Sejfulla Malëshova: Njeriu me këmbajka dhe servilët

Kur hyn në sallë njeriu me këmbajka,
Më këmbë ngrihen me temena e lajka.
Në fron rri sulltani
Me tull’ e parukë;
Rreth tij gjithë stani
Me plot dallkaukë,
Që prapanicën tundin në kolltukë.
Zgjaten dy duar
Përpara, rrotull, anëve
Dhe mblidhen grusht në kraharuar:
Sulltani ligjëron
Ky sytë perëndon
Sikur mendimi thellë
Nga shpirti i buron.
Dhe kur mbaron
E ngrihet duke shkelur mbi këmbajka,
Më këmbë ngrihen prapë gjithë lajka
Servilë e dallkaukë,
Që shesin edhe shpirtin për kolltukë.

ObserverKult

————————————————————-

Lexo edhe:

SEJFULLA MALËSHOVA: LYPSI PLAK

Po del nga shpella ku e ka hedhur fati,
I mjeri plak i krusur nga mundimet,
I dridhen mjekra, këmbët, gjithë shtati,
Skalitur ka në ballë hidhërimet.

Ja, fill i vetëm udhën merr nga fshati
I urtë, i shëmtuar nga mjerimet.
Trastën në krahë, shkopin mban në dorë,
Shiu me breshër bie e ka dëborë.

Udhës mendon kur ishte si të tjerët:
Me bukë, me kasoll’ e dashuri
Dhe psherëtiu: Oh! S’paska për të mjerët
Në këtë botë vallë Perëndi?
Po ndjen në lukth një posi të prerët
Edhe hedh këmbët plaku me fuqi.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


SEJFULLA MALËSHOVA: UNË E DUA SHQIPËRINË

S’kam çiflig e s’kam pallate,
S’kam dyqan me katër kate,
Po e dua Shqipërinë
Për një stan në Trebeshinë,
Për një shkarp e për një gur,
Për një gardh e për një mur,
Për kasollen mbi Selishtë,
Për dy ara në Zallishtë,
Për një lopë e për një gomar,
Për një Balo, një manar.
Unë e dua Shqipërinë
Si bari dhe si fshatar.

Unë e dua Shqipërinë,
Për tërfilin mi lëndinë,
Për një vajzë gjeraqinë,
Dhe për ujët që buron
Nga një shkëmb e gurgullon
Nëpër lista gjetheshumë,
Edhe zbret përposh në lumë.

Unë e dua Shqipërinë
Për një lule trëndelinë,
Për një zok që fluturon,
Për bilbilin që këndon
Në ato ferra në ato hije
Këngë malli e dashurie,
Këngë shpirti të helmuarë.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult