Qesha, ma taní po mejtohem dhe them: Pse të dua?

Midhat Frashëri

Midhat Frashëri lindi më 25 mars 1880 në Janinë. Veprimtar politik, shkrimtar, publicist, përkthyes, i njohur me pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka

Përveç si veprimtar ai njihet edhe si shkrimtar i shquar.

Nisi të merrej me krijimtari letrare që prej vitit 1897 dhe filloi të botonte Kalendarin kombiar, të cilin e botoi pa ndërprerje deri në vitin 1928.

Më 1901 ka shkruar jetëshkrimin për Naim Frashërin, përmbledhjen “Hi dhe shpuzë”, studimin mbi shqiptarët dhe të ardhmen e tyre të pagëzuar si “Pritmi i Shqipërisë”, ese sociopolitike dhe etnike “Plagët tona” (1924) etj.

Midhat Frashëri ka botuar edhe disa vepra në frëngjisht: “L’affaire de l’Epire (1915), “La population de l’Epire” (1915), “Les Albanais chez eux et à l’étranger” (1919), “Albanais et Slaves” (1919).

Në vazhdim mund ta lexoni një prozë të shkurtër të tij:

Nga: Midhat Frashëri

Më pyete pse të dua, dhe unë qesha.
Qesha, ma taní po mejtohem dhe them: Pse të dua?

Të dua për atë të qeshur të bukurë kur çkëlqen syr’ i kthielltë nën ballë të qëruar: të dua për ató leshra ku është pshjellë gjith’ thellësi e natësë, dhe për atë vështrim ku këndohet gjithë gaz’ i ditës, për atë vështrim q’është si një yll i lumturisë: të dua, se kur flet, ay zë më zgjon në zëmrët  t’ime gjithë zëret e pshehtë të shpirtit: të dua se pranë teje e ndjej veten t’ime të math dhe të fortë, sa në dashurit tënde shoh zbardhëllimin e jetës.

Po të dua se, tekdo, në gëzim të fatbardhësisë, a në t’errët të helmit se në qeshje të mëngjezit, në tym të të mukëtit, se në gjyrë të lules a në përkëdhelje të veriut, tekdo, o e dashura ime, ty të gjej dhe ty të shoh: të dua se dhe kur zbres në thellësí të shpirtit dhe në funt të zëmrësë, edhe atje thellë ty të gjej!

mid'hat frashëri:

Midhati e njohu shumë pak të atin e tij, Abdylin, ngaqë i vdiq i ri, duke mbetur në kujdestarinë e xhaxhallarëve, Sami dhe Naim Frashëri. Duke qëndruar pranë tyre, kreu edukimin e plotë akademik në Stamboll.

Midhat Frashëri më 1908 mori pjesë dhe u zgjodh kryetar i Kongresit të Manastirit dhe nënkryetar i Komisionit të Alfabetit.

Më 1909, 2-8.09, mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit. Mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912 si delegat i Përmetit, Elbasanit dhe Pejës dhe nënshkroi Aktin e Shpalljes së Pavarësisë.

Në qeverinë e Ismail Qemalit u emërua Ministër i Punëve Botore. Në kabinetet e Turhan Pashë Përmetit, në vitet 28.05.1914 – 03.09.1914, ishte Ministër i Punëve Botore dhe Post-Telegrafës. Ndërsa në vitet 25.12.191829.01.1920, ishte Ministër pa Portofol. Ishte anëtar delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, në vitet 1919-1920.

Më 1920 përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, në vitet 1923-1925 ishte ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi. Në vitet 1926 – 1939 hapi në Tiranë librarinë “Lumo Skendo”.

Në vitet e pushtimit fa shist “themeloi e drejtoi organizatën e “Ballit Kombëtar”, – thuhet në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, Vëll.1, 2008.

Në përfundim të luftës u vendos në Itali e më vonë në Londër, ku krijoi Komitetin “Shqipëria e Lirë”. U nda nga jeta më 03.10.1949, në hotelin “Winthrop” të Nju Jorkut dhe u varros në varrezat “Fernchff” të SHBA. Është dekoruar me Urdhërin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

E përgatiti: A. S.- ObserverKult

——————-

LEXO EDHE:

MIDHAT FRASHËRI: FOLMË, DUA TË DËGJOJ ZË NJERIU…