Sergej Esenin: Më ka mbetur vetëm një lojë…

sergej esenin tanjusha...

Më ka mbetur vetëm një lojë:
Gishtat në gojë-e vërshëllima tufan.
Fama ime bredh gojë më gojë:
Skandalist i pacipë e rrufjan.

Ah, vërtet një humbje së koti!
Jeta humbje të tillë ka plot.
Turp për mua-besova tek zoti,
Dhimbje për mua-kam mbetur pa zot.

E dikurshmja ka mall të florinjtë
Dhe e sotmja djeg mallin në terr.
Ndaj skandalet kam qejf dhe çuditë,
Dua flakë më tepër të nxjerr.

Merr poeti peshqesh, ledhatim e çomagë,
Shekullore kjo damkë si koshi, si zgjoi…
Trëndafilin bardhosh me një zhabë
Unë i marri kam dashur shpejt t’i martoj.

Ëndrrat jetë s’m’u bënë asnjëherë,
Ditët-lëng trëndafili nën re.
Gjersa shpirti djajtë s’i futi në derë,
Engjëjt shpirtin kishin folé.

Për këtë ngazëllim aq të llumtë,-
Duke hedhur pak hapa në varr,
Lutje dua t’u bëj në të fundit minutë
Gjithë atyre që pas nuk i marr:

Për mëkatet e mia të vona,
Për pabesitë e çdo ves
Veç më shtrini atje nën ikona,
Nën ikonat ruse të vdes…

Shqipëroi: Dritëro Agolli