dita 1
një, dy, tre, katër…,
dhjetë, pesëmbëdhjetë, njëqind,
pesëqind, shtatëqind…,
…tash dhe unë pozitiv
dita 2
është natë, unë e ti Hira
ndjekim dragoin e zi
sa zjarr, sa etje,
e ne na lejohet përqafimi
dita 3
në të tretën ditë hapa dritaret
koka prodhon figura gjeometrike
ku ta gjejë forcën e përqëndrimit
dita 4
mes katër muresh, izolim total
hapim sytë e shpupurishim jetët tona
me lundrën për jetë
dita 5
tërë natën kam parë ëndërr të vdekurit
asnjëherë s’kam qëndruar më gjatë me ty nanë
dita 6
azitro, vitamin d3, vitamin c, multivitamin, aspirin
dhe ujë, ujë për jetën e turbullt
dita 7
ka ndërruar fytyrë bota
ku ta gjejmë frymën që të njohim shpirtin
dita 8
pak mirë, pak keq, njësoj si dje
kam nevojë për ajër
dita 9
kaloj edhe kjo ditë
mbyllur në kutinë me dritare
dita 10
as para, as mbrapa,
alarm, panikë,
ku ta gjejë frymën, në cilën shitore, në cilën shetitore
dita 11
sot vallëzuam me Hirën
në sytë tanë u kap fije jete
dita 12
edhe pak, edhe pak
zjarri do të shuhet
frymëmarrja do të gjejë një tjetër udhë
dita 13
Hira e njeh lojën tashmë
në çantën e saj të lodrave
dezinfektuesi dhe maska jetojnë si aksesor
dita 14
plotë dy javë luftë
mes bajlozësh të zi
kokërra, kokërra i dham jetës frymë
a thua qysh mbyllet kapaku, Hira
*Titulli i origjinalit: “Pozitiv”
ObserverKult
Lexo edhe: