
Jam romja.
Bija e rrugëve të gjata.
Ajo e zjarreve qê s’fiken, e kangëve që më lindin nga dhimbja.
Romja që beson në perin e kuq të Shën Gjergjit,
Me iu kujtu se edhe romja ka Zot.
Nuk erdha për të kërkuar mëshirë as lëmoshë.
Erdha të ju tregoj se kush jam.
Sot kam festë.
Ederlezin.
Romja s’e pret festën.
Ajo zgjohet para saj.
Para se drita të hyj në shtëpi,
unë zgjoj ujin e marrur nga kroni,
e i flas butë që mos ta trembë fatin.
Lajë duart e fëmijëve e sytë që panê shumë.
Në Ederlez jam larë herët,
para se ligjet tuaja të zgjoheshin me më paragjukuar e gjykuar,
akoma pa më dëgjuar e pa më njohur.
Romja që e shihni ngarkuar me drunj mbi shpinë e fëmijët duke i mbajtur në krahët e mpirë.
Romja që kurrë s’ka pasur muret për t’u mbrojtur.
Romja që gjithmonë ka kërkuar pak,
të na lini të jetojmë e të vallëzojmë të lirë mbi zjarret tona.
Jam romja, që mposhti edhe zotërinë e pallateve me epshin e saj, e ku era e parfumit të tij u përzi me erën time të rrugës.
Romja qê s’le asgjë për nesër.
Unë sot këndoj,
sot dua,
sot ik.
Romja që më keni prekur më shumë me fjalë,
se me duar.
E që fjalët tuaja më kanë djegur ma fort
se hithrat e Ederlezit.
Ederlezit tonë të gjallërisë.
Ku unë shlirë e pa turp dalë me govatê mbi kokë drejt kroit ku unë kam larê jetën pa kërku falje nga uji.
Aty lajë rrobat, sytë, gjinjtë e pluhurin e rrugêve.
Lajë fatin e viteve tê shkuara.
Jam romja që gjithë historinë time e ruaj në gjuhë, e ruaj në kangë.
Jam unë.
Romja me lëkurë të errët.
E lindur në rrugë,
Në rrugët që s’më tradhëtuan asnjëherë.
Me kungullin e egër po shkoj ta trembi fatin e keq, e ti shuaj zjarret,
Ti thërras erërat e shpirtërat e stërgjyshërve të kërcejnë mes nesh duke kënduar himnin tonë “Djelem djelem”
P.S. Si fëmijë çdo Shën Gjergj shkonim te Kroni i keq. Mbanim rruaza tê bëra nga kungulli i egêr nê qafë. Pa ia dijtë kuptimin lanim sytë nê krua, mbushnim ujë te kroni, dhe merrnim gjethe të gjelbruara.
Perin e kuq e lidhnim në një nga shkurret më të fshehta.
Pastaj vinin romët. Bashkë me ta edhe vallja e kanga rome…Ederlezi e Djelem Djelem.
Me mikun tim të ndjerê Kujtim Paçakun kemi biseduar shumë për njê mbrëmje poetike kushtuar romes.
Êshtë njêra nga poezitë e mija kushtuar asaj. Romes sê Kodrês së Alimetêve, asaj të Mahallës së Kovaçëve, Mahallês së Romêve, romes…
ObserverKult
Lexo edhe:






