Rekomandime leximi nga Elvi Sidheri

Në rubrikën Rekomandime leximi, mysafir i ObserverKult është shkrimtari Elvi SidheriJa cilat janë librat që Sidheri u sugjeron të pasionuarve pas leximit.

———————————

T’u këshillosh lexuesve të sotëm libra për të lexuar, është doemos një ushtrim i theksuar intelektual, meqenëse jetojmë në një kohë thelbësisht elektronike, ku (thuajse) gjithçka parapëlqehet të “konsumohet” edhe letrarisht, në mënyrë të tillë, domethënë teknologjike.

Si rrjedhojë, edhe thjesht akti i leximit të një libri të botuar në formë fizike, prej letre e kopertine të prekshme me gishtat e lexuesit, gjatë shfletimit të tij, teksa flegrat miklohen nga aroma e shkronjave dhe mendja nis të përfytyrojë krahas bëmave të shtjelluara përmes ngjarjeve dhe personazheve të një romani a poezish të përmbledhura aty, përbën një gjest kryengritës në këtë bashkëkohësi kaq të djerrë në aspektin leximtar e letrar njëherësh.

Nga Elvi Sidheri

Do të rrekem gjithsesi të parashtroj tre libra që ngaherë i kam cilësuar si më të dashurit dhe nxitësit për shijen time vetjake letrare, për hir të lexuesit të ObserverKult.

Çifutja e Toledos”, nga Lion Fojhtvanger (Lion Feuchtwanger)

Është fjala pa asnjë mëdyshje për librin tim më të dashur, gjer në ditët e sotme. Do të mjaftonte edhe kaq, për ta përligjur praninë e kësaj kryevepre të letërsisë evropiane e botërore, në këtë listë timen të ngushtë të librave të këshilluar nga unë për lexuesit.

Sidoqoftë, patjetër që ka edhe një mori arsyesh të tjera përse ky libër është kaq i këshillueshëm nga unë, mbase edhe i domosdoshëm për t’u lexuar sot e mot nga gjithkush që synon të ketë një shije të epërme e të spikatur në letërsi.

Përkundër faktit që vijoj t’i qëndroj besnik me bindje të patundur, botimit të dikurshëm të këtij romani historik, kaq prekës e të shkruar mrekullisht nga pena e shkrimtarit të shquar hebre me rrënjë gjermane, Lion Fojhtvanger, ku në titull thuhet “Çifutja” e jo, për habi “Çifutka” e Toledos, si në ribotimin e mëvonshëm në kushtet e demokracisë, të botuar në fillimin e viteve ’60-të nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, ky roman për mua përbën kupën qiellore të përkryerjes artistike, letrare, stilistike e përmbajtësore në çdo këndvështrim.

Një rrëfim mbivendosje qytetërimesh, fatesh njerëzore individuale, popullore, fetare e mendësore, me në qendër të ngjarjeve të shtjelluara mahnitshëm nga autori, Rahelën e hijshme dhe babain e saj, Jehuda ibn Ezran, krahas mbretit të Kastiljas në fazat e ethshme luftarake të Rekonkuistës së gadishullit Iberik, akoma të pllakosur nën sundimin arab, Alfonsin e Toledos.

Duke ditur që vetë Fojhtvanger do t’i vuante në lëkurë pasojat e do të rrezikohej personalisht nga Holokausti shfarosës ndaj hebrenjve, ky libër bëhet edhe më domethënës sigurisht.

E çfarë veçanërisht ma bën kaq të paçmueshëm këtë roman, është përkthimi hyjnor i tij në shqip nga mjeshtri i mjeshtrave të shqipërimeve në gjuhën tonë të dëlirë e të bukur, hebreu me rrënjë shqiptare, i ndjeri Robert Shvarc, që e ka prurë këtë libër në shqip në mënyrën më të shkëlqyer gjuhësisht.

E nëse ia kam dalë mbanë që në përkthimet e mia letrare ta respektoj sadopak qenësinë burimore të gjuhës sonë shqipe, është pikërisht falë ndikimit përndritës të stilit shqipërues të Shvarcit, që kam hasur e gjej sa herë i kthehem me ëndje këtij romani.

Njeriu ynë në Havanë”, nga Graham Grin (Graham Greene)

Si zgjedhje timen fare të natyrshme të dytë, kam pashmangshëm këtë libër jo thjesht satirik, por edhe tepër therës e qesëndisës shkathtësisht të shkrimtarit të paharruar anglez, Graham Grin.

Vite mbas botimit të këtij romani, sikundër edhe plot veprave të tjera të njohura botërisht, krijime të frymëzimit jetësor e letrar të pashtershëm të Graham Grin, do të bëhej e ditur se ky shkrimtar vërtet pati shërbyer në radhët e shërbimit të fshehtë britanik, MI6, dikur.

Si pasojë edhe disa nga historitë e përvijuara në romanet e tij, me gjasë ishin të ndërlidhura, ose gjenin prejardhje në përvojat e mirëfillta në terrenet shpesh ekzotike (edhe karaibase pikërisht, si rrethanat ku zhvillohen ngjarjet e këtij libri, në Kubë), të shkrimtarit me formim aspak të rëndomtë në rrjetin e spiunazhit të sofistikuar britanik.

Nevojitet një sqimë e veçantë letrare, një mendje e hollë skajshmërisht, një aftësi e pashoqe shpotitëse dhe një prirje e spikatur sëmbuese me humorin tipik qesëndisës dinak anglez, që të trajtohet në mënyrë kaq hareshëm komike, sa edhe serioze njëkohësisht, një situatë e nxehtë në kufijtë e shpërthimit revolucionar dhe ushtarak midis Bllokut Perëndimor e Bllokut Lindor gjatë Luftës së Ftohtë, në Kubën para epokës së Fidel Kastros.

E tëra nëpërmjet bëmave dhe sajesave mashtruese të një shitësi anglez fshesash elektrike në Havanën e sunduar nga diktatori Batista, i cili detyrohet të financojë kolegjin e shtrenjtë katolik të vajzës së tij të bukur, duke i hedhur hi syve shërbimit të fshehtë britanik, sikur zotëron sekretet më të vyera lidhur me veprimtaritë e dyshimta të revolucionarëve të majtë në male dhe të sovjetikëve gjithaq.

Njeriu Ynë në Havanë është një kryevepër e satirës që vë në lojë dhe telendis Fuqitë e Mëdha që nëpërkëmbin popujt e vegjël, njerëzit e rëndomtë dhe fatet e gjithkujt, me manovrat e tyre ushtarake e politike, aq më tepër në kohë ndasish të skajshme si në periudhën e Luftës së Ftohtë.

Një satirë që shënjestron e sëmbon në zemër grykësinë e këtyre fuqive, që ndërsehen njëra kundër tjetrës, duke shfrytëzuar në shahun e tyre global, kë të munden, gjersa edhe ndonjë njeri i rëndomtë, i nxitur nga rrethanat e nevojat, do t’i shfrytëzojë këto kushte, për t’u vetëshpikur si një spiun i pagjasë, që sajon sekrete politiko-ushtarake dhe veprimtari të paqena revolucionare vazhdimisht, për ta mbushur xhepin në kurriz të miopisë së verbër të spiunazhit të mirëfilltë.

Kopshti i Edenit“, nga Ernest Heminguej (Ernest Hemingway)

Siç dihet, Kopshti i Edenit do të botohej pas vdekjes së Hemingway, në vitin 1986, duke pas qenë punuar ngurrueshëm mbi këtë libër prej shkrimtarit mes viteve 1946-1961.

E një libër i shkruar kështu, i botuar në këtë formë, që ngërthen në mënyrë kaq domethënëse thelbin e qenësisë vetjake e letrare të autorit të tij, është krejtësisht e pamundur të mos lërë gjurmë të pashlyeshme.

Për këtë arsye, nuk nevojitet të zhytesh fort në krijimtarinë e Hemingway, për të pohuar me plot gojë se Kopshti i Edenit është libri ku shpërfaqen qartësisht majat e letërsisë së krijuar nga ky autor, ku shkrimtari arrin pikërisht që edhe dobësitë e tij t’i shndërrojë në përparësi.

Sepse bëhet fjalë pashmangshëm për një roman skajshmërisht kundërthënës.

Ndokush arrin të pohojë se ky është një libër që gëlon nga mosngjarjet. Thjesht pra, një femër epshore pret flokët shkurt e më shkurt përgjatë faqeve të librit, përkitazi me ecjen e ndërthurjes së ngjarjeve të përshkruara aty, pastaj nis një trekëndësh dashuror, ka shumë gjerbje alkooli, epsh të shfrenuar, e gjithçka mbështillet me zënka pafund, ndërsa si përfundim gruaja flokëprerë ia mbath në çartje mendore e sipër.

Nuk gjendet dot në këtë libër kaq atipik, asnjë përshkrim skenash lufte. Ka veç një pasazh të shkurtër gjuetie elefantësh, por është thjesht diçka metafizike, si për të klithur: “Në djall vaftë gjuetia e elefantëve!”

Mund të pikaset veç ndjesia e unikes, dykuptimësisë, epshit.

Rrjedhimisht, do pranuar se Kopshti i Edenit ia vlen ndoshta të lexohet (jo domosdo edhe të kuptohet) si një roman erotik bashkëkohor, por, ndërkaq, përmbledhur artificialisht në këtë kornizë të zgjyrosur përkufizuese, disa nuanca dalin në pah.

Pikësëpari, në këtë roman nuk ka skena seksi të mirëfillta. Gjithçka përshkruhet, tregohet, sendërtohet letrarisht si nënkuptim e hamendësim përkatës. Kjo e bën këtë roman tejet lehtësisht të lexueshëm, tmerrësisht të rrjedhshëm, duke mos qenë aspak sakaq një libër ku lexuesit i tregohet saktësisht si personazhet ndihen apo si bëjnë (hollësisht) dashuri në shtrat, veranda apo plazhe të Jugut të Francës qoftë.

Gjatë pak dhjetëra faqeve të para, gjallon epshi më i ndjeshëm, veçanërisht kur lexuesi prezantohet me dy ndër personazhet kryesorë. Dejvidin dhe Kethrinën, që janë në Muajin e Mjaltit dhe kur Kethrina vrapon në qytet për t’i prerë flokët si djalë.

Teksa lexon këtë libër, lexuesi bashkëkohor shpesh qëllon të rivetëdijësohet për faktin se e kaluara mirëfilli përket diku tutje në kohë, mendësi e hapësirë, krahasuar me të tashmen.

Prerja e guximshme e flokëve e Kethrinës, përzgjedhja, pak të thuash e veçantë, e gjuhës së saj sensuale, janë aspekte që ngërthejnë nënkuptime shumë më domethënëse për epokën të cilës i përkasin ngjarjet e këtij libri. Ndonëse gjithsesi, ky libër vijon të mbetet tejet i guximshëm edhe shikuar nga këndvështrimi i një lexuesi bashkëkohor.

Ky është një krijim letrar që mund të merrte përkufizimin e epshores psikologjike apo ndoshta estetike, ku Kethrina përvijohet si rrënuesja, ndërsa Dejvidi si krijuesi, duke qenë ky personazh në vetvete shkrimtar, sidoqoftë ta kujton jo pak vetë Hemingway-n e vërtetë.

ObserverKult


Lexo edhe:

INTERVISTË ME SHKRIMTARIN DHE PËRKTHYESIN, ELVI SIDHERI

PYETËSORI I PRUSTIT/ELVI SIDHERI: JETONI, SEPSE KOHA NUK KTHEHET MBRAPSHT!

“DY BOTË” DHE “EMIGRANTJA” E ELVI SIDHERIT PROMOVOHEN NË PRISHTINË