Sejfulla Malëshova: Unë e dua Shqipërinë

Poezi nga Sejfulla Malëshova

S’kam çiflig e s’kam pallate,
S’kam dyqan me katër kate,
Po e dua Shqipërinë
Për një stan në Trebeshinë,
Për një shkarp e për një gur,
Për një gardh e për një mur,
Për kasollen mbi Selishtë,
Për dy ara në Zallishtë,
Për një lopë e për një gomar,
Për një Balo, një manar.
Unë e dua Shqipërinë
Si bari dhe si fshatar.

Unë e dua Shqipërinë,
Për tërfilin mi lëndinë,
Për një vajzë gjeraqinë,
Dhe për ujët që buron
Nga një shkëmb e gurgullon
Nëpër lista gjetheshumë,
Edhe zbret përposh në lumë.

Unë e dua Shqipërinë
Për një lule trëndelinë,
Për një zok që fluturon,
Për bilbilin që këndon
Në ato ferra në ato hije
Këngë malli e dashurie,
Këngë shpirti të helmuarë.

Unë e dua Shqipërinë
Si poet i dhemshuruarë.

Unë e dua Shqipërinë
Që nga Korça e Vraninë,
Ku del bujku që me natë
Me parmendë dhe me shatë,
Mbjell e korr me djell, me hënë
Dhe s’ka bukë për të ngrënë,
Ku nallbani dhe samarxhiu
Mjeshtri, kallfa e kallajxhiu,
Krrusen ditë e krrusen natë,
që të hanë bukë thatë,
Ku hamalli nëpër skela
Ngarkon hekur dhe varela,
Këmbëzbathur, b… çjerrë
Punon vetëm për të tjerë.

Unë e dua Shqipërinë
Që nga Shkupi e Janinë,
Ku një popull derëzi
Heq e vuan robëri
Po ka shpirtin luftëtar.

Unë e dua Shqipërinë
Si shqiptar e bir shqiptar.

ObserverKult


Lexo edhe:

ALI PODRIMJA: AI QË NUK TË PA ÇAMËRI

Poezi nga Ali Podrimja

Desha të takoj Marko Boçarin  
                   Bajronin tek luante me rrufe 
Nuk kisha as Shpatë as Kalë 
         E i lartë Suli

Me arrabaxhinë isha vetëm 
‘i buzëqeshje të Bjeshkëve të Namuna kisha
        dhe Flakën në sy

por i madh terr kishte rënë

Para se të mbyllej në qiell
              Desha të takoj Marko Boçarin
Në rigë shiu pikëlonte Bajroni
              Mjeri û për Janinën

Seç e kishte shituar arrabxhinë
         namë e perëndive

        ishin dridhur tokëqielledet
        rrënjëve të dheut
ishte kurthuar koha ime

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult