Pyetësorit të Prustit i përgjigjet poetja Rudina Papajani.
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
-Lumturi të përkryer nuk ka, por ka çaste të lumtura, momente të bukura që ulen kaq ëmbëlsisht tek ne. Atë çast ti thua të lutem mos ik, zgjat përgjithmonë që unë të lumturohem pa kufi. Duke mbledhur çdo ditë këto pika lumturie arrijmë të dashurojmë pikërisht ato “gllënjka të ëmbla ” që bëjnë diferencën me jetën e zakonshme.
Cila është frika juaj më e madhe?
-Frika ime më e madhe është se mos humb njerëzit e mi të dashur, ata që çdo ditë zgjojnë motivin e jetës sime përse jetojmë në simbolin jetësor.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
-Njeriun që unë dua…ai është admirimi im me principet e një njeriu fisnik në çdo moment sado i vështire qoftë në jetën time.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
-Ka shumë personalitete që unë adhuroj, por do të veçoja Princeshën Ledi Dajana për forcën , guximin, humanizmin dhe vyrtytet e larta që ajo shpalosi. Pikërisht për këto vlera asaj doja t’i ngjaja në identifikim dhe personalitet për njerëzit në nevojë.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
-Tipari im që dua ta ndryshoj është sinqeriteti i tepërt me njerzit e ligj që në çdo rast ta marrin për dobësi duke përfituar në mirësinë e tjetrit.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
-Tipari që nuk pëlqej është dyfyrësia, sjellja “Huraip”, dhe mbi të gjitha shtirja fals.
Në cilat gjëra e teproni?
-Gjërat teprohen vetëm me humanizmin e theksuar tek njerëzit pa karakter që çdo gjë që ti bën për ta e marrin sikur ti ja ke borxh…pra te mosmirënjohësit.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
-Do të më shtynte të gënjeja vetëm pë njerëzit që unë dua për t’i nxjerrë nga situata me një gënjeshtër të bardhë.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
-Rrugëtimi im i preferuar është të udhëtoj pa fund në vendet mistike, enigmatike dhe historike.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
-Motoja apo fraza që unë përdor është…Të ndihmoj njerëzit në nevojë…përkushtimi sidomos për fëmijët.
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
-Keq më ka ardhur që kam ndihmuar njerëzit midiokër kur ndërkohë mund ta shpenzoja kohën time të vyer te njerëzit e mirë që presin shumë prej meje.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
-Dashuria më e madhe në jetë është për prindërit. Të vetmit që nuk mund t’ua shpërblej mundin dhe djersën per të më bërë femra me forcën e karakterit që jam sot. U falem dhe përkulem.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
-Gjendja momentale është se jam më e paqtë se kurrë më parë me veten dhe me njerëzit që më rrethojnë.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
-Do të ndryshoja që të isha më e prerë me njerëzit pa kurfarë dinjiteti dhe morali.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
-Arritja ime më e madhe se kam ecur përpara duke realizuar shumë detyra që i kisha vënë vetes duke mposhtur sfidat e jetës…Natyrisht ecja vazhdon…
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
-Nëse do të kthehesha pas në kohë dhe si për çudi koha do të rikthehej do të realizoja ëndrrën time për aktrim, aty ku unë gjej veten në artin më të bukur të të shprehurit.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
-Sikur të vdisja dhe të kthehesha qoftë edhe një ditë do të shndërrohesha në një ëngjëll mbrojtës pêr njerëzimin ku me një shkop magjik të zhdukja të keqen, të falja mirësinë dhe botën e djallit ta dërgoja në ferr një herë e përgjithmonë.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
-Gjëja më e shtrenjtë që posedoj është forca dhe guximi im për të ecur përpara, dashuria për njerëzit, vyrtyti dhe fisnikëria si pjesë e genit familjar nga rrjedh.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
-Konsideroj mjerimin më të madh njeriun e vogël në shpirt, një lëpirës çizmesh padroni ku ke humbur mjerisht personalitetin.
Ku do të dëshironit të jetonit?
-Dua të jetoj aty ku është dashuria ime, ndjenja më e bukur, ku unë shoh shpirtin tim binjak dhe lumturohem. Pra dua një jetë të thjeshtë me pasurinë e shpirtit tim binjak.
Cila është cilësia juaj më e veçantë?
– Cilësia ime e veçantë është thjeshtësia me njerëzit, humanizmi im në dyer të mbyllura, sakrifica aty ku kërkohet një ndihmë.
Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
– Tipari dallues te një mashkull që unë vlerësoj është fisnikëria e shpirtit, butësia ndaj seksit tjetër, kavalier në çdo moment, sakrifica per familjen dhe mbi të gjitha per mua primare është besnikëria ndaj femrës që do duke sjell atributet e duhura për krijimin e një familje solide.
Çfarë vlerësoni tek një femër?
-Tek një femër vlerësoj butësinë, elegancën në fizik, shpirtin e sakrificës pêr familjen , tolerancën në mendimet dhe idetë që ajo fokuson. Mëmësia që ajo rrezaton si një prelud të bukur që Zoti krijoi në tokë.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
-Shkrimtari im i preferuar është Ismail Kadare si një ikonë e letërsisë shqiptare,i papërsëritshëm për mua.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
-Heronjtë e mi janë prindërit e mi. Ata që sakrifikuan dhe japin jetën për lumturinë time. Nuk do t’i ndrroja me asgjë në botë. Faleminderit që ekzistoni ëngjëlli im nga lart babai dhe nëna ime heroinë në tokë.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
-Do të doja të isha kompozitore, të dhuroja art përmes tingujve, të mbushja shpirtërat njerëzor me botën e magjishme muzikore.
Si do të dëshironit të vdisnit?
-Do të dëshiroja të vdisja si një shqiponjë në fluturim e sipër që puth botën e vogël me forcën e saj në prag të një ikje.
Cila është motoja juaj?
-Motoja ime është të eci pambarim me forcën dhe kurajon që posedoj, të mposht çdo barrierë dhe sfidë me shpirtin e madh që vetëm femra e ka…e vetmja dorë që tund djepin./ ObserverKult