Rexhep Shahu: Ta kam lënë amanet veten time…

rexhep shahu
Rexhep Shahu

Poezi nga Rexhep Shahu

Ka kohë që ta kam lënë amanet veten time
Dhe jam i qetë.

Por herë pas here trishtohem
Ndonëse ti më thua se s’më ka hije trishtimi.

Trishtohem ndaj ta kujtoj
Shih se mos më harron ndokund
Dhe më hedhin në plehra pastaj.

E di se më mban në sy
E shoh veten kur të them prit t’i shoh sytë
E di, ke për mua një kujdesje të fshehtë elegante
Më pyet ku ishe dje, pse erdhe vonë sot…
Por prapë ndonjëherë kam frikë
Se nga nxitimi se po të ikë avioni më harron në stol në aeroport
A më harron te shitësja e çokollatave që ngjan me ty
Ajo s’do më mbajë, do më nisë si valixhe e humbur drejt askundit
Ndonëse kurdo në sy do të kem fytyrën tënde, sytë e tu.

Kam frikë herë pas here, pse ta fsheh
Se mos më harron mes ndonjë libri në rafte
E s’mban mend ku më ke lënë.
Në ndonjë sedile treni a autobuzi ku nxitohet gjithmonë
Në ndonjë kafe në karrigen anash ku ëndërron të më kesh.

Ka kohë që ta kam lënë veten amanet
Por druaj se më harron ndokund
Dhe kam frikë se mbetem pa ty.

*Titulli i origjinalit: Ka kohë

ObserverKult


Lexo edhe:

REXHEP SHAHU: KA DITË QË NUK E GJEJ VETEN NË SYTË E TU…