Salvatore Quasimodo: Dhe ti, e dashur…

Toka ime është mbi lumenjtë ngjeshur me detin,
asnjë vis tjetër nuk ka një zë kështu të lehtë
ku hapat e mia koten
midis xunkthve të rënda të kërmijve.

Padyshim është vjeshtë: në erën e shqyer
kitarat e vdekura ngrefin kordat
mbi gropat e errëta, ku një dorë shkundullon
gishtrinjtë e zjarrtë.

Në pasqyrën e hënës
krihen vajzat me gjokset e portokajtë.
Kush qan? Kush i fshikullon kuajt në ajrin
e kuq? Do të ndalojmë në këto brigje
gjatë një zinxhiri të gjelbër dhe ti, e dashur,
mos më sill përpara kësaj pasqyre
të pafund: atje shihen brenda djem
që këndojnë dhe pemë të larta dhe ujra.

Kush qan? Unë jo, besomë: mbi lumenj
rendin fshikujt e egërsuar të një kamzhiku,
kuajt e errët, vetëtimat e squfurit.
Unë jo, rraca ime mban thika
që flakërijnë dhe hëna e plagë që djegin.

Përktheu: Agim Mato

*Titulli i origjinalit: “Kitarat e vdekura”

—————————————-

LEXO EDHE: Salvatore Quasimodo: LAMTUMIRË, E DASHUR, LAMTUMIRË, FORT E ËMBLA NËNA IME!

Salvatore Quasimodo: Letër nënës

«Fort e ëmbla nënë, tash mjegullat po davariten,
flota përplaset ngatërrueshëm mbi diga,
pemët nga uji rënden, prej dëborës digjen;
nuk jam i trishtuar në Veri:
nuk jam në paqë me veten,
por prej kërkujt falje nuk pres,
të shumtë lotët borxh m’i kanë si burri burrit.
E di që je ligsht, që jeton si tërë nënat e poetëve,
e varfër dhe e drejtë sa duhet në dashurinë
për bijtë e largët.
Sot jam unë që të shkruaj.
– Më në fund, do thuash, dy fjalë
nga ai djalë që me natë ia mbathi me një pelerinë të shkurtër
e ca vargje në xhep. I gjori, kaq i gatshëm shpirtërisht
ndonjë ditë dikund do ta vrasin.
-Sigurisht, ndërmendem, ish në atë stacion të vdekur
trenësh të avashtë që sillnin bajame dhe portokalle…

POEZINË E PLOTË MUND TA LEXONI KËTU