Shkodra në 4 fotografi të më shumë se një shekulli më parë

Nga Roland Qafoku

Duke qenë se Shkodra u kthye në qendrën e gravitetit të zgjedhjeve të 14 majit, po publikoj sot diçka të lidhur me historinë e këtij qyteti.

Shkodra është nga ato shumë pakta qytete në Shqipëri që jo vetëm ka lashtësinë prej rreth 3 mijë vjetësh por që e ka ruajtur qytetërimin në mënyrë të vazhdueshme.

Shkodra ka qenë qytet kur shumë kryeqendra të Evropës së sotme nuk ishin as vende pushimi për kuaj. Nga historia moderne ajo që më ka bërë më shumë përshtypje është fakti pak i njohur se nga viti 1920 deri në 1925 që Tirana ishte kryeqytet i përkohshëm, Shkodra ka bërë përpjekje titanike për t’u bërë ajo kryeqytet.

Një nga argumentet e përdorura ishte se Shkodra ishte qendra gjeografike e të gjitha trojeve shqiptare dhe se në të janë të përfaqësuar të dy fetë, të krishterë katolikë dhe myslimanë.

Për fatin tonë ky qytet ka dokumentimin më të mirë të pamjeve të vjetra. Madje jo vetëm ato të realizuara nga italiani Pietro Marubit.

Për këto arsye po sjell sot katër fotografi që besoj tregojnë thelbin e historisë moderne të këtij qyteti.

Foto 1: Shkodra në 1890 (një rrugë e qytetit). Burimi: Libraria e Kongresit. Në të paraqitet një rrugë e qytetit nga e cila kupton se urbanizmi dhe jeta sociale ishin në nivel të kënaqshëm. Një karrocë pajton që transporton udhëtarë që në këtë rast është një grua e veshur alla frënga dhe që duket që ka një status dhe pozitë të lartë.

Rruga është e shtruar me kalldrëm dhe në të dyja anët e saj dallohen dyqane dhe shërbime. Një xhami në krahun e djathtë do të thotë se jemi në zonën e lagjes muslimane.

Foto 2: Shkodra 1896 (Qendra e qytetit). Burimi: Biblioteka Universitare e Stambollit. Në diciturën origjinale shkruhet se kjo është qendra e qytetit por nuk kuptohet shumë kjo. Në të duket një lulishte moderne për kohën dhe pas saj disa ndërtesa.

Ndoshta mund të jetë edhe një godinë qeveritare derisa aty ka edhe zyrtarë dhe ushtarakë, madje edhe roje të armatosura. Por mund të jetë edhe një lokal. Prapa saj dallohet edhe një godinë tjetër më e madhe.

Ajo që bën më shumë përshtypje është flora e qytetit me bollëkun me pemë dhe lule shumë llojëshe dhe mbi të gjith pastërtia. Ndërkohë bie në sy ndërthurja e veshjeve tradicionale dhe ato allfrënga.

Foto 3. Shkodra 1913 (Kalaja e Rozafës). Burimi: Arkivi austriak. Në të paraqiten pesë flamuj të huaj në kalanë e qytetit që përfaqësonin shtetit që kishin statusin e fuqive të mëdha që kishin konsullata si Gjermania, Franca, Austro-Hungaria, Anglia, Italia.

Foto 4: Shkodër 1917 (Lundrim anijesh në lumin Buna dhe hekurudha (dekovil) i qytetit). Burimi; Arkiv austriak. Mjafton kjo foto për të kuptuar se çfarë zhvillimi kishte Shkodra më shumë se një shekull më parë.

Ai nuk ndryshonte shumë nga shumica e qyteteve më të mirë të Evropës.

Pas 106 vjetësh nga kjo foto ka një ambicje për t’ia rikthyer këtë pamje në shkëlqimin e dikurshëm. Të shpresojmë se kjo do të ndodhë.

1
2
3
4

ObserverKult


Lexo edhe:

“KAM PUNUAR MBI 20 VJET PËR SHTATOREN E NDRE MJEDËS”, SKULPTORI: SHKODRANËT DINË PËRMENDËSH NJË TUFË ME POEZI TË TIJ

Sadik Spahija është mjeshtri i skulpturës shqiptare. Ai prej vitesh ka bërë shtatore apo busteve madhështore, herë në dimensione klasike e herë në dimensione moderne.

I ftuar në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News, ai zbuloi se shtatorja që i ka marrë më shumë kohë, ka qenë ajo e poetit, Ndre Mjedës.

Sipas artistit, i janë dashur mbi 20 vite dhe ndihet shumë krenar, pasi shumica e shkodranëve dinë përmendësh poezitë e Mjedës.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult