Sa vlen sot ari i shumëpërfolur që mori me vete Ahmet Zogut?

Historiografia nacional-komuniste akuzoi për pesëdhjetë vjet me radhë ish-mbretin Ahmet Zogu se “vodhi thesarin”. Dhe së fundmi, një dokument shpalli se Zogu kishte marrë me vete në Greqi 250 mijë napolona. Sa vlejnë këto para në kohën tonë?

Nga Gjergj Erebara

Floriri ka një vlerë materiale dhe një vlerë mistike dhe kjo e fundit shërben mirë për propagandë.

Vlera e floririt sot është dukshëm më i ulët se sa ka qenë historikisht për shkak se që nga vitet 1970, bota filloi të përdorë paranë “fiat”, gjë që e la arin si material të vlefshëm për zbukurime por pa rol monetar.

Së fundmi, Arkiva e Shtetit publikoi në faqen e vet në Facebook një dokument në të cilin shkruhet se ish-mbreti Ahmet Zogu, në çastin e largimit të tij nga Shqipëria në vitin 1939, kishte me vete një shumë prej 250 mijë napolonash ar.

Dokumenti është hartuar nga një zyrtar i kohës, i cili i referohet “burimeve të sigurisë” për të raportuar se sipas informacionit të tij, pala greke kishte gjetur kaq para te Zogut në çastin kur ai kaloi në Greqi për t’u arratisur nga Italia Fa shiste që zbarkoi në Shqipëri.

Duke lënë mënjanë çështje se sa i besueshëm është ky burim informacioni, pyetja është se si mund t’i japim kuptim shifrës prej 250 mijë napolonash.

Napoloni është një monedhë ari me peshë 6.42 gram dhe pastërti 900 për mijë ose 21.6 karat. Napoloni ka qenë monedha bazë e një numri vendesh që ishin pjesë e një aleance të njohur si Unioni Monetar Latin, ku merrnin pjesë Franca, Italia, Belgjika e vende të tjera. Kjo do të thotë se të 250 mijë napolonat ishin të barabartë me afro 1450 kilogramë ar, të cilat në tregun ndërkombëtar sot kushtojnë afërsisht 80 milionë euro.

Krahasimi me të sotmen nuk ndihmon shumë për shkak se ari në atë kohë ishte monedha bazë dhe rrjedhimisht, shumë e rëndësishme dhe e çmuar ndërsa sot ari është më së shumti material për bizhuteri dhe jo më aq i çmuar.

Napolon në fakt është nofkë popullore. Emrin zyrtar kjo monedhë e kishte 20 franga, ose 20 lireta.

Pra një napolon ishte i barabartë me 20 franga ose 20 lireta.

Franga ishte monedha e pranimit të taksave dhe e shpenzimeve buxhetore në shtetin shqiptar të para-luftës e deri në vitet ’50. Për shembull, buxheti i shtetit për vitin fiskal 1937-’38 parashikonte të ardhura dhe shpenzime në masën 26 milionë franga. Nëse supozojmë se Zogu mori me vete 250 mijë napolona, apo 5 milionë franga, kjo do të thotë se ka pasur në çastin e largimit afërsisht 20% të buxhetit vjetor të vendit.

Nëse e transpozojmë këtë me situatën e sotme, ku të ardhurat buxhetore janë afërsisht 5 miliardë euro në vit, atëhere mbreti i sotëm duhej të largohej me afërsisht 1 miliardë euro me vete që të mund të konkurronte Zogun.

Zogu e udhëhoqri Shqipërinë nga viti 1925 deri në vitin 1939, afërsisht 13 vjet, e barabartë kjo me gjysmën e mandatit të Berishës dhe me mandatin e plotë të Ramës ose anasjellas, mandatin e plotë të Berishës dhe gjysmën e mandatit të Ramës.

Gjatë trembëdhjetë viteve të fundit, buxheti i shtetit të Shqipërisë ka pasur të ardhura totale prej afro 44 miliardë eurosh.

Nëse Shqipëria do të ishte qeverisur nga një mbret, që ky mbret të bënte në fund aq para sa supozohet se i mori Zogu me vete, atëhere atij i duhej të përvetësonte afërsisht 2.3% të të gjitha të ardhurave.

Duke parë shkallën e korrupsionit në vend, kjo nuk duket shumë e pamundur.

Zogu qeverisi Shqipërinë si diktator, (pretendonte se ishte diktator i ndritur) dhe dha për kompani të huaja koncesione të shumta, në miniera, por edhe në banking qendror. Çatin Saraçi, një ish-zyrtar, pretendon në kujtimet e tij se bakshishi i paguar për koncesionin e Bankës Kombëtare të Shqypnís ishte 2 milionë franga, shifër kjo e barabartë me 100 mijë napolona ar. I vërtetë apo i pavërtetë pretendimi i Saraçit, fakti është që koncesioni i bankës qendrore rezultoi një investim jashtëzakonisht fitimprurës për koncesionarët. Fitimet vetëm për vitin 1938 ishin afro 1.1 milionë franga ari.

Sa i përket akuzës së përsëritur të komunizmit se Zogu “vodhi thesarin”, ka gjasa që kjo është e pavërtetë.

Banka Kombëtare e Shqypnís, ishte në këtë kohë nën pronësinë e drejtpërdrejtë të qeverisë italiane. Selia qendrore e bankës ishte në Romë. Bordi i saj ekzekutiv ishte në Romë.

Ari monetar, pra “thesari” i bankës, mbahej në Romë e për rrjedhojë, vështirë se gjendej në Tiranë për t’u vjedhur nga Zogu. Për më shumë, dihet se ari monetar, që ishte gjithsej 2334 kilogramë, u mor nga ushtria Gjermane nga Roma dhe më pas nga ushtria Britanike nga Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore.

Nëse thesari u mori këtë rrugë, a mund të vidhej ai nga Zogu?

Për më shumë, vetë koncepti që “vodhi thesarin” dhe iku duket sikur nuk qëndron. Nëse qeveria shqiptare kishte thesar në vitin 1939 dhe vendi po pushtohej nga një fuqi armiqësore, ishte e logjikshme që thesari të zhvendosej bashkë me qeverinë në vend që t’i lihej pushtuesit në dorë.

Banka Kombëtare e Shqypnís u konfiskua nga regjimi komunist në vitin 1945. Por në duar e qeverisë së re ishin vetëm kartëmonedhat në qarkullim, ndërtesat e BSH dhe çfarë mund të gjendej në arkën e bankës.

Zyrat qendrore të bankës në Romë nuk ishin të arritshme për qeverinë shqiptare. Banka Kombëtare e Shqypnís si entitet ekonomik italian, nën pronësinë pothuajse të plotë të qeverisë italiane, vijoi aktivitetin deri në vitin 1957 kur u likujdua. Asetet e saj në atë kohë, rreth 1 miliardë lireta, i kaluan Ministrisë së Financave të Italisë./ Report.al

ObserverKult


Lexo edhe:

Historiani Erald Kapri thotë se Ahmet Zogu ishte një njeri i pasur para se të bëhej Mbret i Shqipërisë.

Në emisionin “Now”, Kapri u shpreh se edhe pa floririn dhe bizhuteritë, Zogu zotëronte një pasuri të madhe, e cila në ditët e sotme kapte vlerën e 10 milionë eurove.

“Zogu realisht ka qenë një njeri shumë i pasur edhe para se të bëhej mbret. Ishte një nga biznesmenët e parë në Shqipëri.

Në 1919 këtu ka ardhur një industrialist italian, i cili bëri një marrëveshje me Zogun për pyjet e zonës së Pukës dhe Fushë Arrëzit. Bëri një marrëveshje për 700 mijë lireta të kohës.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult