Robert Desnos: Kaq shumë ëndrra me ty kam parë…

Poezi nga Robert Desnos

Kaq shumë ëndrra me ty kam parë sa ti zgjimin tashmë ke humbur.
Jam vallë ende në kohë të mund të të prek
Dhe në ato buzë të puth ardhjen në jetë
Të zërit që kaq përzemër kam?

Kaq shumë ëndrra me ty kam parë sa krahët e mi,
Prej zakonit hijen tënde përqafojnë
Dhe shartohen në gjoksin tim, sepse mbase
Dot s’lakohen nëpër harqet e shtatit tënd.
Kështu dhe unë, i ndodhur në ballë të mërisë
E cila prej ditësh e vitesh më udhëheq,
Veç në hije do mund të shndërrohem.

O ju, ndjenja të mirëpeshuara.
Kaq shumë ëndrra me ty kam parë sa kurrëfarë
Kohë s’më mbetet që sytë të çel.
Në këmbë unë fle, me shtat shpalosur
Ndaj gjithe dukjeve të jetës,
Dukjeve të dashurisë dhe ty, se për mua
Ti mbetesh e vetmja vëmendje.
Të paktën të mund të cakisja ballin tënd
Dhe buzët e tua, të parat buzë
Ball’ i parë mbërritur deri tek unë.

Kaq shumë ëndrra me ty kam parë, shumë kam ecur, folur,
Fjetur me vegullimin tënd,
Tjetër pra ç’më ka mbetur ende
Veç të jem vegullim dhe unë vetë
Përmbi tërë vegullimet, pafundësisht hije
M’e errët se hija që shëtit
Dhe lumturisht ajo do vazhdojë të shëtisë,
Mbi hapat rrezatues të jetës tënde.

Nga përmbledhja “Corps et biens” (1930).

Shqipërimi nga origjinali: Edon Qesari 

ObserverKult

Robert Desnos

Lexo edhe:


PABLO NERUDA: JETËN TIME DO E NGRYS NËPËR TY