Ridvan Dibra: Pendimi i Araknas

Öèôðîâàÿ ðåïðîäóêöèÿ íàõîäèòñÿ â èíòåðíåò-ìóçåå Gallerix.ru

Nami i Araknas si endëse e pashoqe kishte marrë dhenë tashmë.  Rrallë gjeje shtëpi a pallat në Lidia ku të mos kishte pëlhura të mrekullueshme, të thurura mjeshtërisht prej saj.  Modele të larmishme e variacione nga më fantastiket, fryt i dy duarve të magjishme dhe i një mendjeje të guximshme.  Kurrë s´qe ndier më e lumtur Arakna: jetonte mes të mirash dhe shijonte adhurimin e të tjerëve.  Më parë, as që e kishte çuar nëpër mend se fama do t´i siguronte privilegje kaq të shumta.

Tamam në njërën prej këtyre ditëve (jetonte në një gjendje të plotë dehjeje e vetëbesimi), guxoi dhe ftoi për garë vetë Atenën, pikërisht atë prej së cilës e kishte mësuar mjeshtërinë e endjes.  “Ju ftoj në një garë të hapur, Zonja ime”, thoshte mes të tjerave ftesa e saj.  “Cila prej ne të dyjave end më bukur dhe më mirë një pëlhurë”.  Dhe si për ta bërë edhe më të plotë sfidën kishte shtuar: “Motivet e endjes mund t´i zgjidhni ju vetë, Zonjë e nderuar”.

Ashtu siç dhe pritej, Atena u ndie e fyer si rrallëherë më parë dhe në çast vendosi t´i përgjigjej sfidës.

“Do t´i endim Perënditë e Olimpit në pëlhurat tona”, tha Ajo me ton të vrazhdë, pa ia hedhur sytë nxënëses mosmirënjohëse.

“Le të bëhet si thoni ju, Zonja ime”, tha Arakna me zë të ulët.  Dukej e penduar për ftesën, por tashmë ishte vonë të tërhiqej.  Ia kthyen shpinat njëra – tjetrës dhe filluan menjëherë nga puna.  Në heshtje.  Pa shkëmbyer asnjë fjalë njëra me tjetrën.  Vetëm zhurma e vegjëve dëgjohej.

Në fund të punës, Atena tregoi e para pëlhurën e saj.  Në të Perënditë e Olimpit ishin  krenarë, dinjitozë e madhështorë.  Tamam Perëndi.  Më pas, i erdhi radha Araknas të tregonte pëlhurën e saj.  Në të Perënditë e Olimpit ishin të thjeshtë, të zakonshëm, të dashuruar.  Tamam Njerëz.

Në çast Atena pati një turbullim të pazakontë brenda vetes.  Ndihej e zemëruar dhe e prekur në sedër.  E zemëruar, sepse Perënditë ishin endur me shumë vërtetësi (i njihte edhe më mirë se veten, ngaqë prej kohësh ishte këshilltarja e Tyre); e prekur në sedër sepse pëlhura e endur nga Arakna ishte shumë më e bukur se e saja.

Tamam atëherë Atena ulëriu si bishë e zënë në çark dhe rrëmbeu me forcë pëlhurën e Araknas.  Arakna deshi ta mbronte punën e saj (ishte, pa dyshim, pëlhura më e bukur që kishte endur deri më tash), por qe e kotë: thonjtë e gjatë e të fortë të Atenës, të ndihmuar jo pak edhe prej urrejtjes e tërbimit, e bënë copë e çikë atë.

“Përse u sollët kështu, Zonja ime?”, tha Arakna dhe s´i mbajti lotët.  Atena që s´denjoi as t´ia hidhte sytë nxënëses së talentuar por tepër mosmirënjohëse, u largua me hap të shpejtë.  Arakna fshiu lotët me shpinën e dorës së majtë dhe u përpoq t´i mblidhte copat e pëlhurës së grisur.  Por gjithçka qe e kotë: ato ishin aq të vogla, saqë përziheshin e ngatërroheshin me gjethet që kishte shkundur era e vjeshtës.

Tamam atëherë Araknas iu duk e kotë dhe e pakuptimtë gjithçka dhe vendosi të varej.  Me njërin prej litarëve që kishte thurur vetë, të cilin e hodhi sipër pemës që sapo kishte shkundur gjethet.

Ndërsa laku shtrëngohej gjithnjë e më shumë, Arakna foli me zë të shuar:

“Në djall Fama dhe Lavdia!  Një mijë herë më mirë do të kishte qenë po të kisha endur larg tyre, thjesht për qejfin tim”.

Por tashmë qe vonë për pendesë: fatin e saj prej merimange e kishin endur të tjerët./ ObserverKult