Robert Shvarc: Oh, falmë, falmë mikja ime…

shvarc

Poezi nga Robert Shvarc

Oh, falmë, falmë mikja ime
Në ta lëndova përsëri
At’ plagë që s’don më ngushëllime,
që don të mbetet si jetime
krenare pa njeri!

Oh, falmë, falmë pse kërkoj
Prej teje unë dashurinë
E dhëmshurisht pse të qortoj
Në çastet-vrer, kur shpesh harroj
Se ty ta vranë rininë …

Ësht’ malli im gjithë pikëllim
Që djeg e bren aq pushtetplot
E kur s’e gjen atë flijim
Që e njeh aq fort në shpirtin tim
I mbeten veçse lot!

Ësht’ zemra ime q’u mësua
Çdo rrahje t’sajën ta durojë,
që kurrë s’i tha njeri “Të dua!”
që u ndez përherë dhe u shua…
pse di të dashurojë.

E pra, më fal e dashur ti,
tani t’kuptoj unë ty më mirë:
çdo ças dhe unë po ndiej mërzi
e shpesh s’kam mall, s’kam dashuri,
s’kam gaz, s’kam më dëshirë!

Oh falmë, falmë mikja ime,
s’do t’i lëndojmë ne kurrsesi
k’to plagë që s’duan ngushëllime,
që duan t’mbeten veç jetime
ashtu si une, ashtu si ti …

ObserverKult


Lexo edhe:

ROBERT SHVARC: MOS MË LËNDO, SE TË KAM BESUAR SHUMË…

Dhe ja si gjithmonë, gjithnjë kur dashuroj,
në anijen tënde velat e lundrimit po ngrihen…kundroj
velat që rrëmbejnë në largësi të panjohura dashurinë time
e unë mbetem i vetëm, fshehurazi dëshiroj.

Më pas me një  çmim të trefishtë paguaj ndarjen me ty,
netëve të gjata pa gjumë, në lot.
Ndaj mos më lëndo kur nga dritarja ikjen tënde ndjek…,
se si largohesh nga unë duke lënë acarin në shpirtin tim
dhe shpresën e pashpresë se do të takohemi sërish diku,
                                                                 dikur një ditë…

Poezinë e plotë e gjeni KËTU