Kur fëmijët në mëngjes
fërkuan sytë nga çudia
dhe lëshuan një kor britmash gëzimi
kuptuan se kishin fjetur
në një shtëpi prej ëndrrash
në anën e majtë të
një pylli dëborë.
Muret e kaltër të ndërtuar
prej dëshirash të pa treguara
vezullonin
ndërsa çatia prej psherëtimash
dhe britmash entuziazmi ndriçonte e tëra.
Ajo shtëpi s’ishte më e vjetër
ajo shtëpi ishte veshur me ëndërr
edhe gjeli i tymit në maje të oxhakut
ose tymtari
siç i thoshte gjyshja ime e mençur
buzëqeshte si rralle ndonjëherë.
Shkëlqente bora nën
dritën e fortë të mëngjesit
dhe pse drurët e rënde kërcisnin nga pesha
edhe ato i kishin zgjuar britmat e fëmijëve
ndaj e flakën për ca çaste
seriozitetin e tyre të njohur prej drush.
Në mbrëmjen që pritej të vinte
ishin po ata
që i lejuan burrat e vegjël të krishtlindjeve
t’i dekoronin degët e tyre me drita
lodra dhe çokollata parajse
biles pranuan edhe të vetëmagjepseshin
nga prestigjiatorët endacakë.
Deri në fund të dhjetorit
ata do të rrinë kështu të ngarkuar
më pas varet nga dëshirat e erërave.
Fëmijët janë fëmijë dhe
meritojnë gjithçka prej të gjithëve
edhe prej pemëve.
ObserverKult
Lexo edhe: