Isabel Allende: Po mua? Do të më kujtoj’ dikush?

isabel allende

Isabel Allende ka lindur në Lima, në vitin 1942, dhe jetoi në Kili deri në vitin 1973. Pas grushtshtetit nga Pinoçeti, u vendos në Venezuelë dhe më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me romanin e saj të parë, Shtëpia e shpirtrave (1982), Isabel Allende, u afirmua menjëherë si një nga zërat më te rëndësishëm të narrativës në gjuhën spanjolle.

Në vitin 2014, Barack Obama e vlerësoi Isabel Allende-n me Medaljen presidenciale të Lirisë.

Ndërsa në vitin 2018, ajo u bë autorja e parë e gjuhës spanjolle që mori medaljen e National Book Award për kontribut të shquar në letërsinë amerikane.

Në gjuhën shqipe deri tani janë përkthyer këto vepra të Isabel Allende: “Shtëpia e shpirtrave”, “Paula”, “Bija e fatit”, “Portret në sepje”, “Ishulli nën det”, “Vendi im i imagjinuar”, “Shuma e ditëve”, “Loja e Riperit”, “Fletorja e Majës”, “Përtej dimrit”, “Dashnori Japonez”, “Qyteti i shtazëve”, “Mbretëria e dragoit të arte”, “Pylli i pigmejve”, “Petali i gjatë i detit”, “Rrafsh i pafund”...

Romani i saj “Rrafsh i pafund” konsiderohet si vepra e saj më e arrirë dhe ObserverKult në vazhdim do t’ju sjell në fragment nga ky libër:

Po mua? Do të më kujtojë dikush? Askush. S’kam as grua dhe as vajzë që të më qajnë, madje as edhe nënë. Po Karmeni? Do të jetë ende e pikëlluar për të vëllanë, e adhuronte Huan Hozènë, i vetmi që mbajti lidhje me të kur të tjerët e mohuan. Kujdes, tani jam duke bërë sërish rolin e sentimentalit.

E vërteta është se nuk më intereson aspak që të më kujtojnë, ajo që dëshiroj unë është të jem i pasur, të kem pushtet. Im atë kishte pushtet në botën e të lënëve mënjanë, në të cilën lëvizte, ishte i aftë të hipnotizonte një sallë të tërë dhe t’i linte njerëzit të bindur se ai ishte përfaqësuesi i Inteligjencës Supreme, na bëri të besonim të gjithëve se njihte ravijëzimin dhe normat e universit, por vdiq njëlloj, i lidhur në një shtrat duke nxjerrë shkulma gjaku nga goja dhe qelb prej më shumë se njëzet kratereve të hapur mbi lëkurën e tij, i çmendur, gati për të mbaruar.

E di se ç’po mermerit me veten tënde, Çiro, se ajo që ka rëndësi është pushteti moral. Ke qenë një shembull i mirë në këtë drejtim, por ke kaluar një jetë të tërë i mbyllur në një ashensor, duke lexuar me hope dhe mendoj se ende shpirti yt vazhdon të shfletoj libra.

E për çfarë të shërbeu të ishe aq i mirë? Më ke ndihur pa masë, s’mund ta mohoj, edhe pse ti s’kishe asgjë dhe jetoje filli vetëm në mizerje. Një tjetër njeri i drejtë është dhe Pedro Morales.

Kur isha fëmijë mendoja se ishte një burré i fuqishëm, i trembesha zërit të tij prej patriarku dhe fytyrës së tij të gurtë prej indiani me dhëmbë të artë, i gjori Pedro Morales, s’ishte i zoti të vriste një mizë, një tjetër viktimë e kësaj shoqërie shkërdhatë, thonë se pas largimit të Karmenit e ka humbur fare torruan, është plakur dhe tani i shtohet edhe vdekja e Huan Hozès.

Unë do të kem pushtetin e vërtetë të parasë dhe prestigjit, ajo që s’e kam parë kurrë në geton ku u rrita, askush s’do të guxojë të më shohë nga lart-poshtë, dhe as të ngrejë zërin me mua.

Shpirti yt që s’gjen prehje do të ngrihet kundër cinizmit tim. Çiro, mundohu të më kuptosh, kjo botë është e të fortëve dhe unë jam i lodhur së ecuri mes radhëve të të dobëve. Mjaft.

Gjëja e parë që duhet të bëj është që të shërohem, nuk mund të ngre dot as krahët për të krehur flokët, me zor mbushem me frymë, e ndjej kokën që është gati të më plasë dhe të gjitha këto s’kanë asnjë lidhje me këtë sëmundje të mallkuar, janë pasojat e
dro gave dhe alergjitë ato që po më gërryejnë përbrenda…

***

Mendimet i pështjelloheshin në kokë, mbyllte sytë dhe shihte një shtjellë shëmbëlltyrash që endeshin e endeshin, i linte të dilnin dhe mbi sipërfaqen gri të tavanit projektoheshin kujtimet e tij. Flinte pak, netëve qëndronte zgjuar në terr, duke u përpëlitur në shtrat dhe me zor arrinte t’i mbushte mushkëritë me ajër.

Mjekët zbuluan se kishte infeksion, i dhanë një kurë me antibiotikë dhe pas tri javësh arriti të çohej në këmbë. Shtoi në peshe, por s’do ta kishte më atë forcën e mëparshme dhe kështu arriti të kuptonte se muskulatura s’kishte asnjë lidhje me burrërinë.

Pasojat e alergjisë u zbutën, iu lehtësua dhimbja e kokës, tani nuk merrte më frymë duke gulçuar dhe sytë s’i kishte më të rrëgjakur, sidoqoftë ndihej ende i drobolisur e me mundimin më të vogël i visheshin sytë.

Nuk u besoi veshëve, kur një ditë dëgjoi se mjekët kishin vendosur ta nxirrnin nga spitali dhe ta dërgonin në front.

Nuk i shkonte në mendje se do të merrte sërish në dorë një armë, shpresonte t’i përfundonte ato pak javë shërbimi që i kishin ngelur me ndonjë detyrë burokratike ose të kthehej përsëri në fshat.

E çuan me leje për dy ditë në Saigon, me urdhërin e qartë që të përfitonte nga ato dyzetetetë orë për t’u ngritur përfundimisht në këmbë…

*Shkëputur nga romani “Rrafsh i pafund” i përkthyer në gjuhën shqipe nga Arian Lleshi dhe botuar nga Sh. B. “Uegen”

E përgatiti: A. S.- ObserverKult

——————————————–

Lexo edhe:

ISABEL ALLENDE: I MERRNIN ERË NJËRI-TJETRIT…

ObserverKult