Dje pas një sëmundje të rëndë u nda nga jeta shkrimtari dhe gazetari Ragip Sylaj. Në shenjë nderimi e kujtimi për te, po i ripublikojmë përgjigjet e tij në Pyetësorin e Prustit për Gazetën Observer, të cilave Sylaj iu përgjigj në mesin e janarit të këtij viti.
Cila është ideja juaj për lumturinë e përkryer?
Ideja ime për lumturinë e përkryer ma kujton një dijetar të vjetër japonez që fliste për përmbushjen e tri gjërave kryesore në jetë e për të cilat vuajnë shumica e njerëzve. Ai thoshte se njeriu në jetë duhet t’i ketë tri gjëra themelore: ushqimin, veshmbathjen dhe një kulm mbi kokë. Lumturi të përkryer do ta konsideroja atë gjendje të shoqërive e vendeve të standardit të lartë jetësor si, Suedia, Norvegjia etj. I plotësuar do të ndihesha kur edhe të tjerët rreth meje t’i shihja të lumtur, e jo duke dëgjuar nga banesa se si dikush shkapurit nëpër bërllok në kontejnerë për të gjetur diçka që i duhet për jetë. Lumturi të përkryer do ta quaja edhe atë që do ta arrinin brezat që vijnë e që ne nuk arritëm ta preknim. Kjo na obligon të bëjmë shumë, ashtu siç bën bota e civilizuar. Këtë mund ta arrijmë kur ta shërojmë grykësinë dhe kur ta mposhtim egoizmin. Dhe, duke e mençuruar çdo faktor që është në funksion të idesë për lumturinë e përkryer.
Cila është frika juaj më e madhe?
Frika ime më e madhe është varfëria e dekadenca që e sjell injorancën, e prej së cilës pjellin të gjitha të këqijat. Disa prej tyre prej kohësh i shijojmë e i përjetojmë.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Disa persona që sot nuk jetojnë janë më të gjallë se disa që ende jetojnë. Disa persona që jetojnë janë më të vdekur se disa që flenë nën dhé. E admiroj atë person që ka fuqinë dhe vullnetin për të shpëtuar jetë njerëzore të kërcënuar prej përbindëshave (cilët do qofshin ata). Shpëtimtarë të tillë ka pasur gjithmonë dhe gjithmonë do të ketë, duke besuar se gjithçka evoluon, pra shkon përpara. Të tillët nuk janë pak: edhe ata që i njohim, edhe ata që nuk i njohim. Ata duhet të jenë modeli i jetës sonë.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Do të dëshiroja të identifikohesha me ata persona që i kanë sjellë të mira të shumta njerëzimit: lirinë, ndriçimin, zhvillimin e përparimin e mirëqenien. Noli ynë në ngushtica jetësore, thonë se shfrytëzonte modelet e Krishtit, të Napoleonit e të Skënderbeut.
Meqë deri tash këta persona i kam të shumtë që nga Sokrati e deri te Hasan Prishtina, më duhet ende kohë nëse do ta gjej vetëm një person historik që të identifikohem me të.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Butësia e tepërt, të cilën, fatkeqësisht, në këtë botën tonë njerëzit ta marrin për dobësi dhe dinë e mund të ta keqpërdorin derisa të të hedhin në greminën e dëshpërimit, nga e cila ndoshta mund të dalësh me shkallët e imagjinatës krijuese. Uroj që vrasësit e tillë, që janë mallkimi ynë, të pakësohen sa më tepër!
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Injoranca e arroganca, dinakëria e dyfytyrësia: me një fjalë, poshtërsia.
Në cilat gjëra e teproni?
Dikur e teproja ndoshta në pije, ndërsa tash e teproj në mos pije. Dikur e teproja edhe në lexim, edhe përkundër konditave jetësore e shëndetësore, ndërsa tash e teproj në mos leximin e dëshirueshëm. Një gjë duhet ta dimë se në çdo gjë ka e duhet të ketë masë. Nuk thoshte kot Herakliti i antikitetit: Bota është një zjarr që me masë ndizet e me masë fiket.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Unë gënjej përditë, sepse shkruaj letërsi (imagjinatave). Më duket që e ka thënë shkrimtari slloven, Ivan Cankari: gënjeshtra më e bukur është arti.
Ndërkaq, për të gënjyer (banalisht) do të më shtynte gjithçka, me të cilën do t’iu bëja mirë të tjerëve.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Që nga korriku i vitit që shkoi, rrugëtimi im i preferuar është shëtitja në natyrë. Ne jemi krijim i natyrës dhe i dashurisë. Andaj, ikja nga natyra është ikje nga jeta.
Shkrimtarja dhe dijetarja amerikane Susan Sontag (1933 – 2004) në librin e saj “Sëmundja si metaforë”, thotë se sëmundjet si, tuberkulozi, kanceri e sida (AIDS) janë si pasojë e ikjes nga natyrorja. Prandaj, s’na mbetet tjetër pos ta duam e ta mbrojmë natyrën e të miqësohemi me të, të mishërohemi me të e me Dashurinë.
Por, një rrugëtim tjetër imi është edhe ngarendja drejt dijes, drejt të bukurës e drejt dashurisë.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Edhe n’u bëftë mirë, n’ashtë. Ose një variant tjetër të saj: Edhe n’u bëftë mirë, s’jam kah mërzitem. Këtë fjali e shqiptoj shpesh. Këtë farë thënie më kujtohet se e pata formuluar në vetvete duke dashur të dal nga honet e defetizmit e nga moçali i dëshpërimit. Kjo thënie me pak shenja optimizmi e spirituoziteti më mundëson që disa herë t’u bëj dredhi disa vështirësive që di të na i sjellë jeta.
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Ndoshta një nga ato gjëra që më ka bërë për t’u penduar është që nuk studiova letërsi në universitet… dhe për çdo lëndim që padashur kam mundur t’i shkaktoj ndokujt.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Dashuria ime më e madhe e jetës janë ata që më krijuan (që më sollën në jetë) dhe ata që do të më mundësojnë të më rikrijojnë. Por, janë edhe të gjithë ata familjarë të mi, miq, kolegë të shumtë të diplomacisë, të studimeve e të fushës së arteve që nuk më lanë i vetëm ta bart kryqin e vuajtjeve që di t’i dhurojë jeta ose mosrespektimi i ligjësorive të saj. Me këtë rast të gjithëve iu shpreh falënderimet e mia të pafundme!
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Nëse unë jam në një situatë të lakmueshme ta “shoh” e ta vlerësoj gjendjen time mendore, do të thosha se është e shkëlqyeshme, madje e përkryer. Por, nuk e di çka do të thoshte po të më takonte ndonjë psikiatër, psikoterapeut apo ndonjë psikolog? Hahahaha!
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Do të doja të kem një organizëm plotësisht të shëndoshë e që nuk nerth.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Të arriturën më të madhe do ta konsideroja atë që nuk e kam arritur hala. Por, të arritur të vogël nuk e konsideroj nëse dikujt kam arritur t’ia pakësoj vuajtjet, nëse dikë kam arritur ta ngushëlloj e ta gëzoj. Të arritur jo të vogël do ta konsideroja, gjithashtu, nëse ndonjë zog apo ndonjë frymor tjetër është ushqyer nga frutat e djersës sime. Në fund të fundit duhet të jemi të vetëdijshëm se çka mbjellim – korrim.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Eh, ta ndryshosh të pandryshuarën. Kjo është punë zotërosh, do të thoshte dikush. Vetë ideja për një gjë të tillë është diçka e mrekullueshme. Eh, sikur të mund ta ktheja kohën do të përpiqesha të sillja shumë më shumë paqe, harmoni e dashuri ndërmjet popujve të Ballkanit (harrova të them edhe ndërmjet shqiptarëve) e pastaj edhe te të tjerët. Do t’i ndryshoja të gjitha konditat që na lanë në mjerim, në injorancë, në përçarje e në urrejtje. Do t’i ktheja ato kondita që popujt a kombet e shtetet të jetonin në bollëk, në harmoni, në dashuri e në dritën e dijes e të mirësive të tjera. Besoj se në krejt këtë idealizëm ka edhe realizëm dhe se këto nuk janë të pamundura për t’u arritur. Dhe, është mëkat i madh që t’ua humbasësh mundin (ose: t’ua çosh dëm) gjithë atyre heronjve të mëdhenj që mundohen përherë për këtë çështje të vlerave nacionale e universale.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Nëse do të mund të kthehesha pas vdekjes do të dëshiroja të isha ajo krijesë apo ai njeri që do të mundë t’i shpëtonte njerëzit dhe krijesat e tjera të natyrës nga më e keqja dhe do t’u jepte sa më shumë lumturi nga vetja. Ndërkaq, nëse do të kthehesha si një send, do të doja të isha ai send, nga i cili çdo krijesë e natyrës do të përfitonte vetëm të mira, të mira që do t’ua lehtësonte frymimin dhe që ato do t’i bënte më të lumtura.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Mendoj se gjëja më shtrenjtë që e posedoj është virtyti, si sintezë e dashurisë (pa hile – ç’budallallëk! – do të mundë të thotë dikush) e diturisë dhe, rrjedhimisht, e karakterit.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Errësirën e paditurisë, prej së cilës burojnë të gjitha të këqijat, të gjitha fatkeqësitë.
Ku do të dëshironit të jetonit?
Do të dëshiroja të jetoja atje ku njeriu gjallon në mirëqenie, ku ka kushte ideale për punë krijuese e ku nuk tutet për të ardhmen e fëmijëve të vet.
Mendoj se është koha e fundit që diçka të tillë të mendojmë edhe për atdheun tonë, t’i shkrijmë (pa hile) të gjitha energjitë për ta arritur një qëllim të tillë. Të tregojmë e të dëshmojmë se nuk jemi psikopatë, egoistë e të pangopshëm për shumëçka, por krijesa normale e të dobishme për veten dhe për të tjerët. Ka ardhur koha të kallëzohemi më të mirë e më të vlefshëm se që ishim deri më sot. Ka ardhur koha të dëshmojmë se ne do të shkojmë përtej vetvetes për të mirën tonë që do të rrezatonte mirësi edhe për të tjerët.
Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Aftësia për të bërë letërsi (pavarësisht sa e si vlerësohet nga të tjerët). Vlerat e saj janë të shumta, qoftë pse jetën e mbush me kuptim, qoftë për rolin e saj përndritës, por edhe parashikues. Nëpërmjet saj (letërsisë) ne e njohim dhe e duam vetveten, të kaluarën (disa herë më mirë se nëpërmjet historisë, sepse letërsinë e shkruan humbësi, e jo fituesi), por edhe të ardhmen tonë.
Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Tek një mashkull vlerësoj anën mashkullore ose burrërore, që nënkupton edhe konsistencë e mbajtjen e fjalës, seriozitetin, paluhatshmërinë në vlerat që e shquajnë njeriun.
Çfarë vlerësoni tek një femër?
Tek një femër vlerësoj anën femërore dhe subtile e skofiare të saj dhe të gjitha cilësitë e tjera që e bëjnë një femër të përsosur, qoftë si grua, si nënë, si shoqe e jetës dhe, në përgjithësi, si pjesëtare të shoqërisë njerëzore.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Fatbardhësisht janë të shumtë (së paku) që nga Homeri, Shekspiri, Servantesi, Dostojevski, Kafka e deri te mjeshtrit e mëdhenj të sotëm të letrave që depërtojnë në skutat më të errëta të shpirtit njerëzor dhe, madje, edhe më përtej.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Heronjtë e mi në jetën e vërtetë janë ata që shpëtojnë jetë njerëzore. Por, edhe të gjithë ata që e harrojnë veten për të mirën e të tjerëve.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
T’i ringjallja të vdekurit (seriozisht e kam). Por nëse ky nuk është talent, do të doja të kisha talent, nëse kjo aftësi do të quhej talent, ta drejtoja veturën.
Që të jem i çiltër do të doja të kisha talent edhe për pikturë e për muzikë (se në këto të tjerat e kam kënaqur demek, hahahaha!). Këto zotësi do të më mundësonin sado kudo të bëhesha një artist e njeri sa më i përsosur. Lypa pak si shumë, mos shihni kusur!
Si do të dëshironit të vdisnit?
Sa më i qetë e sa më me dinjitet. Në një mënyrë që vdekja ime të mos i tronditë e as të mos i trishtojë aq tepër ata që më duan e veçmas ata që do të më gjenden afër.
Cila është motoja juaj?
Motoja ime është kërkimi, respektivisht njohja e të fshehtave në vetvete, në botë e në gjithësi (pse jo, edhe në multiverse?) si parametra që krijimin e të bukurës do të më mundësonin ta bëja sa më të përkryer e rrjedhimisht edhe sa më tërheqëse për ata që e receptojnë atë./Gazeta Observer