Riza Braholli: Mos eja të lutem, mos eja

riza braholli të puthja

Mos eja të lutem, mos eja;
jam shembur e jam një rrënojë,
i shtrydhur, i tymtë si reja,
që era e hedh ku të dojë.

Ç’do gjesh më tek unë; në vatër
nuk ndrin e nuk ndizet më zjarr,
çatia e shembur dhe trarët
vithisur si pllazhdat në varr.

E ndjej si gërhet er’ e vjetër
dhe dimrin në eshtra e ndiej
trishtim e funebër në veshë
kambanë pa gjuhë që hesht.

Po ç’erdhe; me puthjen e ëmbël,
të valat buzë ç’m’i ngjit?
Më kot, s’më shqitet një nëmë;
s’ma shtie dot diellin në shpirt.

Ç’e nget atë lotin e gjorë,
që shkon e të falet në gushë;
në sy dhe i lagët, i ftohtë
më mbin dhe me akull më mbush.

Jo, s’mundesh kurrë që hijet
nga shpirti im t’i dëbosh.
Pas meje si loze hardhie
më kot më mbështillesh, më kot.

Jam shembur e jam një rrënojë,
në vatër nuk ndizet më zjarr,
një qeshje të vyshkur në gojë,
e mbaj në helm e në vaj.

04/11/2004

*Titulli i origjinalit: “Mos eja!”

ObserverKult


Lexo edhe:

“NËNËS SIME NUK I SHKRUAJ LETËR”, POEZINË E RIZA BRAHOLLIT E LEXON TEUTA SHAQIRAJ