Së pari erdh’ ai i istikameve, i thelloi nëpër tokë, e me kamiona prunë pllaka betoni me të cilat i veshën. Për anash i kanë groposë tenkat sa veç tytat iu përvidhen. Edhe topat. Neve rrezja e pushkëve s’na i kap. A thue mund e dimnojnë nëpër ato istikame? Tash jem’ në gusht; prej Nishit ua bien duhanin, prej Prokuples rakinë. S’e di femnat prej kah ua bien, se edhe ato, me dylbi, i pashë. Njana e ka shtrue nji dyshek plazhi skaj istikamit e në bikine po rrezitet. Me orë të tana rrin njashtu ratë. Mandej çohet, i avitet topit, ia ngreh konopin e t’ia gjuen paushall granatën qytetit. Fill mban vesh edhe e kqyr burimin e shpërthimit; bile, si çikë pa sherr, çohet majë gishtash. Mbasandej kthehet ku ish, lyen trupin me krem dielli edhe i dorëzohet krejt rahatit të vet.
(njani prej shënimeve të fragmentueme në «Sarajevo Blues» shkruejtë prej sarajlisë së ngujuem në qytetin e rrethuem)
përktheu: Gazmend Bërlajolli