Sabri Hamiti: Át Donat Kurti simbas Át Zef Pllumit

Sabri Hamiti
Sabri Hamiti

Nga Sabri Hamiti

NYJA E PARË: CILËSIMI

“Át Donat Kurti âsht vjollca e letrave shqipe”. Ky është cilësim i krijuesit dhe i karakterit të tij, i mbështetur në figurën e vjollcës. “Lulja e përvûjtë me nji aromë aq të kandshme që rrin e mshefun prej shkurreve e ferrave”.

Vjollca, që nuk bie në sy si zambaku, drandofilja e karanfili, por figuron krijuesin Át Donat Kurti që nuk punon për lavdí, por për të nxjerrë në dritë mendimin estetik, etik e filozofik të shqiptarëve nëpërmjet këngëve dhe përrallave shqiptare. Në këtë vështrim Kurti është krijues letrar dhe kulturor duke shfaqur talentin dhe dijen e vet për të kaluar artin letrar nga gjuha e folur në gjuhën e shkruar.

NYJA E DYTË: GJYKIMI

Át Zef Pllumi, që “rrnon vetëm për me tregue”, paraqet dramën e Át Donat Kurtit, kur më 15 janar 1948, në zyrat e “Hyllit të Dritës” në Kuvendin Françeskan që ishte kthyer në një burg të tmerrshëm torturash dhe vdekjesh, ku zhvillohej gjyqi ushtarak kundër dhjetë klerikëve të akuzuar. Mbas kërkesës së prokurorit që do të kërkonte vdekjen e tij, Át Donat Kurti flet: “Mue nuk më bën përshtypje as vdekja as burgu, por më vjen keq se mbeti puna përgjysë. Të gjithë jetën time, të gjithë talentin tim e kam shkrî vetëm për t’i shërbye popullit shqiptar, pa marrë parasysh sakrificat e privacjonet”.

Trupi gjykues shtanget, kryetari e ndërpret: “Kur ke luftue ti, çka ke bâ për popullin që po i mburr ato vepra të cilat na nuk i dijmë?”. Át Donat Kurti: “Âsht e kjartë që ju nuk dini kurrgjâ. Arma ime âsht penda me të cilën kam mbledhë kangët mâ të bukura të kombit dhe përrallat mâ të bukura kombëtare. Po të më jepni vdekjen të gjitha punët mbeten përgjysë”. Át Zef Pllumi dëshmon që trupi gjykues u duk si fëmijët para mësuesit. Për të dëftuar se dënimi ishte me burgim të përjetshëm, që më vonë u shndërrua në 25 vjet.

NYJA E TRETË: DORËSHKRIMI

Át Zef Pllumi dëshmon se në fondin e dorëshkrimeve që ka lënë Át Donat Kurti figurojnë 37 vepra: fetare, edukative, letrare, gjuhësore, folklorike. Këto dorëshkrime janë ruajtur besnikërisht nga fshatari Mark Hiluku, duke ua ndërruar vendin në fshehtësi për t’i shpëtuar nga syri i spiunëve. Jemi këtu te çështja dramatike e dorëshkrimeve të letërsisë shqipe që për shekuj e vite nuk e kanë parë dritën e botimit dhe çështja po vijonte të ishte fatale edhe për brezat aktualë.

Át Zef Pllumi tregon që nuk ka arritur t’i kalojë nëpër duar gjithë ato vepra, porse vlerëson se tri janë veprat më kryesore të Kurtit: 1. Visaret e kombit, 2. Përralla kombëtare, 3.Testamenti i Rí (dorëshkrim i pabotuar). Visaret e kombit për kangët e kreshnikëve si dhe legjendat; Përrallat kombëtare, të mbledhura nga populli, mirëpo stili është i Át Donat Kurtit dhe proza shqipe mund të krenohet me to.

Të dyja të vlerësuara si vepra madhore të letërsisë shqipe, por edhe të mënjanuara nga diktatura: “Mjerisht nga inati sektar për gegnishten si edhe lufta e vazhdueshme që u bahej virtyteve të lashta të Besës e Burrnís”. Ende Át Zef Pllumi ka parasysh stilin, veprën krijuese të mjeshtrit të krijimtarisë letrare shqipe, kur vepra kanonike popullore merr domosdo ngjyrën e autorit në aktin e kulturës me shkrim.

NYJA E KATËRT: TESTAMENTI I RI

Këtë vepër kanonike të krishterimit Át Donat Kurti e ka përkthyer nga latinishtja në shqip, në burgun e Burrelit gjatë katërmbëdhjetë vjetëve të qëndrimit aty, tekst i cili në plot kultura është bërë themel i gjuhës së tyre të shkruar. Át Zef Pllumi për këtë situatë saktëson: “Âsht nji histori po si ajo e katakombeve”.

Është i vetmi libër që kishte hyrë disi, tinëz, në burgun e Burrelit. Përkthyesi nuk e dorëzoi kurrë librin, por me të tjerë e fshehu edhe nën kapakët e librave të Leninit. Fletët e përkthimit janë ruajtur për shumë vite dhe janë nxjerrë fshehtas nga burgu. Pas lirimit nga burgu, përkthyesi ende nuk ishte i kënaqur me përkthimin e vet të bërë në rrethana të jashtëzakonshme dhe vijoi punën për përmirësimin e tij, për të cilin ÁtZef Pllumi shton: “Pa dyshim mund të thom se ky âsht përkthimi mâ i miri në gjuhën shqipe deri tash”.

NYJA E PESTË: PROZA GEGE

Át Zef Pllumi ngulmon që kur të botohet ky përkthim, “do të konsiderohet si proza mâ e bukur letrare e gegnishtes gjatë këtyne vjetëve”, po ashtu vonesën e botimit të përkthimit e lidhë edhe me pengesat e klerit katolik kosovar, që nëpërmjet autoriteteve të Vatikanit e kanë penguar që të përdorej gjuha shqipe gege ndër libra fetarë. Shkurt dhe këput, Át Zefi don të shprishë mjegullnajat politiko-fetare, që prekin çështje të idiomës letrare qoftë dhe në libra kanonikë.

Në anën tjetër, ai shtron dhe çështjen e drejtë të domosdosë së përdorimit të idiomës, veçanërisht në tekstet në prozë. Këtu ai në mënyrë fine thekson se çështja e statusit të idiomës letrare provohet para së gjithash në prozë. Venerimet e tij shohin edhe më larg, prandaj kanë në brendësi dhe vlerësimet e kësaj gjinie në sistemin e letërsisë së shkruar, e cila po ashtu duket krejt e një niveli tjetër po të kihen parasysh shkrimet në prozë të rrethit kulturor të françeskanëve shqiptarë.

NYJA E GJASHTË: FRANÇESKANI I MADH

Duke ndjekur logjikën e tillë të vlerësimit, Át Zef Pllumi, Át Donat Kurtin që lindi në Shkodër, në vjetin 1903 e bën pjesë të dymbëdhjetëshes të qendrës më të rëndësishme të intelektualëve në historinë e kulturës shqiptare, nën drejtimin e Át Gjergj Fishtës, ku i vë në rend Át Pashk Bardhin, Át Shtjefën Gjeçovin, Át Pal Dodajn, Át Vinçenc Prenushin, Át Marin Sirdanin, Át Anton Harapin, Át Justin Rrota, Át Bernardin Palajn, Át Benedikt Demën, Át Athanas Gegajn deri tek Át Gjon Shllaku.

Është e natyrshme që dijetari Át Zef Pllumi në panteonin kulturor shqiptar sheh edhe françeskanë të tjerë, më të hershëm apo më të vonshëm, mirëpo është korrekt me vetveten sepse këtu flet me kujtesë dhe dëshmi, në radhë të parë për njerëzit që i ka njohur vetë. Prandaj në panteonin e tij të kulturës shqipe hyjnë si bashkëpunëtorë njerëz shembullorë shqiptarë dhe tëhuaj si: Norbert Jokl, Eqrem Çabej, Lazër Shantoja, Krist Maloki, Filip Fishta, etj..

NYJA E SHTATË: RRNO VETËM PËR ME TREGUE

Át Zef Pllumi shkrimin e vet për Át Donat Kurtin, të vitit 1993, e përfundon: “Kishem me pasë shumë e shumë për të shkrue mbi Át Donatin. Sot na mbetet detyrë të bâjmë përpjekje me nxjerrë edhe nji herë prej podrumesh, ku i kanë përplasë këta autorë, me i shpluhnosë me ia dhânë në dorë rinisë që të vazhdojnë veprën e tyne të madhe për dobí të popullit shqiptár”.

Një pjesë e testamentit kulturor të Át Zef Pllumit tani realizohet me botimin e veprave (edhe në dorëshkrim) të Át Donat Kurtit në kolanën e botimeve françeskane, të cilën ÁtZefi e kishte rinisur për të gjallë të vetë. Edhe ai vetë ishte përjetësisht i pushtuar nga malli për të shkruar dhe për të dëshmuar. Këtë arriti ta bënte me shkrime humaniste, autobiografike, dëshmuese, prohistorike dhe letrare. Dëshmia më e mirë është vepra e tij kapitale ‘Rrno vetëm për me tregue’, që lidhë dy shekuj të letërsisë shqipe. Vepër tashmë e kurorëzuar si një nga kryeveprat letrare në prozë gegnishte.

E përkthyer në gjuhët e mëdha europiane, vepra është çmuar si ligjërim fundamental i letërsisë së burgut e llogorit, e dëshmuar në botën shqiptare. Át Zef Pllumi, le të na lejohet të themi sot e këtu, për ne, është Françeskan i Madh. Prandaj veprat e tij, që janë ende në dorëshkrim duhet të botohen në mënyrë integrale, pa asfarë shkurtimi.

ObserverKult


Lexo edhe:

SABRI HAMITI: SKËNDERBEU NË PARAJSË