Robert Shvarc: Unë shpejt bashkë me ty do fshihem…

Ndriço, pse fshihesh o hënzë e trishtuar
pas resh të zymta të natës dimërore?
Vështro si qielli shikime dashurore
të hedh gjith zjarr, gjithë mall të pashuar…

Ndriçomë, o drit’ e zbehtë fshehtësie,
o ti, që sheh çdo brengë ‘ e lumturi,
o ti, dëshmuese e dehjes n’dashuri,
o ti, frymëzim i butë poezie…

Mos vallë pe me sytë ëndrrimtarë
në këtë natë atë vashëzën gjithë flakërime
buzët e prushta të të pashmit djalë?

Tregomë pra, o e vetme mikja ime,
e mos m’u fshih pas reve e brengosur-
gjithnjë të ndjek n’lundrimin e pasosur
me vështrim venitur në trishtime.

Ah, ti dhe unë lundrojmë papushim
mbi ret’ e grisura të qiellit tonë.
Ty yjet e artë t’ndjekin gjithmonë
mua dy yjekaltër m’ndrisin gjithë shkëlqim…

Ti hesht e fshihesh pas reve të zymta,
dhe unë shpejt bashkë me ty do fshihem
thellë pas një qielli nga ku më s’do ngrihem
përkundur, mahnitur nga ëndrra të tymta…

21.02.1995

*Titulli i origjinalit: “Dyshim”


Lexo edhe:

ROBERT SHVARC: MBETSH ME SHËNDET E LAMTUMIRË!