë nga gjërat që mund t’i humb. Më parë kisha frikë se do ta humb një projekt, se do t’i humb syzet e shtrenjta në plazh, se do t’më ikë avioni, se do t’i thyej gotat e shtrenjta në kopsht, se do ta humb dikë që e doja, se do të harroja ditëlindjet a përvjetorët…, e gjëra të tjera koti. E imagjinoni sa ju ngarkojnë këto gjëra…Tani, me një frymëmarrje të thellë, qetësoj vetën. Gjërat që ndodhin nuk mund t’i ndryshosh, prandaj gjithmonë kërkoj zgjidhje, pas çdo avioni që ikën, pas çdo gote që thyhet…

Nëse do të mund ta kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Nuk dua të bëjë skenare mbi jetën time se si duhet te ishte . Secili ka kohen e mjaftueshme për të bërë atë për çfarë është destinuar.  Fundja, nuk jam destinuar të jem gomë për të fshirë gabimet. Unë kam bërë gabime ngase kam guxuar. Mbase jo të gjithë njerëzit guxojnë të gabojnë, sepse dëshirojnë përfektshmërinë. Nëse do t’i ndryshoja gjërat e kaluara, do t’í bëja perfekte, por unë nuk dua të jem perfekte dhe nuk dua të kthehem prapa.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të ishit?
Burim i pashtershëm me ujë të pastër!  Shumë njerëz në botë sot vuajnë për ujë të pijshëm, prandaj do të më pëlqente po të mund ta zgjidhja këtë problem për njerëzimin.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Ndërgjegjja.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Kur njeriu pushon së dashuruari.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Jam adaptuar të jetoj gjithkund. Nuk dëshiroj të bëhem rob i një vendi. Dëshiroj të jetoj në vende të ndryshme të planetit dhe të exploroj laryshine e kulturave, popujve, vendeve, religjioneve etj. Sepse, për mua e ndryshmja është magjike, e ngjashmja është monotone.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Dashuroj pa limit.

Çfarë vlerësoni te një mashkull?
Natyrshmërinë  mashkullore.

Çfarë vlerësoni te një femër?
Natyrshmërinë  femërore.

Cili është shkrimtari juaj i preferuar?
Paolo Coelho, Jeffrey Eugenides, Umberto Eco, Gabriel Garcia Marquez, Orhan Pamuk, Ismail Kadare, Ernest Hemingway, Herta Myller etj.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Ata që më besuan dhe më shtrënguan dorën në momentet e vështira. Ata me të cilët qamë e qeshëm bashkë. Ata që vazhdojnë të besojnë në atë që besoj edhe unë: se botën e ndërtuan idealistët dhe heronjtë e vërtetë.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Eh…Me pëlqen shumë që të luaj tenis, por kundërshtarët e mi gjithmonë qëllojnë të kenë talent më shumë se unë.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Unë nuk do të vdes!

Cila është motoja juaj?
Gjithçka kalon. Vetëm dashuria është e përjetshme!/Gazeta Observer