Gjoka: Tani ka antiheronj, por më pëlqejnë heronjtë e padukshëm…

 Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari dhe studiuesi Behar Gjoka.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer? 
-Lumturia është ëndërr dhe mashtrim. Është ëndërr në kuptimin e kërkimit gjithë jetën dhe, shumë vonë, njeriu e kupton që lumturia është një mashtrim, i bukur ama. Lumturia është një çast, një gjendje pezullie, është sikur të notosh në dritë, por vetëm disa sekonda…

Cila është frika juaj më e madhe?
-Frikë nga humbja e njerëzve të dashur.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
-Bill Klinton, sepse dha urdhër për ndërhyrjen e NATO-s, në Kosovë duke u shndërruar në ëngjëll mbrojtës i shqiptarëve.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
-Pal Ëngjëlli, si pagëzues i shqipes, sepse gjuha shqipe ka nevojë të bekohet secilën ditë të motit.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
-Këmbëngulja për ta thënë mendimin, pavarësisht pasojave që shkakton…

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
-Hipokrozia e shëmton shumë njeriun.

Në cilat gjëra e teproni?
-Me qëndrimin para kompjuterit, ka kohë që nuk merrem me sport.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
-Për të shpëtuar jetën e një fëmije nga rreziku…

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
-Vendlindja, për bukuritë dhe gjurmët historike që bart mbi supe, e në gjithë këto vite jam kthyer me mijëra here aty…

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
-Domethënë dhe me një fjalë…

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
-Kur jam keqkuptuar nga njerëzit që dua më shumë…

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
-Fjalë e madhe…letërsia dhe familja a mbase e thënë ndryshe, familja dhe letërsia…

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
-Përqark ka shumë stres, shumë rrëmujë, por merrem me librat dhe ikën koha, por sapo dalë në rrugët e Tiranës, të bëjnë shoqëri pluhri dhe zhurma.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
-Pushim aktiv, të merresha me sport.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
-Përpiqem ta dëgjoj tjetrin dhe pastaj them atë që mendoj… Çdo natë them, kaq ishte…në mëngjes kridhem në botën e librave…

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
-Të jetoja secilën ditë si të fundit… koha rrjedh pambarim…

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
-Dallandyshe, që të fluturoja për gjikund kësaj rrokullie…

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
-Këmbëngulja për ta realizuar idenë që më frymëzon.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
-Të shtiresh ndryshe nga çfarë je në jetën e përditshme, të bësh si trim, kur je servil, apo si dijetar, kur nuk ke lexuar libra.

Ku do të dëshironit të jetonit?
-Në Arbëri.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
-Burrërinë dhe mençurinë.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
-Bukurinë e shpirtit, zgjuarësinë femërore.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
-Servantes, për romanin Don Kishoti

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
-Tani ka antiheronj, por më pëlqejnë heronjtë e padukshëm, njerëzit që heshtin për punët që realizojnë.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
-Të pikturoja, magjia e ngjyrave është univers unik.

Si do të dëshironit të vdisnit?
-Kur të vdes të më varrosin ca të huaj! Të njohurit mjaft më groposën për së gjalli…(popullore).

Cila është motoja juaj?
-Një veprim i drejtë vlen më shumë se qindra fjalë…/ ObserverKult