Shkrim prekës i babait të aktorit të ndjerë: Barrë e madhe është kjo… po ne do të qëndrojmë…

xhabir ahmeti- luran...
Luran Ahmeti

Përkujtim për djalin tonë të mirë, Luranin

Nga Xhabir Ahmeti

Nuk shohim rreth vetes pranverë e cila sjell blerim, por gjithandej na përhihet se mugullon myk, lëmashk e myshk.

Tridhjetë e pesë muaj kaluan me majë shpate mbi kurrizët tonë, bir.

Sa shumë ditë janë, sa shumë orë, e minuta pa fund. Barrë e madhe është kjo. Po ne do të qëndrojmë, sepse duam ta sigurojmë kujtesën ku do të shndrisësh ti.

Nuk shohim rreth vetes pranverë e cila sjell blerim, por gjithandej na përhihet se mugullon myk, lëmashk e myshk, sepse nuk e sjell dritën në mëngjes buzëqeshja jote.

Në mbrëmje nata ngutet ta pushtojë hapësirën dhe e urdhëron terrin të lëshojë miliarda grimca të zeza mbi këtë shtëpi që të fshihet e kaluara. Po s’bëhet kjo punë kurrë!

Nga kujtimet e shumta që kemi reflektohet shkëlqimi i fytyrës tënde dhe shpërthen drita e dashurisë që kishe Ti për këtë familje që tash rrëshqet valëve të panjohura si anije e thyer.

Edhe në këtë situatë me shtrëngatë këtu te ne fuqimisht qëndron në këmbë e kaluara ku gjithmonë kryepersonazh ishe ti, ti që ishe siguria e madhe për motrën, krenaria për ne e Edlirën dhe e ardhmja e madhe për Arbën e vogël. Kështu do të jetë deri në çastin kur do të na e zgjasë dorën e ftohtë Hermesi.

Nuk them se jetojmë, por them se ngulfatemi në vërshimin e dhembjes së papërshkrueshme të shpirtit dhe mbahemi fort për veprën dhe dashurinë si model që e ke lënë pas vetes.

Të duam shumë, bir. Të duam shumë.

ObserverKult  


çajupi

Lexo edhe:

ÇAJUPI: SHQIPTAR, MOS RRI, PO DUKU, SHQIPTAR…

Shqipërin’ e mori turku,
i vu zjarr!
Shqiptar, mos rri, po duku,
shqiptar!

Mjaft punove për të tjerë,
o fatkeq!
Kujto vendin tek ke lere
dhe tek heq.

Të ka bërë perëndia
luftëtar,
si s’të lodhi robëria,
shqiptar!

Erdhi dita të ngresh kokë,
të kërkosh
lirinë, bashkë me shokë
të lëftosh!

Mos bëni si keni bërë
gjer me dje,
por të lëftoni të tërë
për Atdhe.

Pesëqind vjet kemi rruar
me pahir,
Lidhurë me këmn’ e duar
me zinxhir!…

Myslyman’ e të krishterë
jemi keq!
Të ngrihemi që të tërë,
djem e pleq!

Të ngrihemi të dëftojme
trimëri;
ja të vdesim ja të rrojme
për liri!

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult