reklamë

Shemsi Krasniqi: Një lojë pa kufi

Tregim mbi një ngjarje nga koha e fëmijërisë

Nga Shemsi Krasniqi

Hokatarë të fortë kanë qenë dajtë e mi, por njëherë, ashiqare e patën tepruar! Nuk e mbaj mend saktë sa vjeç kam qenë, por i vogël po, dhe atë natë isha krejt vetëm në mesin e disa burrave në odë. Dajtë i kam dashtur shumë edhe m’kanë dashtë, por edhe dashnia, sikurse loja dhe mahia, e ka një kufiri. Dashnia për dajtë më ka mbetë akoma e fortë dhe ashtu do të mbetet përherë, kurse kufijtë e lojës dhe mahisë, kurrë nuk kanë qenë krejt të qartë, e dikur moti, po get që as nuk kanë ekzistuar fare. Kemi parë e dëgjuar gjithandej për lojërat pa kufij, por atë që e pata provuar njëherë në oden e dajëve, përnjëmend ka qenë e tillë. Dorën n’zemër, loja nuk është lojë pa e luajtur pak kufirin, pa dalë n’ledinë siç thotë populli ose pa ia nxjerrë bishtin, siç ka thënë ai i moçmi.

Mbaj mend shumëçka prej kohës kur si fëmijë shkonim te dajtë dhe sigurisht se rrëfime të bukura dalin prej atyre kujtimeve. E mbaj mend, për shembull, një udhëtim me qerre me kuaj, kur na zuri nata në Stallovë dhe filloi me ra shi e borë përnjëherë, kurse veriu përpak që s’na ngriu. U mbuluam me një çilim të vjetër, kuq e zi, që na e priste pak frymën, por jo edhe t’ftohtit e lagështinë. Më kujtohet edhe një udhëtim tjetër, po ashtu natën, kur unë e Nana ishim hipur në kali, kurse djali i Dajës e mbante atë për freni. E di se kur hymë në një rrugicë teposhtë Ahishtës së Redeshefcit, gurët rrokulliseshin nga troku i kalit. Dorën n’zemër, pak u tutsha …

Dajtë ishin vetë kallabëllak dhe thuajse çdo natë kishin mysafirë, por kur tuboheshin bijat, nipat e mbesat, bëhej atmosferë e veçantë. Kur ia shton kësaj edhe dashninë tonë për ta dhe të atyre për neve, atëherë si të mos e përkujtojmë atë kohë e ata njerëz. E mbaj mend kohën e dredhëzave dhe të qershiave, të dardhave të hershme dhe manaferrave. Më kujtohet kur hipnim në qershi nga shtatë-tetë veta, e po aq rrinin në tokë. Hanim gjithë ditën pa ditë m’u ngi, flisnim e qeshnim pa ditë m’u ndalë. E mbaj n’mend edhe kohën kur në truallin e moçëm, dajtë e mbushnin një kënatë me ujë dhe e lenin në një dollap nga ana e jashtme të murit të oborrit, për me pi ujë udhëtarët që kalonin andejpari. Mbaj mend kohën e kosimeve, të korrurave dhe të fshimeve, e sidomos hajgaret e panumërta që i shoqëronin ato punë. E mbaj mend bukën e nxehtë të saçit, pitet e fliat, pulat me oriz, tatliat e revaniat, langun me speca, e sidomos kosin që e zënte Dada Sherë (Shpirti i saj pastë dritë!), e që mallin e tij këtyre viteve të fundit ma heq vetëm Nestle YAOS Nature, që e gjeja në Paris. Dada Sherë, gruaja e Dajës Latush, ka qenë trupvogël por shpirtmadhe. Binte e mbrama dhe zgjohej e para. Në naivitetin tim fëmijënor, duke menduar se ajo s’flen kurrë, njëherë e pata pyetë: “A flen ti najherë, oj Dada Sherë?”. Këtë pyetje naive, por thellësisht domethënëse, ma përkujtojnë dajtë herë pas here. I mbaj n’mend drekat dhe darkat e dajëve, çajin e nxehtë dhe kafet e ëmbëla, si dhe një thes sheqer që rrinte në odë. E mbaj në n’mend koftorrin e druve, vitrinën me pasqyra dhe foton e Bajram Currit që rrinte varur në muri, e që sot e ruaj në muzeun tim.

Daja Latush ka qenë njeri me autoritet dhe me karakter, taman një profil i lartë moral. Pak si hijerëndë po, por ka pasur shumë miq, e ndonjëri prej tyre, si Haliti i Perajve, ka qenë i veçantë. Ai e Haliti kanë qenë krejt t’pa teklif mesveti. Kanë bërë shumë humor me njëri-tjetrin, por kurrë nuk janë hidhëru. Njëherë, kur Daja ishte sëmurë, Haliti shkon me e pa. Sipas adetit, te i sëmuri nuk shkohet duarthatë. Çka bën ai, e mbytë një mi diku në ara, e mbështjell me një letër, e futë në xhep dhe shkon e ia lë Dajës te kryet. Daja duke mos e ditur se çka ka aty dhe duke menduar se i ka blerë diçka, i thotë: “O Halit bre, s’ke pasë nevojë me ble kurgjë, boll që ke ardhë me m’pa, e s’ke pasë nevojë me harxhu, por ty tu rritë nera e bofsh hajr!”. Haliti po ashtu ia kthen me fjalë të mira, por edhe si buzagaz: “Jo bre Latush, kurrfarë harxhimi s’kam ba, veç çka m’qëlloi qaty sa për adet, e ty ishalla t’kalon e çohesh ma shpejtë, se pa u sëmuhë najherë nuk bahet!”. Kur e shpalosë letrën dhe e sheh se çka i ka pru, kthehet e i thotë: “Eh ty Zoti t’marroftë, e pa t’marru mos e lashtë!”. Aty tanij shpërthen gazi e humori, ashtu siç kanë ditë vetëm ata dy.  

Daja mbante në kokë plis e mahramë të bardhë, kurse në trup këmishë e jelek, si dhe setër e pantolla të zi ose të përhimtë. Gjithmonë dukej i pastër, si me qenë me tesha t’reja. Çystekun e sahatit varur n’jelek, kurse sahatin e mbështjellur me mindil e fuste n’xhep. E përcillte kohën saktë, sepse falej rregullisht. Ka pasë fytyrë malësori me hundë shkabë, pak mustaqe po, por pa mjekërr. Mbante një qëndrim shumë burrëror dhe shpeshëherë kollitej ngapak, por si me qëllim. Neve fëmijëve na mbante pranë vetës dhe na shpotiste ngapak me fjalë. “A ke pa me fjetë?” – ka qenë pyetja e parë që na e bënte. Me shtat ka qenë mesatar, por njërën këmbë e ka pasë pak si të përdredhur në gju, prandaj kur ulej, zakonisht atë këmbë e mbante shtrirë. Ka qenë mikpritës i madh, njeri bujar dhe besimtar i devotshëm. Thoshte se prej të ‘67-tës sene e deri në të ‘90-ën, vetëm dy herë i kishte ndodhur që të mos zgjohej para lindjes së diellit për t’u falur. E lumja Perëndi, ia pastë pranu lutjet atij!

Dhe ja, ngjarja që dua ta rrëfejë. Një mbrëmje, ashtu si çdoherë, Daja u çue me u falë. Shkoi e u pozicionua në njërin skaj të odës, afër derës, për të mos ua prishë rehatinë të tjerëve. Atë natë, mysafir në odë ishte Haliti i Perajve – shok i rinisë e pastaj mik i shpisë, një burrë po ashtu me shtat mesatar, me plis t’bardhë e me shall t’kaftë, veshur në këmishë e jelek, llafazan e hajgarexhi sa të duash. Ishte atmosferë e mirë atë natë, sepse Haliti fliste pa dorëza dhe humori i tij kishte lezet. Djemtë e Dajës e ndëgjonin me vëmendje, e ngapak ia ndihmonin edhe ata. Mbrëmja ishte gazmore dhe çdo gjë shkonte mirë, derisa në një moment, kur Daja akoma po falej, Haliti u çue në këmbë, kishe po del përjashta, por kur shkoi te dera, befas iu hodh Dajes në shpinë. E shkundi dhe e tundi e ia prishi krejt terezinë! U çudita shumë kur e pash ashtu! Mendova se po e len me aq, kur çka me pa, e kapi për këmbe dhe e ngrehu zvarrë nëpër dysheme duke i thënë: “Ah, dredha i zanave, ti po m’falesh a!” Daja nuk reagonte hiç, por ashtu siç ishte, bënte dua me duar përpara.

Kur me sy s’kisha pa diçka të tillë! Mbeta pa mend! Se ngrehet njeriu zvarrë tu u falë, s’kisha besu kurrë! E që Dajën tim, atë njeri të mirë e të bekuar, dikush ta zvarriste n’odën e vet, po ashtu s’kisha besu kurrë! Çfarë mysafiri është ky që bën kështu! Kurrë s’ kisha marrë me mend se diçka e tillë mund të ndodhë! Daja më në fund bëri amin duke prekur fytyrën me duar dhe i urdhëroi djemtë për me e nxjerrë jashtë. Djemtë pa një pa dy u çuan n’këmbë dhe e kapën Halitin për duarsh për me nxjerrë jashtë, por ai kundërshtonte dhe nuk dilte kursesi. Filloi të shtyhej me ta. Hallakamë, zhurmë e taraluzhë n’odë! Në odën e dajëve, n’atë odë të bukur e të ndritshme, të madhe e bujare, n’atë odë që kurrë nuk rrinte pa mysafirë dhe që gjithmonë priteshin e përcilleshin në mënyrën më të mirë. Nuk e kuptoja se ç’po ndodhte, por më në fund djemtë e nxorrën Halitin jashtë. Mendova se u kry storja dhe u rikthye rendi në odë, por kurrsesi s’arrija të kuptoja pse ndodhi krejt kjo xhurulldi! Ishte krejtësisht e pazakontë, e paparë, e papritur dhe e paimagjinuar! Burrat n’odë kurrë nuk silleshin ashtu, nuk përlaheshin, nuk shaheshin dhe nuk shtyheshin fizikisht me njëri-tjetrin. Ani mysafir! Ani tu u falë, që as përpara s’bën me i dalë, e lëre më me e heqë zvarrë! Ani nërsy djemve, e në atë rast, edhe të një nipi të vogël! Por ja që ndodhi edhe kjo.

Taman u qetësuam, nuk vonoi shumë e Haliti u kthye n’odë. Hyri mbrenda pa iu trembë syri dhe shkoi e u ulë kryeveni. Fliste e bërtiste pa asnjë gajle mbi kry. Kishte një zë të trashë dhe kumbues, ishte pak si zeshkan në fytyrë dhe për nga pamja mjaft teatral. Fliste me plot siguri, bënte bè e rrëfe, rrihte gjoks e lavdërohej pa ja da. Fliste me mimika në fytyrë, bënte lëvizje me kokë, me duar dhe me këmbë, sa që ban ti bè se më shumë po flet me trup se me gojë! Çuditesha me të dhe me sjelljen e tij, jo pse s’u tut që u thye n’odë, por pse nuk i erdhi aspak keq për atë që bëri. Madje jo që s’i erdhi keq, por hiq, asnjë pikë inati nuk e pati që e nxorrën jashtë. As palla për atë punë nuk i hante! Drama vazhdonte, por tash me fjalë, e jo me përlamje. Dikur ma vonë, protagonisti i asaj nate, si një aktor i përkryer, e nxorri nga brezi njëfarë “hekuri” që veç vizëllonte. E lëshoi në çilim paraveti, e prekte dhe lëmonte me dorë duke i këçyrë në sy të tjerët dhe duke iu thënë: “Kjo nuk han pasul! Jo, jo, tybe treqind tybe kjo pasul nuk han…!”. Bèja me vend, ama ec e merre vesh tash …! 

Daja Rexhë, një hajgarexhi i madh edhe ai, shpirti i tij pastë dritë, m’u afrua ngadalë e më tha me zë të ultë: “Shem, afroju te koftorri e ama qat drunin e trashë aty përpara!” Unë, siç isha tronditur nga ajo që po ndodhte, ia ktheva shpejtë: “Jo, jo, unë jo! Thuj Hajrushit se ma ngatë e ka ai!”. Nuk e di a e pati me qëllim për të ma testuar guximin dhe lojalitetin ndaj dajëve, apo ishte ky vetëm edhe një akt shtesë i asaj “loje pa kufi”, që po luhej aty dhe që s’po përfundonte kurrë, por unë nuk u përzieva fare në atë sherr, në sherrin i cili përveçse po më shqetësonte shumë, nuk arrija dot ta kuptoja pse po ndodhte. Në krejt atë hallakamë, kontributi im për të mirë, qe se nuk e solla drunin që rrinte para koftorrit. Drama vazhdonte, por tash pak më qetë. Akoma flisnin e bërtisnin, por me dorë nuk prekeshin. Me rëndësi që nuk kërsiti as druni dhe as alltia. Mirë boll!

Dritarja e odës së dajëve, Koliq.

Dikur edhe Haliti i ndërroi fjalët. Në odë u rikthye normaliteti, humori dhe atmosfera gazmore. Dukej se më në fund iu ra ndër mend se aty ishte edhe një fëmi, apo më mirë me thënë, përfundoi loja pa kufi. Mysafiri i “dhunshëm” u kthye në dashamirësin tim kryesor. E kishte vërejtë frikën time nga humori i tij dhe më morri ngat vetës e më tha: “Ty t’kam jaran e kurrkush nuk guxon me t’ngucë!” Ma vuri dorën mbi supe për të më dhënë kurajo e siguri. Tashmë nuk kisha frikë, por më vinte keq prej Dajës, se m’dukej vetja sikur po kaloja në anën e kundërshtarit, e Dajën e doja shumë. Si i pafajshëm e i patakatë që isha, rrija strukur dhe në heshtje, anipse tashmë u muarr vesh se krejt kjo punë qe një shaka e madhe, qe një shfaqje teatrale pa skenar dhe pa regji, qe një mahi burrash në odë ose më mirë me thënë, një lojë pa kufi.

Dyertë e dajve, Koliq.

Atmosfera e mirë vazhdonte, kurse mbrojtja e mikut për mua, sa vinte e shtohej. Kur ramë me fjetë, siç ka qenë adet atëherë, nga dy-tre veta nën një jorgan, Haliti më morri me vete e më tha: “Hajde ti me mua, se ty t’kam jaran e s’guxon kush me t’ngucë!” Shkova si me drojë e me pritesë dhe rash me të, por kur rash e pash se atë “hekurin” vizëllues e futi nën jastak. Haj medet haj! Unë tash kryet mbi të! A flihet kështu!? Jastëku i butë e i mirë po, ama hekuri përfundi ia prishte kresë krejt terezinë. E qe besa jo vetëm kresë, por edhe mendjes! Për herë të parë e të vetme, atë natë kam fjetë me krye në “hekur”. Në të vërtetë, atë natë s’kam fjetë fare!

S’di se çka kam mendu, por sigurisht se nuk më ka shku kurrë ndërmend se një ditë do të shkruaj për atë lojë dhe se do t’i kujtojë kështu ata njerëz të mirë e të dashur, që humorin e kanë pasur jo vetëm cilësi shpirtërore, por edhe filozofi jetësore. Humorin e kanë pasur mjet për tu përballur me jetën, por edhe për ta përmbushur atë me kuptim. Në atë kohë të vështirë, humori dhe dashnia i kanë mbajtë njerëzit të bashkuar, aktivë, vigjilentë. Humori është ushqim, forcë dhe energji për jetë. Është kapacitet inventiv, imagjinativ, kreativ dhe transformativ i qenies njerëzore. Nganjëherë është thumbim, shpoti dhe ironi ndaj realitetit, por është edhe vetë një realitet ku matet fuqia e shpirtit të njeriut, si individ, grup dhe komunitet. Humori, dashnia dhe kujtesa janë shumë më të forta sesa hekuri. Hekuri ndryshket, e ato jo! Kujtimi për Dajën Latush, Dadën Sherë, Dajën Rexhë dhe Halitin e Perajve, qoftë i përjetshëm!

Prishtinë, 25 tetor 2026

ObserverKult


Lexo edhe:

Shemsi Krasniqi: Afria me Afrikën