Tetor 1990, regjimi komunist në Shqipëri po përpiqej të mbante pushtetin. Një delegacion europian vjen në Tiranë për të monitoruar zbatimin e reformave të qeverisë, një parakusht i madh që Shqipëria të pranohet në OSBE.
Leo është marrë fshehurazi nga një burg i largët dhe është sjellë në kryeqytet. Ai ka qenë një i burgosur politik për 15 vjet, e tani është bërë jashtëzakonisht i vlefshëm për qeverinë.
Delegacioni europian udhëhiqet nga një shok i shkollës së vjetër të Leos e detyra e tij është të kontrollojë progresin e të drejtave të njeriut në Shqipëri.
Leo mund ta bindë atë se gjithçka është në rregull, por asgjë nuk shkon siç është planifikuar…
Kjo është historia që rrëfehet në filmin e bujshëm “Delegacioni“, ku projektohet diktatura në ditët e fundit, me skenar të Artan Minarollit e me regji të Bujar Alimanit, që u shpall fitues në garën ndërkombëtare në Festivalin e kategorisë A “Warsaw Film Festival”.
Denardo Neziri, aktori që luan rolin e punonjësit të komunës që i ndryshon jeta me një telefonatë, rrëfen për “Panorama Plus” përjetimet e lojës aktoriale mes emrave të mëdhenj si Viktor Zhusi apo Ndriçim Xhepa.
Ai rrëfen dy eksperiencat unike në kinema, nga trysnia e pushtetit nën regjimin e Enver Hoxhës në filmin “Gjirokastra”, te ndryshimi i sistemit në filmin “Delegacioni”.
Duket se u shkon përshtat filmave shqiptarë me skenar kohën e komunizmit, pasi para se të luaje në filmin “Gjirokastra”, të pamë në filmin “Delegacioni”. Si është pritur ky film?
– Ky film është bashkëprodhim në mes të Shqipërisë, Kosovës, Francës dhe Greqisë. Me skenar të të ndjerit Artan Minarroli dhe regji nga Bujar Alimani, filmi flet për Shqipërinë e ‘90-ës, ku në kontekst është ish-sistemi komunist.
“Delegacioni” është vlerësuar me disa çmime në festivale të ndryshme dhe shumë të rëndësishme në botë, si Festivali i Varshavës etj. Ndërkohë është shfaqur në shumë shtete të botës dhe është pritur shumë mirë nga publiku dhe kritika kinematografike.
Si një aktor në kast mes shumë emrave të njohur, si do ta rrëfeje me pak fjalë subjektin e këtij filmi?
– Në fillim të viteve ‘90-të në Shqipëri vjen delegacioni gjerman të krijojë lidhje me Shqipërinë dhe të takojë një nga ish-byroja politike, i cili është i arrestuar, rol që luhet nga Viktor Zhusti… Më pas historia merr rrjedhën e saj…
Cili ishte roli yt dhe si e përjetove duke qenë se je ende student dhe atë kohë në fakt s’e ke përjetuar…?
– Unë kisha rol episodik si një punonjës komune. Por mund të theksoj se edhe pse jo rol kryesor, ka një tension shumë të madh në linjën dramaturgjike.
Pse tension?
– Tension sepse Shqipëria po hynte në një rrymë të re qeverisjeje dhe duhet të qëndroja sa më ideal dhe brenda motos “propagandë”.
Dhe si vazhdoi fati yt?
– Fati im në film ndryshoi vetëm se një telefon nuk punonte dhe më mbeti mua i gjithë problemi, deri kur kur vjen kreu i lartë i shtetit, që luhet nga aktori Ndriçim Xhepa.
E pasi e pe veten në film me veshjen e burokratit, ndjeve më shumë trishtim apo lumturi?
– Në fakt u ndjeva dhe ndihem shumë i lumtur. Edhe për faktin se ky film tashmë ka marrë shumë vlerësim edhe në Francë, madje është dubluar dhe në gjuhën frënge. Në fakt janë realizuar jo pak filma shqiptarë me subjekt kohën e komunizmit.
Mendon se mjafton të shohësh “Delegacionin”, është filmi që ka projektuar më bukur atë kohë?
– Regjisori Bujar Alimani ka bërë një punë shumë të mirë dhe të përkushtuar, si dhe i gjithë kasti apo grupi francez. “Delegacioni“ është vërtet një film që e përfaqëson Shqipërinë shumë mirë në festivale të mëdha. Ndihem i lumtur dhe i lutem medias të ketë interesim të madh ndaj këtyre prodhimeve të qëndrës ish- “Kinostudio e Re” që sot quhet “Alba film”.
Ndërkohë, si aktor, ke provuar pas “Delegacionit” një tjetër eksperiencë vërtet të bukur në filmin “Gjirokastra”, po ashtu me subjekt nga koha e komunizmit. Çfarë roli kishe dhe si u bëre pjesë e kastit?
– Te filmi me metrazh të gjatë me titull “Gjirokastra” kisha gati 3 vjet që prisja realizimin e tij. Kam ndjekur audicionet që u zhvilluan në Akademinë e Arteve, mes shumë figurash të shquara të skenës dhe ekranit. Por para disa kohësh që filloi përsëri audicioni, ndodhesha në Akademi, kur më telefonoi asistentregjisori. Në një moment m’u duk e pabesueshme dhe bërtita me të madhe në korridor (Qesh).
Të nesërmen që do të shkoja në audicion kisha shfaqje në Teatrin Eksperimental dhe mbërrita pak me vonesë, diku te 5 minuta. Fryma më merrej se bëra njëfarë rruge me vrap. U prezantova me regjisorin, bëmë një intervistë të shkurtër dhe i interpretova një monolog, sepse ma kërkoi. Bëra monologun e një djali të çmendur dhe u zhvesha gati lakuriq. (Qesh). Fundja, audicioni është prezantimi ynë dhe duhet të jesh i gatshëm për çdo rrethanë.
Regjisorit rus, Juri Arabov, i pëlqeva shumë, kështu më tha: “Mirëserdhe në film! “. U entuziazmova shumë, sepse doja vërtet të punoja në atë film dhe me atë produksion shumë korrekt dhe profesional. Kisha rolin e animatorit, sepse në Gjirokastër kanë tradita dhe zakone si çdo krahinë e Shqipërisë. Kur mbanin dasmat, i zoti merrte edhe personazh gazmor që të organizonte ceremoninë, të bënte aheng, të ironizonte dasmorët e të luante me ta. Ky ishte roli im i animatorit.
Si e përjetove të ishe pjesë e filmit të parë artistik me protagonist Enver Hoxhën dhe Nexhmijen?
– T’ju them të drejtën, e kam përjetuar me shumë përgjegjësi të madhe. Më dukej sikur do ndërtoja një pallat të madh shumë, prej kartoni. (Qesh) Dua të them që ishte vërtet përgjegjësi dhe puna ime me rolin nisi që në momentin që fitova audicionin. Sapo mora skenarin në dorë, nisa direkt me analizën.
Sepse filmi fliste për Shqipërinë në marrëdhënie me Bashkimin Sovjetik, Shqipërinë e regjimit komunist, kështu që m’u desh të informohesha shumë mbi këtë histori dhe mbi të gjitha për Gjirokastrën. Kjo për faktin se personazhi që do të luaja ishte gjirokastrit, ndaj m’u desh të lexoja e të shihja shumë dokumentarë, që të njihja mirë diktatorin. Kështu që nuk shkova as në shkollë. Kjo më penalizoi. (Qesh)
Kishe dialog me Enver Hoxhën në film, që interpretohet nga Neritan Liçaj?
– Nuk kisha dialog me Enverin, por përjetoja ndjesinë e të mosshprehurit, të izolimit të vetvetes. Unë skenat, dialogun i kisha me aktoren e madhe, Tinka Kurtin. Ishte ajo që më bëri një shkollë më vete në sheshxhirim, bashkë me Besmir Bitrakun, Loredana Gjeqin etj. Për mua, deri më sot që jam ende në hapat e parë të aktrimit, ky është filmi që më ka lënë pa gjumë, si nga nga gëzimi, ashtu dhe puna me rolin.
Nga aktoret shqiptare, me cilat ke pasur më shumë kimi?
– (Qesh) Është një vajzë shumë bukur, e ëmbël, lozonjare. Nuk e shoh të arsyeshme t’ia përmend emrin, pasi për mua jeta është si një lumë që rrjedh dhe merr çfarë gjen përpara./panorama.com.al