Rekomandime leximi nga Zyrafete Shala

zyrafete shala

Në rubrikën Rekomandime leximi, mysafire e ObserverKult është shkrimtarja Zyrafete ShalaJa cilat janë librat që Shala u sugjeron të pasionuarve pas leximit.

——————

Shpesh jam gjendur përballë kërkesës për të veçuar disa tituj librash që tek unë kanë lënë gjurmë të thella dhe që do t’u rekomandoja me kënaqësi të tjerëve. Është kjo një kërkesë që gjithmonë më ka vënë në vështirësi, ndoshta sepse lidhet ngushtë me bindjen time se ne jemi ajo që lexojmë, apo siç do të tingëllonte më saktë në mjedisin tonë ne jemi aq sa lexojmë.

Në anën tjetër, kujtesa intensive nga e kaluara ka si pikënisje periudhën pasi kam mësuar të lexoj, ndaj edhe ekzistenca për mua sikur është bërë ekuivalente me të lexuarit. Shumë nga librat me të cilët jam shoqëruar përgjatë gjysmëshekullit tim, kanë pasur rolin e çelësit, siç do të thoshte Kafka, për të hapur dhomat e panjohura brenda vetes sime. Por, çdonjëri prej tyre edhe i ka shtyrë më tej kufijtë e lirisë së mendimit, duke e bërë më të gjerë botën përreth.

Nga Zyrafete Shala

Meqë çdo përzgjedhje që do të kufizohej në disa tituj, mendoj që më fut në borxh ndaj të tjerëve, kërkesës së rekomandimit të tre librave do t’i qasem në relacion me atë që e vlerësoj si domosdoshmëri që shtron ndaj shoqërisë sonë, koha në të cilën jetojmë.

Romani “Verbëria” – Jose Saramago

Një roman i jashtëzakonshëm që do të duhej ta lexonim e rilexonim të gjithë ne që kemi pasur fatin të jetojmë në periudha të trazuara historike, që me apo pa dashje na rrëmbejnë në vorbullën e tyre. Leximi i këtij libri na fton për të insistuar në ruajtjen e kthjelltësisë së mendimit dhe na nxitë të reflektojmë mbi fuqinë që kanë strukturat shoqërore në formësimin e jetëve tona, një mësim moral ky i domosdoshëm veçanërisht tani që po afrohet koha e premtimeve të mëdha dhe e mungesës së përgjegjësisë për të pranuar gabimet e dështimet.

Saramago e përdor verbërinë si metaforë për të na dhënë tablonë e plotë të natyrës njerëzore, paaftësinë për të shikuar e përdor si mundësi eksplorimi të thellësive të errëta që e për afrojnë njeriun me krijesat e tjera instiktive. Prandaj kur bëhet fjalë për këtë vepër, në radhë të parë nuk duhet ngatërruar verbëria si aftësi e kufizuar me verbërinë si identitet. Mbase dallimin mes tyre më së miri e bën retoristi francez P. Fontanier, sipas të cilit verbëria fillimisht i referohet vetëm privimit nga funksionimi i shqisës së të parit; por, sipas tij edhe ai që nuk i dallon qartë idetë dhe marrëdhëniet mes tyre; ai që ka arsyen e errësuar, në njëfarë mënyre i ngjan të verbëtit, ngase nuk i percepton objektet fizike dhe është i privuar nga shikimi moral.

Romani shpalos një pamje zhgënjyese të natyrës njerëzore, e cila vjen kur pushojnë së funksionuari normat shtetërore, sociale apo kulturore. E shohim se ekzistenca jonë është aq e brishtë, saqë humbja e vetëm një shqise (lexo: humbja e vizionit të qartë) mund ta shpërbëjë shoqërinë dhe qytetërimin tonë.

Rrugëtim drejt vetvetes: Kujtimet e një psikiatri” – Irvin Yalom

Libri “Rrugëtim drejt vetvetes” është në radhë të parë një eksplorim i thellë i rritjes personale, por edhe procesit terapeutik dhe ndërthurjes së jetës e punës. E zgjodha në mesin e këtyre tri rekomandimeve sepse mendoj që kemi mjaft vështirësi të bëjmë diferencën mes asaj që vërtet është rritje personale dhe tjetrës që përpiqet të na imponohet si e tillë. Yalom ofron një rrëfim thellësisht personal të jetës së tij, duke gjurmuar rrugëtimin nga një familje emigrante e varfër deri te një nga figurat më me ndikim në psikoterapi. Reflektimet e tij mbi fëmijërinë, marrëdhëniet ndërnjerëzore e zgjedhjet e karrierës nxjerrin në pah dobësitë dhe papërsosmëritë e tij duke e bërë atë tejet të afërt dhe njerëzor.

Si pionier i psikoterapisë ekzistenciale, Yalom gërsheton përgjatë rrëfimit edhe pyetje nga kjo fushë, si vdekja, liria, izolimi dhe kuptimet e tyre, duke pohuar se pikërisht preokupimet me tema si këto, kanë ndikuar në formësimin e filozofisë së tij jetësore dhe në vetë jetën personale. Një hapësirë të konsiderueshme në këtë rrëfim zënë edhe leximet e tij, duke nisur nga biografitë e personaliteteve të shquara të historisë së përbotshme e deri te kryeveprat e letërsisë të cilave u rikthehet edhe në dekadën e nëntë të jetës.

Edhe pse një jetë të tërë është përpjekur t’u ofroj ndihmë pacientëve për t’ia dalë në tejkalimin e konflikteve dhe dilemave më të thella të jetës, Yalom nuk heziton të flasë për periudhat kur ai vetë ka pasur nevojë për të marrë ndihmë nga të tjerët. Rrëfimi i sinqertë, vetëvrojtimi, reflektimet mbi vdekshmërinë derisa i afrohet përmbylljes së shekullit, inkurajojnë lexuesit të përballen me ankthet ekzistenciale, me frikën, cilado qoftë ajo, dhe t’i japin kuptim jetës së tyre. “Rrugëtimi drejt vetvetes” është një leksion mbi të jetuarit guximshëm, mbi pranimin e vetes me të gjitha zonat e ndritshme e të errëta dhe përpjekjen për ta parë botën nga dritarja e tjetrit.

“Shekulli XX” – Agron Shala

Për rekomandim të tretë zgjodha një libër të sapobotuar që, deri në këtë çast, nuk mendoj se e kanë lexuar më tepër se pesë lexues. “Shekulli XX” është ndërthurje komplekse e fijeve të ndërlikuara të historisë, duke i lejuar lexuesit të tërheqë paralele të thella midis rrymave gjithëpërfshirëse të historisë globale dhe kontekstit specifik të historisë shqiptare. Përmes efektit që sjellin krahasimet e tilla, tregimi u hap rrugë lexuesve për të identifikuar pengesat, për të dalluar arsyet themelore të shfaqjes së tyre, për të analizuar gabimet dhe pasojat që kanë sjell ato, si dhe për të vlerësuar hapat e bërë drejt përparimit.

Rrëfimi nis në vitin 1901, si një udhëtim gjithëpërfshirës, duke vëzhguar fillimisht peizazhin global përpara se të ngushtojë me përpikëri fokusin, për t’u thelluar më pas në ngjarjet e rajonit të Ballkanit, e së fundi edhe tek ato kombëtare. Tërheqja e paraleleve midis rrymave gjithëpërfshirëse të historisë globale dhe kontekstit specifik të historisë shqiptare, është një mundësi e veçantë për t’i njohur më mirë arsyet që po e frenojnë prosperimin e popullit tonë pavarësisht nga hapësirë ku jeton.

Agron Shala i është qasur vit pas viti shekullit më të trazuar të historisë, duke sjellë një sintezë bindëse të ngjarjeve, lëvizjeve dinamike, ideve novatore, zbulimeve të thella dhe kthesave kryesore që përcaktuan shekullin e kaluar, por edhe ndikimin transformues që këta elementë patën në rrjedhën e historisë njerëzore.

Siç e pohon vetë autori në hyrje, me këtë libër ai ka synuar të sjell një përmbledhje gazetareske të ngjarjeve që shënuan vitet 1901-1950 të shekullit XX. Ky libër, ashtu si paraardhësit e tij, është një thesar informacionesh dhe faktesh, që mbështeten në një shumësi burimesh të ndryshme të referimit. Përmbajtja e tij e pasur përfshin një spektër të gjerë të veprimtarive njerëzore, që e bëjnë librin atraktiv dhe të dobishëm jo vetëm për lexuesit shqiptarë, por edhe më gjerë.

ObserverKult


Lexo edhe:

PYETËSORI I PRUSTIT/ ZYRAFETE SHALA: NUK MUND TA IMAGJINOJ DOT SE SI DO TË ISHTE JETA PA LETËRSI!