(Abdullah Konushevcit)
As para kësaj dite
nuk i shkrova poezi
vdekjes sate
para se të vdesësh
miku im
edhe pse shpesh
më flisje
për agun e muzgut tënd
miku im
më bëhej
se ndjellja
kob të zi
për ty
miku im
posa të la fryma
nuk mund të bëja
asnjë varg për ty
miku im
lexova me mijëra epitafe
në gurin e mërzisë
ende pa t´u ftohur balli
ta vunë mbi kry’
miku im
as në këtë ditë të mbramë
s´mund të shkruaj
asnjë fjalë për ty
miku im
vetëm qava qava qava
si i mjerë
në këtë fushë të ndjerë
pa ty
miku im.
(nga libri “Ag muzgu”)
——————————————————
LEXO EDHE: Abdullah Konushevci: Loja me vdekjen
Mos ki frikë, ti mikja ime
As vdes unë pa ty
As vdes ti pa mua
Nuk kemi me lanë
Pa u harrnuar me ëndrra
Me ba vdekjen me na kërkue
Te njerëzit e tjerë
Kur më s’mundemi me shtrydhë
Një pikë dashni
Ki frikë, mikja ime
Zoti po çon dorë prej nesh
Shumë më mirë
E kemi me vdekë
Kemi m’u kujtue
Siç kujtohet dritë e Zotit
Matanë
Një shuk i fortë purpuri
Kemi me qenë
Mos ki frikë, ti mikja ime
Dashnia rritet nuk vdes