
Gjuhëtari Aristotel Spiro, i ftuar në emisionin “Aranutistan” të Mustafa Nanos, ka komentuar zhvillimet e fundit rreth përdorimit të termit “Shqipja është nëna e të gjitha gjuhëve.”
Sipas tij, ky term është i gabuar dhe kundërshton shkencën gjuhësore, sepse asnjë gjuhë nuk mund të jetë “nëna” e një gjuhe tjetër.
Ai thekson se ky është një koncept i pavërtetë dhe antishkencor.
“E vërteta gjithmonë ka armiqtë e vet, dhe jemi të ndërgjegjshëm për këtë. Megjithatë, jemi të bindur se e vërteta duhet thënë dhe duhet thënë me zë të lartë, sidomos në shkencë.
Në lidhje me pohimin se shqipja është gjuha më e lashtë në botë, kjo është një thënie nacionaliste dhe politike e lirë, të cilën e konsideroj pa vlerë.
Nuk mund të jesh patriot duke thënë se shqipja është gjuha më e lashtë në botë, sepse kjo nuk është e vërtetë. Asnjë gjuhë në botë nuk mund të thuhet se është ‘nëna’ e gjuhëve të tjera. “
Gjuhëtari Spiro ka theksuar se është e nevojshme që këto ide të sqarohen dhe të përçohen te publiku, veçanërisht pasi, sipas tij, në rrjetet sociale po përhapen këto ide të pasakta nga individë që nuk kanë njohuri të mjaftueshme për këtë fushë.
“Ne duhet të edukojmë shoqërinë dhe ata që duan të mësojnë të vërtetën. Sot për shkak të mjeteve të informacionit masiv, për fat të keq dëgjohen ata që kanë nivel më të ulët, sepse janë ata që bërtasin më shumë se nuk kanë çfarë të bëjnë, ata ekzaltohen nga këto ide se u duken ide të bukura, por ëndrrat janë ëndrra.”
ObserverKult