Rita Petro: Fundi i kësaj bote

rita petro

Poezi nga Rita Petro


Vëllai im,
Ky do të jetë fundi i botës
Orgazma e tokës që shpërthen jashtë
E gjithë bota do të digjet e tëra nga një vullkan
Që rri i heshtur nën tokë
Fshehur nën hirin e një vullkani të shuar.
E ndiej nën këmbët e mia
Si gëlon ai
E kam provuar
(Kam jetuar dikur
në Io-n shpërthyese të Jupiterit)

U drodh toka e llava mori para gjithçka
Drurë gurë tempuj shpata e çarçafë
Burra pleq fëmijë gra…kope me kafshë
Mijëra embrione ende pa dalë.
Unë vrapova ta shuaja zjarrin në oqean
Po dhe atje uji pluskonte…
E kujtoj si të jetë sot
Qelizat e mia u shkrinë në orgazmën llavë
Eshtrat mbetën aty – gurë të zinj
Mishi – hi
Që era e shpërndau në kozmos
E më solli këtu
Rilindur nga një vullkan i ri…

ObserverKult


Lexo edhe:


RITA PETRO: PSE TA NDRYSHOJMË, KUR KËSHTU E DASHUROJMË…

Pse ne gratë, (nuk përjashtohen as burrat), pasi fillojmë një marrëdhënie romantike e, sidomos kur e zyrtarizojmë atë, përveshim mëngët për një punë “të madhe” – ta ndryshojmë partnerin; ta modelojmë atë, sikur të ish prej plasteline?

Çdo përpjekje e tillë përfundon pa sukses, por edhe sikur të arrijmë diçka, ajo thjesht është e dukshme, e sipërfaqshme, e përkohshme. Ne dashurohemi me personin që ka të mira dhe “vese”. Dhe, pse ta ndryshojmë, kur kështu e dashurojmë?!!!

Tekstin e plotë e gjeni KËTU