Robert Shvarc: Të ndjej, o mike e shpirtit tim!

shvarc

E ç’të shpresoj tani për ritakime?
Ato po mbeten gonxhe që nuk çelin!
Parajsë dhe skëterrë në zemrën time,
rënkime dhe shpresa që më dhelin!

Gjithnjë tek un’ jetoka një dëshirë:
t’i falem pastërtisë së panjohur,
asaj që është m’e lartë dhe m’e mirë,
asaj që deri tani nuk më ka ngrohur.

Këtë e quaj unë shenjtërim –
dhe e ndiej për Ty, o mike e shpirtit tim!

Por ja që mbetem prapë i vetmuar
dhe koha shkon, asgjë nuk më dhuron.
E gjith’ ajo, që n’heshtje kam varguar,
më lumturon e prapë më trishton…

E malli prapë më shtyn nëpër shtegtime,
ku unë dalngadalë vras veten time.
Dhe po humbas, por nuk më vjen çudi,
se jeta më llastoi e përkëdheli:
më fali zjarr, kurorë dhe lavdi,
por dhe më shpesh më tundi nga themeli.

——————————————————–

LEXO EDHE:

ROBERT SHVARC: O DASHNIJA EME E ANDRRUEME!

O ti, dashnija e eme e andrrueme
ke mbetun veç e gjallë në lotin tonë,
ke mbetun si dëshira e plagueme
ndrydhë n’nji varrë të vjetër që më dhemb…

Kush je, ku je, kur vjen e kur po shkon –
pse shkon si vjen, e prap ti mue më len
n’nji terr të zi, ku drita nuk agon,
n’nji vuejtje prore, që vuejtje t’tjera m’bjen.

A thue kanë me kalue dhe shumë agime
tue t’thirrë ndër andrrat, vash’e mallit tem,
me shpresa që veniten si gjetht në vjeshtë?…

A thue gjithmonë e trishtë kanga ime,
Si kanga e bylbyl-qytetit n’gem
ka me tingllue n’kte shekull kaq të thjeshtë?!…


LEXO EDHE: ROBERT SHVARC: MË NDJE!

Ç’kërkoj unë
në thellësitë e buta të syve të tu gjumashë…?

Unë, breshëri, s’kam ndonjë punë
të bie mbi tokën tënde vlagë,
që vesën pret me dëshirim-
dhe jo rebeshin, shkatërrimin…

Falma përmallimin,
dobësinë
e këtij çasti çiltërsie:
Unë prapë do të marr arratinë,
e do të fshihem nëpër muzgje kotësie,
e do strukem në guvën time
që të lëpij, si bisha,
ndonjë plagë
të vjetër a të re…

Jo, unë
s’kam ndonjë punë
në thellësitë e buta të syve të tu gjumashë-

Më ndje!