Riza Braholli: Vetëm me ty mund të isha dashuruar…

riza braholli të puthja

Poezi nga Riza Braholli

Vetëm me ty mund të isha dashuruar…
me ty e askënd tjetër!

Gjithë ç’kam njohur
ishin të mençura e të bukura, por ti…,
ehe ti, je shumë më shumë, o shpirt;

je malli i një kënge dëgjuar qysh herët
diku në shpatin e pjerrët të një mali
nga një shpirt që endej pyllit të ahishtës
e këndonte vetëm për vete,
si t’i drejtohej qiellit përmjet zemrës.

Je vërshëllima e shkujdesur e buzëmbrëmjeve
në buzët e një djali të dehur; ai
sapo ka marrë prej së dashurës puthjen e parë.

Je… je fill i ujit që shket nëpër myshkun e blertë
e bëhet lot gëzimi që ngarend,
plas qelqet e pritjes në vazon e agimit
duke e mbushur botën me një grishje të re.

Po jo vetëm kaq, je frymë, që gjoksi im
e pret me gaz, si një këngë të re,
si diç përtej njohjes, kufijve të materies, diçka
që së pari mbjell hijen e vet prej malli
e të mbush me mungesë e dëshirim të kadifenjtë.

Je… Po si ta them,
se prehja nuk ka konture, s’ka ngjyra
veç s’di si qetohet e ndalet të vështrojë thellë
me sytë e ngulur mbi sipërfaqen e një çasti të lumtur .

Por, sado që mundohem, e ndjej,
përherë ke diçka më tepër, më përtej,
diçka të pakapshme që fshihet tej gjuhës,
e zjen e vlon, i shkon në kufi të pamundshmes
e fjalët pa kahje lundrojnë
pa mbërritur dot në ishuj mendimesh.

Ndaj them e them, e përsëris me ty,
vetëm me ty mund të isha dashuruar,
me ty e askënd tjetër!

ObserverKult


Lexo edhe:

NDËR MË TË BUKURAT E AZEM SHKRELIT: NË VEND TË PËRSHËNDETJES