Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafire shkrimtaren, Adriatike Lami.
Ja cilat janë tri librat që Lami u sugjeron të pasionuarve pas leximit.
Nga: Adriatike Lami
Gjithmonë kur më është kërkuar të rekomandoj libra për të lexuar, kam hasur në vështirësi për ta bërë këtë, pasi është i vështirë kriteri që do të vendoset për ta realizuar këtë.
Nisur nga angazhimet e përditshme do dëshiroja që të rekomandoja letërsi për fëmijë apo për të rinj, nisur nga dëshira për një fokusim më të madh në letërsinë shqipe do dëshiroja që rekomandimet të shkonin aty.
Nisur nga ndikimet që kanë letërsi të ndryshme nga fakti se sa të mëdha janë ato, do doja që të rekomandoja nga letërsitë e mëdha, nisur nga ndikimi që librat kanë pasur tek unë, do zgjidhja tre të tjerë, por nisur nga kënaqësia e pashlyeshme që më kanë dhënë disa, do zgjidhja të tjerë. Dhe si lexime vere disa të tjerë.
Gjithsesi tre janë pak, asnjëherë kujtesa nuk është njësoj. Kështu unë po rekomandoj tre libra dhe tre autorë të cilët në cilindo rast që t’i rikthehesha, do të më emocioninin dhe do të më falnin kënaqësi, ndonëse të ndryshme nga koha e parë e leximit. Pasi në këtë rast thjesht ndryshon këndvështrimi, por jo shijimi estetik.
“Fije bari” nga Walt Whitman
Unë kurdoherë do të vë në vend të parë poezinë. Kur kam lexuar për herë të parë “Fije bari” nga Walt Whitman, m’u desh këtë libër ta mbaj gjatë në kokën e krevatit, aty ku mbaj libra që i lexoj ngadalë dhe të cilëve ju rikthehem gjatë.
Vargu i gjatë me një shtrirje si shtrat lumi, më jepte ndjesinë edhe të një proze poetike, diçka midis meditacionit dhe ndjesisë. Ka një ringjallje të çdo ndjenje të dominuar nga dashuria në një kuptim aq të gjerë të fjalës.
Të mendoni që vetë Amerika u nda në dy pjesë për ta mbështetur dhe refuzuar këtë libër. Por “Fije bari” ka dimensionet e një shpirti njerëzor të jashtëzakonshëm. Si është një qenie njerëzore e mëson vërtet aty.
Ai libër të mëson dashurinë për jetën, veten, ëndrrat dhe kënaqësitë njerëzore. Plot figuracion dhe plot larmi, ti je thjesht një “personazh” i kësaj poezie që shkon pa kuptuar në kufijtë e një zhanri si poema.
Nuk di pse dikur referohej si rrezik për lexuesin, pasi unë kur e kam lexuar për herë të parë, kam provuar ndjesine e një bote kaq të bukur, të cilën do të doja ta prekja të gjithën.
“I huaji” nga Albert Kamy
Kur kam lexuar për herë të parë “I huaji” nga Albert Kamy, kam menduar se çfarë mund të të bëjë një shoqëri e tërë a një mentalitet i tërë. Koncepti i lirisë të shpaloset para syve me gjithë delikatesën që e karakterizon, sa e madhe është liria, sa pranë saj është mungesa e lirisë.
Kjo lloj proze zbret deri në ndërgjegjen tënde, duke të mësuar rëndësinë e dashurisë dhe jetës, për të mos pritur ta kuptosh atë kur nuk i ke. Drita dhe errësira janë të dyja te njeriu. Po kështu edhe fataliteti. Konceptin e fatalitetit e kam ndeshur për herë të parë te Eskili dhe për një kohë të gjatë më ka mbetur në mendje mekanizmi i tij lëvizës. Po kështu edhe e drejta. Po kështu edhe dashuria.
Njeriu ecën vazhdimisht në dritë dhe pranë errësirës. Ai duhet të zgjedhë me kujdes.
“Princi i vogël” nga Antoine De Sant Exupery
“Princi i vogël” nga Antoine De Sant Exupery, është një libër fantastik. Një personazh i veçantë, një që do të doje të ishe ti, për karakterin zbulues, format e ndryshme të njohjes së botës dhe të karakterit njerëzor, por mbi të gjitha njohjen e të metave njerëzore. Humori dhe frazat e zgjedhura të japin kënaqësi të paparë. Po kështu edhe habitatet gjeografike të zgjedhura nga autori.
A kemi forcë ne për të ndryshuar një realitet të caktuar? Princi thotë po, sepse njeriu është një qënie që edukohet dhe mësohet gajtë gjithë jetës.
ObserverKult
Lexo edhe: