Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafir shkrimtarin Uran Krasniqi.
Ja cilat janë tri librat që Krasniqi u sugjeron të pasionuarve pas leximit.
________________________
Nuk më ka ndodhur kurrë të shkruaj për librat letrarë dhe refuzoj ta bëjë sepse nuk mendoj që mund ta bëjë. Demotivimi i madh për mua është qysh në nisje, ku ndihem i hendikepuar nga fakti që materiali që e ke përpara është një ngrehinë e sajuar për të cilën është i vështirë interpretimi i saktë. Të flasësh për atë që është thënë është lehtë, por mendoj se vështirësia gjendet aty “autori ka dashur të thotë “.
Dhe ku e di ti se pse autori nuk e ka thënë atë që e ka thënë dhe çka ka dashur të thotë, kur thjesht ti nuk je ai? Më vjen në mend një shkrimtar, i cili thoshte se gjithmonë i qeshet kur lexon se çka kanë thënë për veprën e tij. Më ka ndodhur edhe vetë që poezi të caktuara të miat të m’i zbërthejë tjetri ashtu siç unë nuk kam menduar. Por lum ata që besojnë se ia dalin ta gjejnë saktë se çka ka dashur të thotë autori dhe sigurisht që unë pajtohem me ekzistencën e kësaj pune edhe pa mua, zhvillimin e së cilës e inkurajoj, dhe madje kam lexuar shumë kritika rreth veprave të ndryshme.
Nga Uran Krasniqi
Në këtë tekst për këtë rubrikë s’do të shkruaj lidhur me ata se çka kanë dashur të thonë autorët, por cka kanë thënë. Dhe më shumë do të përpiqem që ta ndërtoj arsyetimin tim pse duhet lexuar librat.
1. “Gruaja leopard” – Alberto Moravia
Libri trajton udhëtimin e dy çifteve në Afrikë. Gruaja e tjetrit ndjen se burri i tjetrës është tërheqës për të dhe libri ndërtohet si shprehje e vuajtjes së burrit të saj. Shumë mendime, shumë dilema dhe shumë pyetje bluan koka e tij teksa e sheh që një burrë tjetër po i pëlqen gruas së tij më shumë se sa ai, që përkthyesi i Moravias i ka artikuluar qartë e kuptueshëm në gjuhën shqipe, duke bërë që mundësia për mishërim me ngjarjen të mos jetë e vështirë.
Ne nuk jemi të gjithë si Dostojevski që i kishte thënë Marias së tij “nuk të kam tradhtuar as edhe me mendime”, jemi tradhtarë dhe të tradhtuar, të paktën me mendime. Si unë, si personazhi i Moravias, si ti që e lexon këtë jemi njerëz dhe, kur bën vaki, situatat njerëzore ngjasojnë e rrjedhimisht edhe gjendjet emocionale, me të njëjtat mendime, dilema e pyetje në kokë.
Libri i Moravias i ndihmon lexuesit, sidomos lexuesit të prekur, që shpirtërisht të shpëtojë nga ndjesia si fatkeqi i vetëm në botë dhe i ndihmon në aspekt intelektual për të parë se si dikush tjetër e ka arritur t’i formulojë më thellë e më bukur mendimet, dilemat e pyetjet torturuese.
2. “Udhëtim nëpër zgjëndërr të keqe” – Halil Matoshi
Libri “Udhëtim nëpër zgjëndërr të keqe” i Halil Matoshit është një, siç e thotë ai, kallëzim krejt personal për luftën, burgun dhe lirinë. Drama në faqet e librit nis të rritet kur autori për herë të parë në jetë, gjatë moment te arrestimit, ndeshet me ftohtësinë e armës dhe deri kur të lirohet nga burgu.
Lufta, një situatë e jashtëzakonshme, do formim për ta artikuluar dhe Matoshi, një i shkolluar për filozofi, një gazetar profesionist dhe një poet me vokacion, dha një libër shumë të realizuar estetikisht. (Shto faktin se ishte edhe rreth të dyzetave, i pjekur në të gjitha fushat).
“Udhëtim nëpër zgjëndërr të keqe” është libri më i mirë që përshkruan gjendjen e pengjeve kosovarë të luftës, të cilët duke qenë të zënë nga armiku vdekjen e kishin përditë më afër se këmishën e trupit.
Ky libër do të duhej të përkthehej në gjuhë të huaja, jo vetëm si një material i shkruar nga një njeri i letrave, por edhe si një dokument ku gjendet vuajtja e mijëra të burgosurve shqiptarë gjatë luftës dhe të cilin të huajt do të duhej ta lexonin për t’u habitur me sjelljen e shtetit të Serbisë në kohën e ditëve tona.
Por, nuk jam shumë i bindur që diçka e tillë mund të ndodhë – që institucionet e Kosovës e mbështesin dhe e shpërndajnë në botë këtë libër – duke e ditur që edhe pse ekziston në shqip prej kohësh nuk është lexuar dhe komentuar shumë rreth tij.
3. “Liria e tmerrit” – Xhevdet Bajraj
Libri “Liria e tmerrit” i Xhevdet Bajrajt është një libër i botuar në spanjisht në vitin 1999 me titullin “Ruego albanes”, (“Lutje shqiptare”), dhe i cili përbëhet në masë të madhe nga poezi të tri veprave poetike të autorit, “Nënë prej guri”, “Emblemë e vdekjes” dhe “Copë e humbur e parajsës”, por edhe disa poezi të pabotuara më herët.
E përbashkëta e shumicës së poezive të këtij libri është tmerri shtetëror serb në Kosovë paralufte dhe gjatë luftës. Nëse do të më ishin kërkuar tituj alternativ për këtë libër, atëherë nuk do të kisha ngurruar që të thoja Libri i dhembjes shqiptare apo Histori e dhembjes së Kosovës.
Në këtë libër lexuesi e gjen atmosferën e okupimit me krejt dimensionet e tij, prej varfërisë e frikës e deri tek dhuna, si dhe tablon e luftës me mizoritë e policëve e ushtarëve serbë.
Disa poezi janë të shkruara pak muaj pas luftës dhe bartin në vete shqetësimin e autorit për rrugën e gjetjes së përshtatjes nga ana e Kosovës me gjendjen e re, lirinë. Shumë gjetje të Bajrajt në poezitë e këtij libri janë mbresëlënëse, duke bërë të vije të pyetësh se si ka mundësi që të mendohet kështu dhe të shprehet kështu.
ObserverKult
Lexo edhe: