Shpallen fituesit e “Konkursi 2022”, çmimin e parë e mori Etleva Hamitaj

Etleva Hamitaj me foton me titull “Lëpushë” u shpall fituese e kategorisë “Fotografia e vitit” në “Konkursi 2022”, një nismë e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama e nisur në dhjetor të vitit të kaluar.

Fitues i vendit të dytë u shpall Ervin Shehaj me foton me titull “Gjuetarët e mbeturinave”, ndërsa çmimi i tretë iu dha Lorena Sulajt me foton “Të njohësh përtej maskës”.

Ndërsa çmimi i publikut, për foton që është votuar më shumë online, u shpall Kejsi Markola, e cila ka fiksuar një fotografi në malin e Dejës.

Në kategorinë “Videokërkesa ime” fituese e vendit të parë u shpall shkolla artistike “Ajet Xhindolli” në Berat, fituese e vendit të dytë është shkolla “Naim Frashëri” në Gjirokastër, fitues i vendit të tretë u shpall shkolla 9-vjeçare, “Xhevdet Doda” në Bulqizë.

Çmimet u ndanë në një ceremoni të zhvilluar në Qendrën për Hapje dhe Dialog, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama tha se “sot mund të shpërblejmë simbolikisht me çmime fituesit e këtij konkursi. Është një kënaqësi e veçantë që një ftesë spontane times, kaq shumë njerëz iu përgjigjën pozitivisht. Ju falënderoj ju që jeni këtu dhe morët pjesë në konkurs, me shpresën që ky konkurs të bëhet traditë dhe sa më shumë njerëz të marrin pjesë në të”.

“Kemi menduar që simbolikishit t’u japim fituesve nga një shenjë të veçantë, por jo vetëm atyre që kanë marrë çmime, por edhe pjesëmarrësve të tjerë. Një pjesë janë këtu të pranishëm, një pjesë janë jashtë Shqipërisë, të tjerë s’e kanë pasur të mundur të jenë këtu. Ka dhe një çmim të publikut që është ekspozuar me 3 fotografitë e tjera”, tha Rama.

Rama theksoi se “në kategorinë “Videokërkesa ime” pjesa më e madhe ishin kërkesa të bëra nga nxënës të shkollave të ndryshme të vendit. Shumica e shkollave kanë kërkuar biblioteka, palestra, salla zejesh, apo kompjutera etj. Ndryshimi qëndron në faktin që pavarësisht se në thelb apo në përmbajtje kërkesat nuk kanë qenë shumë të ndryshme në formën e tyre, me pasionin që janë bërë, me mënyrën si është adresuar kërkesa ka pasur avantazhe dhe disavantazhe. Ndërkohë që u tha këtu jo vetëm shkollat që kanë fituar, por edhe shkollat e tjera që kanë bërë kërkesën do ndihmohen. Këtu nuk është fjala për një kërkesë të drejtpërdrejtë dhe një akses në arkën e shtetit, këtu është fjala që ne së bashku me nxënësit që kanë bërë kërkesat të bashkëpunojmë dhe t’i mbështesim ata dhe për të financuar nevojat e tyre”.

Ne, vijoi Rama, do ta shfrytëzojmë këtë proces për të rritur jo vetëm ndjeshmërinë, por edhe dijen e nxënësve mbi mundësitë shumë më të mëdha se ato që duken, që ka çdo individ që organizohet bashkë me të tjerë për të realizuar një qëllim duke ndjekur një sërë hapash.

“Qeveria ka një prioritet mbi prioritetet, që janë fëmijët, në sensin e punëve konkrete dhe mbështetjes konkrete për ta. Ne kemi vendosur si asnjëherë më parë fonde të konsiderueshme për të adresuar nevojat e fëmijëve tanë për art pas shkolle, për zeje, teknologji dhe sport”, tha Rama.

Sa i përket konkursit të fotografisë, Kryeministri Rama u shpreh se “duam ta vazhdojmë këtë traditë dhe ta rrisim gamën e pjesëmarrësve”.

“Në fund, kishim dhe një kategori tjetër ku mbase nuk ka pasur të njëjtin kuptim ose nuk ka qenë e njëjtë shkalla e të kuptuarit e konkursit dhe pjesëmarrja ka qenë më e vogël, por sidoqoftë, kanë marrë pjesë edhe në këtë kategori të urimeve për të zgjedhur urimet më të spikatura, një numër fëmijësh që e kanë marrë ftesën nga rrjete sociale dhe çmimin e parë për urimin më të spikatur e merr një nxënëse në shkollën “Bakushe Visha” në Fushë-Krujë, e cila quhet Ana Karaj. Ajo shkruan që është në shkollën 9-vjeçare “Bakushe Bisha”: ‘Jam një fëmijë me probleme shëndetësore dhe si e tillë unë nuk mund të ndjek hapat e bashkëmoshatarëve të mi gjatë procesit mësimor.
Jo vetëm unë, por ka dhe nxënës të tjerë të kësaj shkolle që për të ndjekur hapat e bashkëmoshatarëve, na duhet një person që të na qëndrojë pranë për të kaluar pengesat që ne hasim. Këtë hall na e ka plotësuar Ministria e Arsimit e cila na ka mundësuar mësuese ndihmëse dhe unë xhaxhi Kryeministër mendova t’ju kërkoja juve dhuratën për këtë fundviti, por fati ishte e shkruar që zonja D të bëhej për mua babagjysh i këtij fundviti, pikërisht si mësuese dhe unë sot do doja ta falenderoja përzemërsisht, sepse u bë urë lidhëse midis problemit tim dhe personit që më mundësoi që unë të dëgjoj zërin e prindërve të mi, të mësueses, të bashkëmoshatarëve të mi dhe gjithçka që më rrethon. Falënderoj përzemërsisht zonjën D dhe mësuesen time ndihmëse, duke i uruar me gjithë zemër gëzuar 2022!’”, theksoi Rama.

Çmimi i dytë, shtoi Rama, është i një tjetër vajze. “Urimi im babagjysh është të na sjellë atë dhuratën që quhet qetësi, brenda çantës shto disa fara të asaj gjësë shumë të rrallë që quhet lumturi, hidhi gjithashtu dy apo tre pika gëzimi për të fshirë shumë lot. Nëse ka ende hapësirë vendos shumë, por shumë forcë për të besuar përsëri”.

“Dhe çmimi i tretë përsëri është vajzë apo grua, Albina Tahiraj: ‘2022 mirë se të vish. Tik, tak, tok drejt fundit 2021. Vit i mbushur me zënka, debate primitive dhe groteske, me ushqyerje të pangopur urrejtje dhe aksidentalisht, totalisht plot sëmundje fatale. Dua me gjithë sinqeritet të kërkoj dhe ju lutem me shpresën që do ta lëmë këtë mynxyrë në harresë të vërtetë. Uroj që 2022 të jetë thjesht ndryshe. Duam që të jemi të lirë të lëvizim, të punojmë, të dashurojmë dhe sigurisht të jetojmë. I kërkoj Zotit me përulësi që të na ndriçojë me buzëqeshje humane dhe të na begatojë me dritë hyjnore, sepse mbi të gjitha, dhurata që duam nga viti 2022 është të ndihemi gjallë”, tha Rama.

“Konkurs 2022”, iniciativë e Kryeministrit Edi Rama në fundvitin që lamë pas, u finalizua sot me ndarjen e çmimeve në hollin e Qendrës për Hapje dhe Dialog, në Kryeministri.

Përmes kësaj nisme, Kryeministri Rama ftoi të gjithë qytetarët të adresonin fotot, videokërkesat dhe urimet e tyre në platformën e bashkëqeverisjes, Shqipëriaqëduam.al.

Në përgjigje të ftesës, mbi 700 pjesëmarrës shprehën përmes imazhit, tekstit dhe videos një mesazh që buronte nga zemra. Në kategorinë e fotografisë morën pjesë 455 pjesëmarrës, imazhet e të cilëve u frymëzuan nga peizazhe, portrete apo simbolika të ndryshme. Fotografitë fituese u ekspozuan në hollin protokollar të Kryeministrisë, duke i dhënë mundësi publikut të njihet me to në ditët në vijim.

Në kategorinë e videokërkesave morën pjesë 159 pjesëmarrës, të cilët ideuan videon e tyre me një kërkesë specifike lidhur me shkollën apo komunitetin ku jetojnë. Ndërsa në kategorinë e urimeve morën pjesë 97 pjesëmarrës, të cilët shprehën përmes një mesazhi të shkruar urimet e tyre për Vitin e Ri 2022.

Përtej garës, për fotografinë më impresionuese, urimin më të veçantë, apo videokërkesës më frymësuese, mesazhi që ky konkurs përçoi ishte dëshira për të nisur të gjithë së bashku një vit të ri më të bukur, më të mbarë dhe më të begatë. /ATSH

___________________

Lexo edhe:

BËHET E DITUR, JA KUSH JANË PREZANTUESIT E EUROVISION 2022

ObserverKult