
Rudhë, u afrova edhe më shumë
pasqyrës
një rudhë e re, aty
sipër vetullës
e hollë si pe peshkimi
mendoj, me plot të tjera
qëndron si telat e ngatërruar
në shtyllën karshi shtëpisë
ama kjo, nuk e di, më duket e tepërt
Eh, jo pak 49 dimra shkelur
plagë pas plage
vit pas viti
po dromcohem
si gjethet e borzilokut në saksinë
e vogël te kuzhina
çuditërisht, pajtohesh
se udhëton drejt finishit
dhe atje të pret medalja
për pritjet para dyerve të sallave blu
rrugëve të shkelura të Orientit
lotëve, gjakut nën thua
e zemrën ngjitur si vazat e
poçarit plak
pas ca pranverave
në vijën e bardhë
aty kur të pushoj pulsimi, atëherë
ndoshta ata me flatra
kanë mbajtur shënime saktë e mirë
e na thonë
shpirt i qetësuar, kthehu tek Zoti yt.
ObserverKult
Lexo edhe:






