Sami Frashëri: Unë po të pres ty, e mua po më pret varri…

Nga Sami Frashëri

Fitnetes për ditë e më shumë i vinte edhe më keq për Talatin. Sa herë që i kujtohej e thoshte në vete: ,,Ah i mjeri djalë! Sa fort e kam dashur, por edhe ai sa më deshi! Ende më dashuron. Në këtë nuk dyshoj. Po të mos më donte aq shumë, si u bë që një njeri i urtë si engjëll të mendojë atë dredhi e të veshet si femër?

Ah i mjeri, edhe i sëmurë është! Kushedi, është përmirësuar apo dobësuar?

Edhe më parë, shkrova letra, nuk di se çfarë shprese i dha ajo letër. Ah, medet!…Ato shpresa erdhën dhe u zhdukën si ëndërr. Ah…ah….! Përsëri ra në dëshpërim. Ah…jetë….o jetë…deri kur të na shkelësh, çfarë gabimi kemi bërë? Ah, babai im, babai im!…Babai deshi të më bëjë mirë, por do të më shpjerë në varr. Mirë, unë që jam vajzë e di, por ai i mjeri djalë, çfarë faji ka ?

Frikohem shumë se edhe ai nuk do të jetojë pas meje. Ah i mjeri Talat, ende nuk je qetësuar! Gjithnjë je i sëmurë, por zemrën e ke të gëzuar, ti ke një shpresë! kurse unë u dëshpërova nga jeta, them nga jeta ime!  jeta ime për çdo ditë po keqësohet. Për atë që e desha më shumë në jetë, dëshpërohem më shumë, e flijova jetën për të, por jo, edhe flijimi i jetës nuk mund të na nxjerrë në dritë.

Një vuajtje pesëditëshe më shkatërroi jetën, por kuku, jeta shkoi….Me mundime nuk mbahet shpresa. Duke….oh,oh! i shpërthyen lotët.

Një ditë Fitnetja bashkë me Serfirazen u ulën, pasi doli Ali Beu, Fitnetja pyeti Serfirazen:

-Mjeshtri i endjes Sherifja, si duket, vjen nganjëherë këtu?
-Po vjen, mua më mësoi endjen, por këtë javë javë nuk erdhi, do të vijië sot o nesër, ndoshta.
– Motra ime, mund të më gjesh një laps dhe një letër?
-Do t’i gjejë, zonja ime.
Çfarë do të shkruante Fitnetja? Ndoshta Talatit do t’i skruante letër. Serfirazja ia solli lapsin dhe letrën. Fitnetja zu të shkruajë këtë letër:

Talati im!

Ah, Talat dua të të them, sepse u mësova më me këtë emër. Tani emri Talat më duket më i ëmbël, më i dashur se emri Ragibe, Talati im! Kjo letër…ah, kjo letër….Ato letrat e tua që i merrja në të kaluarën ishin shpresë e jetës sime.  Sa shpresë të jepnin letrat e mija. Kjo letër do të të dëshpërojë:
Ah, Talati im! nuk u përmbush ajo shpresë, ajo dëshirë që ju dhashë, ato ishin gënjeshtra! Më mashtruan, e duke më mashtruar më çuan buzë vdekjes. Më thanë: ,,Po shkojmë në verime” në një shtëpi të panjohur, ku më kishin kurorëzuar me të zotin e saj dhe këtë punë e kuptova pak para se të hyja në shtëpi, e kuptova, por çfarë të bëja?
Qava, vajtova , gjersa më ra edhe të fikët…Sa s’vdiqa!…Por kujt, çka t’i them? Eminja që më do aq shumë, më la dhe shkoi! Mbeta në mes të njerëzve që nuk i njihja, që nuk i kisha parë kurrë . një vajzë më ngushëllon shuë, më do dhe rri bashkë me mua. Të mos ish dhe ajo, çfarë do të bëja? Mua më quajnë nusja e Ali Beut, më thërrasin me emrin nuse! Ah, këta emra, këto shprehje, sa shumë e shqetësojnë shpirtin tim! Sa keq ndikojnë te unë!
Po unë nuk jam nuse, ende jam vajzë, vajzë jam dhe vajzë do të vdes. Nuk jam gruaja e tij, fytyrën e tij as që dua ta shoh. Ai vjen në dhomën ku rri unë, rri pak, meqë posa hyn në dhomë, humb torruan. Në kësofarë gjendjeje ka rënë ….Madje e zë edhe epilepsia ….Asnjëherë nuk i kam ngritur sytë të shoh fytyrën e tij, por edhe ai qan, qan edhe kur është në dhomën time e edhe kur del, gjithmonë derdh lotë, ashtu më thonë. Domethënë ndoshta edhe ai më ka dashur. Kjo është ajo që më demoralizon. Pasi u bë kështu, nuk është lehtë të më lësh mua! Ah Talati im! Ku janë ato mendime që kishim, ku janë ato ditë që takoheshim, por ah, atëherë u takuam duke mos njohur njëri-tjetrin.

Dashuruam njëri-tjetrin në errësirë dhe mosdije…

Nuk u pamë njëri me tjetrin, gjersa u takuam. Talati im, ndoshta jeni i sëmurë, ndoshta ende nuk jeni përmirësuar! Nuk dua të të shqetësoj me këto fjalë pikëlluese se punërat e kësaj bote venë e vinë kështu. Talati im, nuk mund të jetoj më, ditë e natë qaj pa pushuar. U bë java që erdha këtu, sytë nuk i çova lart kurrë, nuk kam shikuar as majtas as djathtas, nuk e di se ku jam. Nuk kam shtënë gjë në gojën time!…Nuk mund të flej në asnjë kohë, do të vdes nga sëmundja, pa ngrënë e pa fjetur…do të vdes, por shpirti nuk më del pa të parë edhe një herë. Ah, edhe një herë të të shoh! Të qëndrojmë bashkë vetëm pesë minuta , pastaj, sapo të ndahemi, le të vdes!…Ah, unë nuk e kam parë jetën, nuk më pëlqen kurrgjë  në këtë jetë , po për kurgjë nuk më vjen keq, vetëm për ty….Talati im, por të ngushëlloj ty! Ah si do të të lë! Ku të të lë!…Te kush të të lë! E di se në vdeksha, ti do të më vajtosh, do të më qash…Ah, s’mjafton të shpëtoj vetëm unë nga të këqiat e jetës, të hidhem në varr e të qetësohem! Hallet e mia do t’i lë ty! Jo, kurrsesi, po qe se ti nuk i duron hallet e mia, unë do të vdes.

Ah, trupi im që nuk pati sukses do të puthë tokën e zezë dhe do të ndryhet në të. Ah, ah, ç’të bëj, si të veproj?…

Talati im, eja të të shoh, edhe një herë të shihemi, edhe një herë , e pastaj …Vishu në rroba të grave , eja përsëri Ragibe …Oh, medet, ti je i sëmurë, ti nuk del jashtë, ndoshta ke bërë më mirë! …Oh nesër ose pasnesër do të vish!…Të pres…të pres.

Unë po të pres ty , e mua po më pret varri”.      

                                                                                                                                                               Fitnetja

Fitnetja me lotë në sy, letrën që e shkroi, e paloi në zarf dhe pastaj e futi në xhep. Ditën tjetër erdh Sherifja. Ajo ia dha letrën dhe e porositi!
-Po qe se Ragibja çon farë njeri të pyesë për mua , të lutem jepja këtë letër t’ia dërgoj asaj.

(Shkëputur nga romani “Dashuria e Talatit me Fitneten” nga Sami Frashëri )

Përgatiti: ObserverKult


Lexo edhe:

“LASGUSH PORADECIN E SOLLËN NGA SPITALI ‘TË VDEKUR’, POR PAS CA ORËSH U NGRIT NGA ARKIVOLI”