Poezi nga Sergej Esenin
Unë, veten time, më s’do ta mashtroj,
tash, zemra e mjegulluar s’do t’ja dijë.
Më thonë: je sharlatan! – rrugës nga shkoj!
Më thonë: je grindavec, si një fëmijë!
Por, kriminel nuk jam, cub a shpellar,
fatkeqë, nëpër biruca, nuk kam torturuar.
Plëngprishës po, artist dhe pijetar,
që mbart buzën në gaz, për ta dhuruar.
Në Moskë, një argëtues, plot humor,
në Tverskoje kush mua nuk më njeh,
dhe çdo qen rruge në sokakun qorr,
më ndjen nga çapi i lehtë dhe ëmbël leh.
Çdo kalë i mjerë që rend para pajtonit,
sa më shikon, gjithë qejf më përshëndet,
se unë nuk rroj pa kafshë, e pas zakonit,
për to thur vargje që shërojnë vërtet.
Nëse mbaj republikë, nuk është për femrat,
ndjenja idiote s’ kam dhe jam i qartë,
ndihem komod ama, pa ja u dredhur zemrat,
kur ushqej pelën me tërshërë të artë.
Në racën njerëzore nuk kam miq, – punë gjeni,
një mbretërie tjetër i përkas, me të jetoj,
kravatën e mëndafshtë në një qafë qeni,
pasi e lidh, me të rri dhe festoj.
Kështu, tani e tutje nuk do vuaj
furtuna brenda shpirtit s’ ka më re.
Më quan: sharlatan! – shiko dhe shkruaj!
Më quan: grindavec! – ama, ç’na the!
1922
Shqipëroi: Arqile Garo
——————
Lexo edhe:
Sergej Esenin: Lutja e një nëne…
ObserverKult