Shkrim prekës i babait të aktorit të ndjerë: Ne të duam pa kufi, biri im…

Luran Ahmeti

Përkujtim për djalin tonë të mirë, Luranin

Nga Xhabir Ahmeti

Tridhjetë e katër muaj ikën. Tridhjetë e katër muaj pa Ty, Luran, biri im! Sa shumë! Pa ty ne kemi mbetur në vetmi të paparë, në të cilën nata dimërore e shtyn tutje dritën ta shtrijë pushtetin e saj.

Gjithandej rreth nesh ka rënë harresë, pluhur dhe pasiguri. Në çdo  qosh na duket se mbijnë myku, myshku e kërpudhat. Dhe duket se gjëmon xingona e kotësisë.

Nëpër këto vise ecim në rreth.

Vetëm kujtimet që na ke lënë na mbajnë. Ato janë mrekullia me vëllimin dhe ngjyrat që kanë. Janë të papara: aty e kemi dashurinë Tënde, buzëqeshjen Tënde dhe kuptimin e jetës. Prandaj këto kujtime ne i shpalojmë natë e ditë, edhe pse pas nesh vringëllojnë shpatat e asgjësë me kërcënim.

As shpata nuk na ndan dot nga ky mozaik i bërë nga kujtimet që na ke lënë sepse aty ruhen krahët e tu të fortë të zgjatur kah ne për përqafimin që na e falje kur ktheheshe nga udhëtimet nga xhirimet e filmave.

Aty janë rrezet e ngrohta të shpirtit Tënd që depërtojnë nëpër shtresimet e rënda të pikëllimit, në dendësinë e errësirës, në peshën e dhembjes së thellë, në dimrin e pafund që e ka pushtuar hapësirën e dikurshme të shpresës sonë të mirë dhe vijnë te ne të bëjnë roje te krenaria që kemi për Ty.

Në këtë rrëmujë ne e kalojmë përditshmërinë dhe vazhdimisht e dëgjojmë zërin Tënd që nuk harrohet dhe vajin e yllit më të ndritshëm në kupën qiellore që duket qartë se është lutja Jote për ne që mbetëm para invadimit të pasigurisë dhe për Arbën e vogël që e le pas ta vazhdojë udhëtimin shtigjeve të dritës, të cilin e hape Ti .

Ne të duam pa kufi, biri im.

ObserverKult


Xhelal Ademi
Xhelal Ademi

Lexo edhe:

XHELAL ADEMI: NËSE MUNDESH TË HARROSH GJITHÇKA TONËN…

Nëse mundesh të harrosh gjithçka tonën përmbi dhe,
Gjithçka bëre e sodite gjithçka preke gjithçka pe,
Madje hapit përmbas shpine nëse mundesh t’i vësh emër
E t’i ndrydhish njëmijë heshtje që të ecin nëpër zemër.

Nëse mundesh t’i vësh fshesën gjithçka ishte jeta jote,
T’hedhësh ndjenjën nëpër detra mes valnajës fuqiplote,
Nëse mundesh të rrëmbesh gjithçka tënden që më dhe,
Dhe t’pështyshë nga ece dje për të hapur rrugë të re.

Nëse buzës i vë dryrin që t’mos shkrehet nëpër vaj,
Gjitha puthjet t’ia shkëpusish mu aty tek cep i saj,
E t’i hedhish përmbanë qiellit ose djegish përmbi prush,
Dhe e akullt t’i sodisish me atë sy të zi si rrush.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult