Shkrim prekës i babait të poetes së ndjerë: Këto fjalë ia the nënës para se të ikësh…

Lindita Ahmeti

Përkujtim për Lindushin me rastin e përmujorit të ndarjes nga ne

Nga Xhabir Ahmeti

I kujtojmë çastet që me Lindushin rridhnin hareshëm dhe e bënin formën e përmbajtjen e plotnisë, jo të fundit si kjo e tashmja e ndarjes

Lindush, zemra jonë,
po bëhet një muaj, moj bijë, që na ike. E pabesueshme! E ne vazhdojmë të presim ta dëgjojmë zërin tënd melodik të na thuash: Mirëmbrëma, erdha unë, siç na the herën e fundit. Në vend të këtyre fjalëve tua të ëmbla, tash në shtëpinë tonë vërshon heshtja e rëndë.

Sa keq, sa vështirë, sa dhimbshëm! Do të na mbeten gjithmonë të freskëta kujtimet nga zëri yt i ëmbël kur në çastet para se të na ikësh, i the mamit: Mami përqafomë një herë dhe ajo të përqafoi. Oh mami im sa mirë përqafon ti. Kur më përqafon ti mami, i the, unë e ndjej një lehtësi në shpirt e në zemër.

Pastaj vazhdove: Mami ti e di se unë e dua pak më shumë babin, por babi nuk di të përqafojë kështu. Mësoje babin si duhet të më përqafojë mua. Pastaj e preke karrocën me të cilën shkoje në punë dhe na u drejtove butë: Nuk dua ta shoh më këtë karrocë! Pastaj hyre në banjo i lave duart dhe shpejt dole e lodhur. Shumë e lodhur. Ne u alarmuam, bija jonë, ne u tmerruam. Pastaj erdh ekipi i mjekëve që e thirrëm për ndihmë. U munduan ata, u munduan të të ndalin. Të të ndihmojnë ta vazhdosh jetën. Nuk ia dolën.

Në fund mjeku kryesor tha: Më vjen keq, por jam i detyruar t’ju shpreh ngushëllime, derisa ne e prisnim mrekullinë: të çohesh e të thuash: e kam blerë një libër. Përnjëherë çdo gjë atëherë u shtang, u gurëcua. Një shtemësi e rëndë e pushtoi dhomën. Konturat e bibliotekës sate të madhe aty pranë u tretën e në vend të tyre u lëvarën hijet e rënda të pikëllimit. Sepse ndodhi hataja.

Në çastin kur po prisnim të na tregoje për punën që ke bërë, shija e hidhëtisë e pushtoi hapësirën dhe shkëlqimin e bibliotekës e zëvendësoi një ngrysje e mundimshme. U stepëm. Pasqyra e madhe aty pranë m’u duk se u thye copë e grimë. U fashit ai vrulli yt që vazhdimisht kur ktheheshe nga puna shpërthente si vullkan duke shpërndarë figura letrare nga universi antik dhe nga bota jote lirike.

Të gjitha metaforat, simbolet, krahasimet, aliteracionet e asonancat dhimbja i zhvendosi në të kaluarën, në atë kohë që kishte aromë të luleve iris illyrica dhe po na presin në kujtime. Të tashmes tënde që si kuptim kohe e doje aq shumë, bija jonë, iu ndalën akrepat. Ne qëndronim para një të tashmeje tjetër, të rëndë, jo para Lindushit gazmore, jo para Lindushit me temperament kolerik, por para Lindushit të heshtur, me një buzëqeshje të ngrirë, por me plot dashuri në cep të buzëve prej nga kanë rrjedhur me qindra e qindra vargje lirike, të recituara aq me shpirt dhe nga me mijëra herë të kemi dëgjuar të thuash: të dua shumë babi, të dua shumë mami.

Kjo e tashme ku u gjetëm mund të krahasohet me gjendjen e njerëzve zemërthyer të mitologjisë para portave të hadit. Kësisoj disi ishte e tashmja e ndarjes tënde nga ne. Ishte e hidhur, krejtësisht tjetër nga e tashmja që e jetuam për aq vite bashkë. Ajo e tashme ishte sinonim i bukurisë, ishin çaste që rridhnin hareshëm dhe e bënin formën dhe përmbajtjen e plotnisë e jo të fundit si kjo e tashmja e ndarjes.

Lindush, e vuajte shumë largimin e vëllait tënd Luranit. Vështirë, shumë vështirë e kemi pasur ne prindërit që e humbëm të vetmin djalë, por s’do ta harrojmë kur na thoshe: vështirë e keni ju, por dijeni – unë e kam më vështirë prej të gjithëve pa Luranin! Dhe, ti vazhdove si Sizifi. Punove, punove, punove, e kapërceve gjithë atë barrë të punës krijuese e kërkimore, por barrën e humbjes së vëllait e paske pasur më të rëndë!

Ne për tri vjet e kemi mbajtur varur në qafë gurin e rëndë të dhembjes për djalin, ndërkaq ti në qafën tënde të hollë e paske mbajtur një shkëmb.

ObserverKult


Lexo edhe:

U NDA NGA JETA POETJA E NJOHUR, LINDITA AHMETI