Rekomandime leximi nga Kujtim Morina

kujtim morina

Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafir shkrimtarin Kujtim Morina.

Ja cilat janë tri librat që Morina u sugjeron të pasionuarve pas leximit.


Nga: Kujtim Morina

“Dita e Mbetur“ nga Kazuo Ishiguro, me përkthim të Parid Teferiçit

Sipas enciklopedisë Britannica, Kazuo Ishiguro, “është një shkrimtar britaniko-japonez apo më saktë shkrimtar britanik, i lindur në Japoni dhe i transferuar me familjen e tij në Angli që në moshën 6-vjeçare.

Është i njohur për rrëfimet e tij lirike të keqardhjes të përziera me një optimizëm të hollë.” Në vitin 2017, ky shkrimtar fitoi çmimin Nobel për letërsi për veprat e tij me motivacionin se “zbulon humnerën nën të kuptuarit tonë iluziv të lidhjes me botën”.

Kazuo Ishiguro për mendimin tim është rasti i një shkrimtari apo njeriu që tregon se ai formohet nga mjedisi ku jeton, në këtë rast anglez sepse vetëm mjedis japonez nuk gjen në veprat e tij.

Romani “Dita e Mbetur”, botuar më 1989, sjell transformimin e një familje angleze, kryesisht të sërës së lartë të lordëve të njohur anglezë. Pra oborret e tyre veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore (LIIB), fillojnë e zvogëlohen ndjeshëm, Stafet e tyre që nga mazhordomi, kryeshërbëtori që menaxhon shtëpinë apo oborrin e lordit deri tek shërbëtorët, kuzhinierët, ndihmësit, etj., shkurtohen shumë derisa mbeten më shumë nostalgji e së shkuarës. Kjo më kujton një tregim të shkrimtarit Eqrem Basha për hanin apo hanet/ bujtinat e kohëve të shkuara që mund të jetë e ngjashme nga bota shqiptare.

Ato hane ndryshojnë nga bujtinat e kohëve moderne sepse hani në atë kohë, kishte ahurin e kalit që zëvendësonte makinën në atë kohë, tagjinë që do t’i jepej sepse kishte shumë rëndësi trajtimi i kalit, në shumë raste, kishte zjarr në mes të hanit, mungonte drita elektrike, etj. 

Romani është një refleksion sesi bota ndryshon vazhdimisht, ajo rrotullohet dhe njeriut nuk i mbetet veçse të përshtatet në rrethanat e reja sepse s’mund ta kthejë mbrapsht rrotën e historisë. Pra një lord anglez në marrëdhënie të ngushta me gjermanët e Hitlerit, madje përmendet edhe një takim i tij me Ribentropin, para LIIB, pas kësaj lufte fillon e i harron.

Apo akuzat dhe sulmet ndaj lordit për ato lidhje dhe në përpjekje për t’u sqaruar, ai e përhap edhe më shumë aferën derisa kjo ndikon edhe në reputacionin e tij. Kjo e nxjerr në dritë të keqe lordin pavarësisht se ai kishte pasur iluzione për ta dhe ishte nisur nga qëllime positive për të mos e rënduar shumë me sanksione Gjermaninë ndryshe do të ndodhte ajo që ndodhi.

Po sjell vetëm një fragment nga ky roman, “Sigurisht se kjo ngre pyetje të reja: nga se përbëhet dinjiteti njerëzor? Njerëz si unë dhe zoti Graham bënim debatet tona më interesante mbi këtë temë. Zoti Graham ngulte këmbë që “dinjiteti” në fjalë ishte diçka e ngjashme me bukurinë e një gruaje dhe si i tillë nuk kishte kuptim përpjekja për ta analizuar. Unë nga ana tjetër, kisha bindjen se një krahasim i tillë vetëm sa ulte “dinjitetin” e figurave të tilla si zoti Marshall.

Për më tepër, kundërshtimi kryesor që kisha ndaj krahasimit të zotit Graham ishte se kjo nënkuptonte diçka që personi e kishte ose jo në sajë të rastësisë natyrore ndaj për dikë që nuk e kishte, lufta për ta fituar do të ishte po aq e kotë sa përpjekja e një gruaje të shëmtuar për t’u bërë e bukur.”

Romani sjell siç thashë më sipër mjedisin anglez, ftohtësinë apo ngrohtësinë “me masë” në marrëdhëniet njerëzore, fazat e afrimit në një marrëdhënie që duhet të respektohen në mënyrë strikte sepse fazat duan kohën e tyre të kalohen. Madje edhe nëse kemi arritur një shkallë të tillë afrimi që shkon në miqësi apo shenja të simpatisë apo dashurisë, kjo nuk përjashton hapa mbrapa si dënim për shkeljet e kryera në një marrëdhënie.

Pra dënim, jo rrahje, ndëshkim në heshtje, jo dhunim fizik. Më kujtohet një rast në roman që njëri koleg në marrëdhënie pune i thotë tjetrit që tani komunikimi ynë do të bëhet përmes një personi të tretë, jo më drejtpërdrejt. Pra nëse ke diçka, i thua atij dhe ai ma thotë mua. Jo marrëdhënie më si më parë. Ose thotë, nëse nuk arrijmë të gjejmë njëri-tjetrin, sugjeroj t’i lëmë mesazh me shkrim nën derë.

“I varfër dhe i pastrehë në Paris dhe Londër” nga George Orwell, përkthyer nga Gjergj Erebara

Kjo nuk është vepra më e njohur e shkrimtarit të famshëm distopik anglez Xhorxh Oruell (George Orwell). Më të famshme janë novela “Ferma e kafshëve” dhe romani “1984”. Por shumë studiues shprehen se pa lexuar librat e Oruellit të viteve 30, mes tyre edhe këtë libër, nuk mund ta njohësh mirë këtë shkrimtar të famshëm.

Libri “I varfër dhe i pastrehë në Paris dhe Londër” mendoj se është midis letërsisë artistike dhe joartistike, mes fiction dhe non-fiction, mes trillimit dhe dëshmisë realiste, etj. Nuk dihet në ç’rrethana, disa e shpjegojnë për shkak të një incidenti që i ndodhi në Paris, shkrimtari ngeli pa një kacidhe. Si është të jesh i varfër, ekstremisht i varfër?! Këtë vetëm ata që e provojnë, e kuptojnë.

Një shprehje popullore thotë, “të vijë të më shohë, vetëm ai që është rrëzuar nën pemë”. Po sjell një fragment nga fillimi i këtij romani, “Ia vlente ta shihja këtë si kontaktin e parë me varfërinë. Kisha menduar aq shumë për varfërinë- është gjëja që kemi pasur frikë gjithë jetës, gjëja që e di se mund të të ndodhë, herët apo vonë, dhe ja tani kur mbërriti, ajo të rezulton kaq rëndomtazi e ndryshme.

Ti mendoje se të jesh i varfër është e thjeshtë, në fakt është jashtëzakonisht e ndërlikuar; ti mendon se varfëria është e tmerrshme, në fakt ajo thjesht është e pistë dhe e mërzitshme. Është ajo gjëja e ulët, e veçantë që e zbulon fillimisht te varfëria, ndryshimi që të shkakton, kopracia e ndërlikuar, kujdesja dhe krundet”

Shkrimtari përfundon pa një dyshkë siç themi, duke shitur kostumet dhe rrobat e vjetra, mezi gjen punë si pjatalarës duke punuar nga 17-18 orë në ditë, pastaj si endacak në Paris dhe Londër. Por kjo është edhe një përvojë e jashtëzakonshme për një shkrimtar. Thuhet se madje njëherë Oruelli simuloi një shkelje për të përfunduar në burg dhe vërtet kaloi një natë në qelitë e paraburgimit të policisë për të provuar ndjesinë e të burgosurit.  

Në roman kupton se nuk janë aq atraktive restorantet aq të preferuara të Parisit kur punon aty brenda dhe shikon si përgatitet ushqimi, si nëvlerësohet dhe mashtrohet klienti vetëm për ta rrjepur, frika është vetëm tek pronari, me atë nuk luhet, të tjerët varja. Pastaj në Londër, thotë, kujtoja se do ta kishte të lehtë por jo, përfundoja duke ecur në këmbë me orë të tëra për një çaj. 

Pastaj shkrimtari shpjegon se cfarë është endacaku, pse përbuzet ai megjithëse është i padëmshëm. Pse disa njerëz nuk kanë rrugë tjetër vetëm për të përfunduar ashtu dhe ajo qasja se ai është parazit, nuk punon dhe nuk ia vlen të ndihmohet, nuk e shpjegon fenomenin.

Leximi i këtij romani mendoj se është një refleksion për shkrimtarët shqiptarë. Shumica absolute e tyre shkojnë pas pushtetit, edhe nëse vetë nuk kanë pasur pozicione të larta, I servilosen pushtetarëve për një punë të mirë, për përfitime të ndryshme. Deri diku edhe duhet të mirëkuptohen sepse nuk funksionon sistemi.

Por kur vjen puna për të përshkruar të varfërin, të pambështeturin, të pangopurin, të poshtëruarin, etj, ata nuk arrijnë ta bëjnë atë në mënyrën më të mirë, të futen në lëkurën e tyre siç thuhet sepse kurrë nuk e kanë provuar atë ndjesi. Krijojnë ndonjë personazh shkarazi dhe mendojnë se e përfshijnë edhe këtë kategori por jo. Letërsia e Migjenit me aq sa shkroi, mendoj se u ngrit në nivele të larta duke bërë pjesë të saj lypësin, mjerimin, shtresa të shoqërisë që ai i nxjerr lakuriq si janë, pa maska.  

 “Secili çmendet sipas mënyrës së vet” nga Stefan Çapaliku

Ky roman që është prapë mes letërsisë artistike dhe jo-artistike, mes fiction dhe non-fiction, mendoj se është një shembull se shkrimtari duhet të shkruajë për atë që njeh më mirë. Kuptohet se kur hyn në filtrin apo tejqyrën e shkrimtarit, ai merr më të veçantën, më tërheqësen, përfshirë edhe të munguarën.

Ky është një roman në tre vëllime që vë në spikamë apo veçon dekadat e viteve 70 dhe 80 të komunizmit në Shkodër, Shqipëri kur megjithëse vendi ishte ndër regjimet më të mbyllura dhe të ashpra në botë, i krahasuar me Korenë e Veriut sot, kapacitetet njerëzore ishin në vend, nuk kishin emigruar, nuk kishin si të emigronin se nuk mundeshin. Pikërisht për të pasqyruar fenomene të tilla njerëzore që rrezatonin në mjediset ku jetonin, në shtëpi, në shoqëri, në letërsi, në përkthime, në zejet e ndryshme që ushtronin, ky roman ka vlera të patjetërsueshme.

Po sjell një fragment nga ky roman. “Nisem për shkollë, ashtu i mbështjellë me triko, doreza e shall prej leshi, të punuara me dorë prej Mamës. Eci kokëulur për të mos e lënë frymën të më ikë nga shalli që më rrethon gojën.

Duket sikur eci përmendësh. Megjithatë vërej dy hapa para meje një burrë të gjatë dhe me kokë të madhe. Ai ka veshur një pallto të gjatë, të zezë. Mban ndën sqetull të djathtë një turrë drush, të rriskuara për merak, e në dorën e mjatë, një tufë të madhe me fletë muzike. Dru dhe muzikë. Diktaturë dhe festë?!!!Jo! Mirëqenie dhe tinguj ndoshta.”

Krahas letërsisë artistike në botë është i përhapur edhe zhanri non-fiction, pra jo trillimi por dëshmia reale nga jeta. Ajo tendenca apo mbyllja jonë që kur hyn për të shkruar duhet medoemos letërsi artistike edhe nëse nuk je i talentuar për ta bërë këtë, mendoj se më shumë na ka dëmtuar.

Secili çmendet sipas mënyrës së vet mendoj se i rri mirë stofit që është prerë, për të sjellë karaktere, personazhe reale dhe madje po besoj edhe fiktive, të krijuara që na e sjellin bukur dhe këndshëm atë kohë të vështirë por të papërsëritshme.

Autori nuk përshkruan vetëm Shkodrën por edhe kryeqytetin, Tiranën dhe madje zbret edhe në jug të vendit në përpjekje për ta zgjeruar panoramën. Pjesa e tretë e romanit është për periudhën e lirisë, të tranzicionit demokratik, të hapjes së vendit me të mirat dhe të këqijat që solli, gjithnjë para revolucionit teknologjik të viteve 2000, që solli një transformim tërësor të industrisë dhe shoqërisë.

Ky roman pra për kohën kur nuk kishin ndryshuar edhe aq shumë gjërat, kur biçikleta, televizori, libri, etj ishin vërtet të çmuara, na risjell një kohë dhe personazhe interesante në një qytet të dashur për të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm, si Shkodra.

ObserverKult


Lexo edhe:

PYETËSORI I PRUSTIT: KUJTIM MORINA