Shkrim prekës i babait të aktorit të ndjerë: Ndryshe është tash, kur s’të kam pranë, biri im

Luran Ahmeti

Përkujtim për djalin tim të mirë, Luranin

Ku mund ta vë në lëvizje e ta kthej në rrjedhë lumi amullinë që është krijuar pas teje, biri im

Nga Xhabir Ahmeti

Biri im, dy përmujorë më ikën pa i shkruar psherëtimat e mia për largimin Tënd aq të beftë, aq të dhembshëm, aq të trishtueshëm.

Sëmundja që më mundon kohëve të fundit m’i mori pabesisht çastet kur në datat e zisë – 25 – të muajve njëzet e pesë e njëzet e gjashtë pa Ty i shkruaja  lamentet dhe kështu nuk arrita ta kumtoja fjalën e radhës të pikëllimit tim që po më gulçon.

Megjithatë në çdo çast kam qenë me Ty. Edhe këtyre ditëve kur për të qindtën herë po kaloja kalvarin nëpër këtë shteg kohor të ngushticës,  të stërmbushur me dhembje e lot, me realitetin e hidhur që s’të kemi më, vazhdimisht më “ka bërë e më bën shoqëri”  figura Jote plot mirësi.

Ndryshe nuk bëhet! Kështu, më del përpara pasqyrimi Yt si në ditët kur ktheheshe  nga xhirimet në Stamboll e na përqafoje me dashuri të papërshkrueshme të fëmijës  për prindërit. Si atëherë më vijnë notat e papërsëritshme të bukurisë së zërit Tënd i cili vjen duke u qartësuar e duke u ngritur çdo ditë më lart e më lart si flamur krenarie mbi këtë derë që e ruan emrin të cilin e bëre. Ky zë, fytyra Jote gjithmonë e buzëqeshur, njerëzia Jote më mbajnë në këmbë. Ata më japin forcë ta përballoj shqetësimin kur e shoh nënën Tënde duke u munduar ta kapërcejë monopatin plot ferra e gjarpërinj që kemi përpara e që  na bën me dije helmin që rrjedh gjithandej tash.

Figura Jote pandërprerë bën dritë dashurie të djalit shembullor, kurse Zëri Yt fërgëllon gjithandej duke i theksuar detajet filigranike të cilat e zbulojnë madhështinë e jetës, me të gjitha nënshtresat e bukurisë që i bënte prania Jote si njeri e aktor.

Çdo lëvizje Jotja që ka mbetur e gurëcuar si kujtim i pashlyeshëm në zemrën time më qortojnë duke ma bërë me dije se Ti, përveç bardhësisë së pafund të stolisur me akordet e magjishme të sukseseve që ke pasur në art, përveç krenarisë që ke qenë biri im, ma ke lënë amanet edhe familjen: nënën plakë, motrën e lodhur, Arbushin Yll dhe Edlirën me halle shumë.

Është pasuri e madhe familja, por është edhe barrë për një njeri me moshën që kam unë. Si të ngrihem mbi këtë situatë?

Tash nëna Jote e lodhur, dikur krenare, mbështetet në parmakun e pashpresës nga ku i thotë lutjet e dhembshme për Ty, kurse para saj vazhdimisht bien gjethet e zverdhura të manit të madh që e kemi përballë ballkonit, ballkonit Tënd me një çerdhe dallëndysheje, ku bëje plane për projekte ambicioze. Pas Teje shtegu i shkurtër i saj është mbushur me ferra e pelin, e s’i gjen derë dot dora ime. E shikoj Edlirën e cila me mundim i shtyn dyert e hekurta t’i hapë horizontet për ëndrrën e bukur që kishe Ti për Arbën.

Për këto halle duhen këmbë të forta. Ato m’i ka lidhur mua Prokrusti mu në çastin kur të humba ty. E kthej kokën pastaj kah Linda, e shikoj atë  të lodhur që vazhdimisht i thur dhe i ngre lart vargjet, duke e vendosur kështu mbi re klithmën e motrës së Avdisë.

E unë, ç’mund të bëj unë në këtë rrethana, ç’mund të bëjë një baba si unë aq krenar dikur sa e kishte djalin e tash një baba i dërmuar e i mbetur midis Scilës e Haridbës, pa krahun e fuqishëm të djalit? Ç’mund të ndryshoj me këtë peshë të pikëllimit që kam për Ty e që bëhet si guri i Sizifit që vazhdimisht bie poshtë në pikën e nismës? Ku mund ta vë në lëvizje e ta kthej në rrjedhë lumi amullinë që është krijuar pas Teje, biri im? I jap zor sa mundem, por nuk shkon, o bir. Kam mbetur si sogjetar i verbër i vatrës sonë.

E kujtoj aty të kaluarën Tënde. Rri aty ku Ti vendose një rreze lëbyrëse drite në lartësi nga ku dukej bukur çdo gjë kah rrjedha e së ardhmes, nga ku shpërndahej pluhuri i artë mbi ëndrrat e brezit të Arbës. Rri aty dhe e shoh se guri i kufirit ka lëvizur.

Nuk është aty ku e ke vendosur Ti. Unë mundohem të bëhem i fortë, por për çdo ditë po e shoh se jam hija e LAERTIT të cilit i ka rënë në hise fati i zi – të presë pafundësisht t’i kthehet djali nga udhëtimi pa kthim! O ç’dhembje!

Ne, që të pestët, o bir, rrimë në shkretëtirë dhe shikojmë qiellin me yje. Të kërkojmë Ty në mesin e yjeve që xixëllojnë më së shumti. Një qetësi vrastare na mbulon atëherë neve që dukemi si grathatë e mbetur midis rëre. 

E dimë, jemi përballë shtrëngatave të panjohura që na presin pas goditjes së meteorit të padritë që na ra kur na lajmëruan për largimin Tënd. Po s’mund të ketë shtrëngatë më të madhe se ajo që u bë kur të humbëm ty!

Tash luhatet dheu nën këmbët tona. Le të luhatet! Luhatet se tash hapësirës ku rrimë i mungon shtylla bartëse. I mungon Atlasi – nuk je Ti!

Kjo është hataja! Prandaj në këtë hapësirë e zgjat kështu dorën e rëndë shtemësia e i fik dritat. Nuk është më ai kënd nga ku duhej të shpërndaheshin notat e kumbimit në dy oktava për ta përmbysur letargjinë që tash i kanoset shpresës së mirë, nuk është më ndonjë mundësi që do ta zëvendësonte heshtjen e tashme të mbuluar me ankth me një energji të re të fjalës së gjuhës së zjarrtë që e projektoje Ti.

Krejtësisht ndryshe është tash, kur s’të kam pranë, biri im.  Tash kotësia i prin valles këndejpari. E shikoj sa me guxim shtrihet ajo tash pasi kam mbetur pa Ty!

Sa shtatë Sahara është kjo kotësi, o djalë! Po ku kishte pamundësi në vatrën tonë, sa ishe TI pranë meje?! Ishte kohë heroike  kur Ti ishe aty e s’lejoje asnjë pikë dyshimi ta hedhë hijen e zezë të saj  kah unë e kah kulla jonë.

O sa ndryshe është tash, o bir! Tash vajet si të rilindësve kanë ngritur çerdhe këtu, tash me lot mbushet ibriku me të cilin Arba i ujiste lulet.

Tash Arbushi me duart e njoma e ka marrë në dorë stafetën që Ti e nise drejt pemës së lulëzuar të artit! E nuk është lehtë! Jo që nuk është lehtë, por të gjithë ne e kemi hatanë mbi supa pa Ty, biri im! Megjithatë e dimë se Arba do t’ia dalë, sepse është bija Jote!

O zot i madh, pse s’ma bëre një sprovë siç ia bëre Jakobit kur ia kërkove djalin dhe e le në vaj, por shpejt pastaj ia ktheve atij të birin dhe e lëshove në fushat e lirisë?

Mua s’ma kthen dot! Pse më gozhdove mua për murin e zi të paradoksit  duke ma marrë djalin e më le ta kaloj pleqërinë me ndëshkimin më të madh duke qarë e duke e ndjerë dorën e ftohtë të vjeshtës mbi ballin e verdhë me rrudha dhe kamxhikun e fatit të zi mbi shpinën e lodhur?

ObserverKult


nga xhabir ahmeti

Lexo edhe:

XHABIR AHMETI: KACAFYTEM ME PIKËLLIMIN…

Nga Xhabir Ahmeti

Shkojmë në mëngjes me gjyshin kah kurtnajat, arat krejt afër shtëpisë, që shumëkush tash i quan ograja. Dielli ka dalë ka kohë.

Ai duket i vogël, por rrezet e tij që vijnë kah ne pjerrtas kanë filluar të djegin. Bimët edhe kafshët e mirëpresin pas shiut të djeshëm.

Bari tash thuajse harliset në rritën e tij, kurse kandrrat janë vënë në lëvizje. Larg në veri largohen rrëshqanas disa re, duke e lënë rehat kaltërinë e pafundësisë së qiellit.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult