Sergej Esenin: Ti nga ëndrrat përgjithnjë m’u zhduke

sergej esenin tanjusha...

Poezi nga Sergej Esenin

Më s’do endem panxharëve të kuq
s’do shkel gjethet, s’do lyp të gjej gjurmë,
ti nga ëndrrat përgjithnjë m’u zhduke,
me ato flokë të arta si grurë.

Ishe e ëmbël, të manave ngjyrë,
kish lëkura jote aq e butë,
ishe porsi muzg i trëndafiltë,
si dëbora që ndrit nëpër rrugë.

Ata sy porsi rrush i zi
tash janë fishkur, emri yt është shuar.
Shallin veç s’e humbet kurrësesi
atë aroma mjalti të duarve.

Në orën kur agimi mbi çati
vjen të lahet pa zhurmë si maçok
unë e ndjej tek flasin me ëmbëlsi
kallamishtet për ty me erën tok.

Le të murmurisë mbrëmja e bruzët,
këngë a ëndërr të thotë se ishe ti!
Kush krijoi atë trup e ato buzë
duke i prekur zbuloi një fshehtësi.

Më s’do endem panxharëve të kuq,
s’do shkel gjethet s’do lyp të gjej gjurmë.
Ti nga ëndrrat përgjithnjë m’u zhduke,
me ato flokë të arta si grurë.

Përktheu: Klara Kodra


Lexo edhe:

KUR SERGEJ ESENIN SHKRUANTE PËR VETEN: BABAI ISHTE I VARFËR… MË DËRGUAN TE GJYSHI…

Nga Sergej Esenin

Jam një bir fshatari. Kam lindur më 21 shtator 1895 në lokalitetin e Kuzminit të qarkut të Rjazanit, po në gubernën e Rjazanit.

Qysh në moshën dy vjeç, meqë babai ishte i varfër dhe kishte shumë frymë në familje, më dërguan te gjyshi nga nëna, i cili ishte mjaft në gjendje dhe kishte tre djem të rritur beqarë, me të cilët kalova gjithë fëmijërinë.

Dajët e mi ishin djem çapkënë dhe kokëkrisur. Kur u bëra tre vjeç e gjysëm, më hipën në një kalë pa shalë dhe më lëshuan revan. Mbaj mend që u tremba shumë dhe u kapa fort pas jeles së kalit.,,

Tekstin e plotë e gjeni KËTU