Poezi nga Shazim Mehmeti
Si me ba, me u ndie edhe i’ herë i gjallë?
Si me ba, me e pa, me e ndi, me e shijue,
freskun mëngjesor, freskun rinues
të trupit tand?
Si me ba, me e zhba këtë mjegull,
që m’ka ra syve, e ma ban t’pamundun,
me e shijue, dritën e blerimtë të syve tu?
Asht gja që s’bahet, zemër,
por mujmë me gjetë mënyrë:
bahu andërr,
mbështeti pëllëmbët mëndafsh mbi fytyrën time,
derdhe frymën tande n’gojën time,
n’hundën time.
Me frymën tande n’hundën time,
me gjuhën tande n’gojën time,
kam me i mbyllun këto sy t’verbuet,
kam me i riba sytë e shpirtit, sytë e andrrës,
dhe n’duer, e n’trup, e n’zemër,
kam me e ndi, kam me e shijue
freskun mëngjesor të trupit tand,
shkëlqimin e drittë t’syve,
përthyemjen madhështore t’dritës,
n’bebëzat e ujëta;
me frymën tande n’gojën time,
me gjuhën tande n’gojën time,
kam me e zhba namën e qiejve,
kam me u ba me sy,
dhe kam me e shijue
gjithë virgjërinë parfumore të trupit tand,
aromën e shpirtit,
aromën e lëkurës,
fërfëllimën e flokëve,
dëlirësinë e qafës, gjinjve,
dritën e barkut…
ObserverKult
Lexo edhe: