Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafir poetin Sokrat Habilaj.
Ja cilat janë librat që Habilaj u sugjeron të pasionuarve pas leximit.
————————————————————–
Arti i të shkruarit, ndoshta ka lindur edhe si një nevojë për t’u arratisur nga bota ku jetojmë. Dëshira për të jetuar dikur tjetër, për të shpëtuar nga trishtimi i kësaj bote, bën të mendosh se duhet krijuar një mjedisi i ri, një strehë e re, një ishull, i cili është krijimi vetjak dhe fillimisht i përket vetëm atij që e krijon.
Nga Sokrat Habilaj
Më pas, kur ai që merret me letërsi, e ka krijuar letërsinë e tij, (ishullin e tij), çdo krijues kërkon që këtë ishull, ta vizitojnë sa më shumë, që ai të kthehet në një lloj mënyre në një gjetje “turistike”, përkatësisht artistike. Pikërisht këtu qëndron dhe dilema.
Në shekuj është krijuar letërsi dhe vazhdon të krijohet pa fund, por shumica e saj humbet në terrin e viteve, duke u kthyer në ca ishuj të harruar që nuk na kujtohet më as emri i tyre, e jo më të mendojmë se ia vlejnë të vizitohen ende.
Theksuam se askush si krijuesi, nuk ka nevojë të arratiset diku, por nuk duhet të neglizhojmë një kategori tjetër dhe më kryesoren, lexuesin, atë për të cilin lindi kjo letërsi. Është ai që kërkon një përjetim tjetër rreth botës ku jeton.
Pikërisht për ta plotësuar këtë nevojë të tij, a më saktë për ta orientuar drejt këtë “ikje” të lexuesit, për të mos e lënë atë të vrapojë pas ishujve aspak interesantë, është krijuar dhe letërsia e madhe, ajo që është lexuar, lexohet dhe do vazhdojë të lexohet sa të jetë njerëzimi.
Jo thjesht për të qenë në rregull me veten, por edhe duke besuar se kjo që them është realisht e drejtë edhe për shumë të tjerë, mendoj se dhe lexuesi më i zakonshëm, duhet të ketë lexuar padyshim diçka nga magjia e letërsisë antike greke, letërsisë ruse dhe asaj amerikano-latine.
Këto tri maja të botës letrare kanë pafund kryevepra dhe nuk është e vështirë të zgjedh tri prej tyre.
Iliada
Ka plot arsye pse duhet ta lexojmë Iliadën. Nuk është thjesht sprova e parë, ku u prezantua vepra e parë poetike në formën më të përkryer të saj, por ajo vazhdon edhe sot e kësaj dite, pas rreth tremijë vitesh, të qëndrojë denjësisht si kryevepër në Panteonin e letërsisë botërore.
Iliada nuk shkëlqeu vetëm në Greqinë antike, apo dhe gjithë botën antike në përgjithësi. Edhe sot, kur arti poetik ka njohur rryma e tendenca pa fund, Iliada është po aq moderne sa arti poetik bashkëkohorë. Nuk është thjesht shkolla e parë e artit poetik, por është universiteti i përjetshëm i këtij arti.
Iliada, apo edhe Odisea, nuk janë vepra të zakonshme, që mund t’i shfletosh kur të duash. Ajo nuk është poezi e masës së gjerë. Është po kaq e vështirë, po kaq e thellë, sa poezia moderniste, apo sa një pikturë abstrakte. Të nisësh të lexosh Iliadën, është si të nisësh një shkollë.
Nëse je lexues i zakonshëm, do marrësh kënaqësi të pafund artistike dhe estetike, nëse të pëlqen historia, do mësosh të dhëna historike që nuk i ke dëgjuar kurrë më parë, nëse merresh me letërsi, ke rastin të mësosh shumë gjëra nga arti i të shkruarit, apo edhe nëse je një i dashuruar, ke rastin të mësosh se në këtë botë, shumë gjëra kanë ndryshuar, por dashuria që kur ka lindur, ka lindur e përkryer.
Bota që nga Greqia e lashtë, a më herët, ka parë sa e sa luftëra edhe më të mëdha, edhe më heroike, po asnjë luftë tjetër nuk është ngulitur në memorien e përjetshme njerëzore sa konflikti mes Akilit dhe Agamemnonit. 51 ditët që përshkruan Homeri, janë kulmi i artit poetik. Theksojmë dhe faktit se Iliada është një perlë poetike, por edhe një kryevepër historike që nuk ka të dytë në botë.
Veç kësaj një ballkanas duhet ta lexoj Iliadën, apo dhe Odisen, sepse ky kulm poetik, e ka djepin në këtë rrip të zgjatur toke ballkanike, e cila sot duket kaq paradoksale në raport me Perëndimin, por dikur ka qendra e Perëndimit. Ne duhet të lexojmë edhe për faktin se në radhët e atyre që bënë betejën e Trojës, ishte dhe dikush nga fisi i secilit prej nesh, dikush nga fisi ynë është personazh atje.
Ana Karenina
Në çdo lloj klasifikimi, le të themi të listës së dhjetë yjeve të letërsisë botërore, Tolstoi do jetë mes tyre patjetër. Në çdo lloj zgjedhje të dhjetë veprat letrare më të mira të të gjitha kohërave, Ana Karenina do jetë mes tyre, pa më të voglin dyshim.
Askush si Tolstoi me Anën e tij, nuk ka mundur të zbërthejë deri në detaje të paimagjinueshme thelbin e jo vetëm të një etape të caktuar të shoqërisë, por të gjithë shoqërisë, deri në ditët tona. Çiftet që jetojnë bashkë, apo që tentojnë të jetojnë bashkë, duket se kur vjen fjala tek thelbi i tyre, janë të gjitha njëlloj të trishta.
Një çift që provon një dashuri të pamundur, apo një çift që jeton në një çati, po s’i lidhë asgjë shpirtërore, duken si pamje të të njëjtit realitet. Dhe pas një shekulli e gjysmë, duket se gjërat kanë mbetur po ashtu si nëpër faqet e Anës së Tolstoit.
Bota ka ndryshuar, kaq shumë në teknologji, po duket se ka qëndruar në vend në atë pjesë që ka lidhje me anën njerëzore. Ana dhe plotë “Ana” si ajo, Vronsky apo plot “Vronsky” si ai, janë kaq të pranishëm në të përditshmen tonë. As Ana, as Vronsky, apo edhe të tjerët tek ky roman, nuk janë “heronj”, por janë të jashtëzakonshëm në të zakonshmën e tyre emblematike.
Unë e kuptoj se nisur nga ndikimi i teknologjisë, duket pak si e vështirë t’i rekomandosh një studenti të lexojë dhe rilexojë “Ana Karenina”, po fjala është se kjo kryevepër ngjason me një mal. Ne mund të flasim për malin, për lartësinë e tij, për vështirësinë për t’u ngjitur në majën e tij, po kurrë nuk mund të themi që të mos tentojmë t’i ngjitemi malit.
Rrallë ndodhë si në këtë vepër, që edhe pas shumë e shumë faqesh ku përshkruhen pa fund detaje, të mos rrëmbehesh nga çdo fjali. Rrallë ndodh që ndërsa të duket se je duke përjetuar monotoninë e disa lidhjeve mes një burri dhe një gruaje, e të mos ndahesh dot prej tyre, sepse ajo monotoni, është pasqyruar me art.
Në jetën njerëzore ndoshta nuk ka detaje të rëndomta, nuk ka monotoni të mërzitshme, por ka detaje dhe “monotoni” që tregohen ose jo me art. Askush si Tolstoi me “Ana Kareninën”, nuk e ka bërë më bukur, sepse: “Familjet e lumtura janë të gjitha njësoj, ndërsa familjet fatkeqe, janë fatkeqe ndryshe nga të tjerat”.
100 vjet vetmi
“100 vjet vetmi”, mund të titullohej edhe 1000 vjet vetmi, 5000 vjet vetmi, apo dhe përjetësisht vetmi! Markez zgjodhi të përjetësojë 100 vite vetmie të disa personazheve krejt të zakonshme latino-amerikan, në një provincë të humbur të Kolumbisë, duke vërtetuar se pikërisht vetmia, nuk është thjesht burim i trishtimit, por edhe gjenerues i veseve.
Me personazhe që shpesh vërtiten në absurd, ku dhe emrat e tyre janë po kaq absurdë dhe të ngatërrueshëm në memorien e lexuesit, por të paharrueshëm në skalitjen e tyre, “100 vite vetmi”, është një kryevepër që ngulitet në kujtesën e lexuesit për të mos u shlyer më.
“100 vite vetmi”, i dha imazhin e vetë, jo vetëm letërsisë latino-amerikane dhe asaj botërore të shekullit të fundit, por edhe shkëlqimin mahnitës të realizmit magjik, ose më saktë këtë realizëm e ngriti në një nivel shumë të lartë.
Realizimi magjik i ka rrënjët shumë më thellë, por letërsia latino-amerikane e shekullit të njëzetë, ku natyrisht shkëlqen “100 vite vetmi”, i dha lartësi të reja realizimit magjik.
Markez e pa botën të copëzuar tek individë të zakonshëm, duke zbuluar sa të vetmuar janë secili prej atyre dhe në fund të fundit edhe secili prej nesh, jo thjesht të kohës që ishim po edhe të asaj që jemi.
Ne kemi jetuar në një shoqëri krejtësisht të vetmuar si shoqëri, thuajse si familja Buendia dhe fshati Macondo. Ne kemi qenë një lloj Macondo.
Po më pas, pas përmbysjes së madhe, do të kuptonim pak nga pak dhe një të vërtetë të trishtë. Nuk jemi më shoqëri e mbyllur në vetminë e saj, po si individ duket jemi po kaq të vetmuar. Sot nëse ndihesh i vetmuar në skajin e provincës tënde, i ke të gjitha mundësitë, të jetosh ku të duash, po ka gjëra që janë po njëlloj.
Ti mund të marrësh tragetin, a avionin dhe të ikësh drejt qendrave të mëdha të botës dhe në çast ta kuptosh se edhe atje, do jesh po kaq i vetmuar. Vetmia duket se na ndjek kudo si fshatarët krejtësisht të zakonshëm të Markez.
ObserverKult
Lexo edhe: