Poezi nga Roland Gjoza
në vendin tim nuk ka të varfër
malli i ka marrë shqiptarët për një arnë
për një fetë bukë me marmalatë
po s’ka
të gjithë pijnë uiski me akull
xhin irlandez, rum xhamajke
e kanë lënë rakinë me shije katundare
mishi piqet në hell, peshku në grillë
dhe bukë s’hahet fare
se është e turpshme të hash bukë të zezë
në vila rrojnë
të gjithë vila kanë
makina të shtrenjta gjermane
dhe kafenetë si atje si gjen në asnjë vend tjetër
rrojnë të lumtur në vendin tim
aq sa një pendim më zë e më gërryen
pse ika dhe e lashë në ditët e këqija
kur demokracia po pillte një foshnjë të vdekur
po foshnja u ngjall
u bë e shëndetshme
ka për të gjithë
për të gjithë ka!
s’ka të papunë në vendin tim
për papunësinë i ka zënë malli shqiptarët
duan të vinë në amerikë
po në shqipëri milioner bëhesh brenda ditës
se aladini llambën magjike aty e humbi
e gjetën kusarët
dëshira e parë ishte të kthehen
të ikurit si unë
në atdhe balta është më e ëmbël se mjalta
kështu këndon Çajupi
dhe ka para me thasë
do? merr! ka për të gjithë!
s’di ç’të bësh më parë me paratë
kanë vendosur të ndihmojnë amerikën
në vendin tim nuk vdes
e po kjo s’durohet
në Amerikë vdesin përditë
në Amerikë nuk rrohet!
kthehuni, o plangprishës
të madhe po e bëjmë zemrën për ju
veç pa një dru nuk do të shpëtoni
na e keni prurë në majë të hundës
se mos na e bëni Shqipërinë si Amerikën
mjerë ju
po i patët këto mend
në hu do t’ju ngulim, në hu!
dhe prej baltës si mjaltë s’do t’ju japim të ngjëroni as një pikë
kthehuni, o plangprishës, skllevër të Amerikës
të fitoni lirinë!
ObserverKult
Lexo edhe:
ROLAND GJOZA: NË SHQIPËRI DO TË KISHA VDEKUR ME KOHË
në shqipëri do të kisha vdekur me kohë
s’do të më dilte as për te blerë një gazetë letrare
si exlibris
atje çmimet rriten
atje vuan për t’u ngrohur në dimër
askush nuk mendon për ty
dhe kur vdes
kujtojnë se je midis të gjallëve
të gjithë kanë vdekur një herë
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult